Në “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, hidhet dritë mbi fakte të reja ose të anashkaluara, për ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Kishte apo jo, rezistencë kombëtare dhe shtetërore?
Pse, Zogu zgjodhi të ikte nga vendi, që po binte nën thundrën e pushtuesit? A kishte pasur mbreti i Shqipërisë, mbështetje dhe cilat vende e injoruan atë… Intervista ekskluzive me Bernd Fischer, sjell për mbarë shqiptarët një qasje më korrekte ndaj historisë, që siç e thekson Fischer, në Shqipërinë komuniste… ka munguar.
Në bisedën më Nazarkon, Fischer thekson se për sa i përket çështjes së rezistencës, ajo është trajtuar nga qeveria komuniste, gjihmonë si rezistencë popullore. Ai ndalet te rezistenca e popullit shqiptar, duke dhënë shifra për viktimat në frontin e luftës, krahas atyre të pushtuesve. Por tërheq vëmendjen, se duhet vlerësuar fakti që kishte edhe rezistencë shtetërore.
Ndiqni intervistën e plotë:
Përshëndetje! Unë jam Bernd Fischer.
Ju falënderoj shumë, që më dhatë mundësinë të marr pjesë në këtë program. Më vjen keq që nuk mund të jem i pranishëm drejtpërdrejt, por fatkeqësisht ndodhem në anën tjetër të botës.
E kuptoj që tema e sotme ka të bëjë kryesisht, me aspekte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, një temë që, nga sa kuptoj, mbetet ende shumë aktuale në Shqipëri dhe në fakt, duket se ndikon edhe në politikën moderne deri në një farë mase. Sigurisht që ka ende shumë e shumë polemika në lidhje me luftën, pjesërisht si pasojë e interpretimit specifik të saj gjatë periudhës së gjatë komuniste dhe rivlerësimeve të ndryshme që kemi parë që nga fundi i asaj periudhe.
Më është kërkuar të komentoj mbi një sërë çështjesh specifike, lidhur me këtë temë. E para, ka të bëjë me pushtimin vetë dhe nivelin e rezistencës ndaj atij pushtimi.
Tani, siç e dimë të gjithë, gjatë periudhës komuniste, rezistenca ndaj pushtimit paraqitej në një farë mase si një kryengritje popullore e njerëzve, kryesisht në Durrës, me idenë që shteti nuk kishte rol dhe motivimi ishte qartësisht për të delegjitimuar regjimin e Zogut, i cili gjatë periudhës komuniste u demonizua. Kjo është diçka tek e cila, do të kthehemi më vonë.
Kur italianët pushtuan, u përballën me njëfarë rezistence. Jo shumë të madhe, pjesërisht për shkak se, ndonëse pushtimi ndoshta ishte i planifikuar dhe i zbatuar dobët, u realizua gjithsesi nga një forcë dërrmuese e ushtarëve italianë, kryesisht, por edhe e elementëve të forcave ajrore, që në pak ditë e përfshinë Shqipërinë. Kur italianët arritën fillimisht në Durrës, siç përmenda, pati njëfarë rezistence. Kjo rezistencë përfshinte padyshim edhe banorë të qytetit. Ata morën pjesë aktive në përpjekjen për t’i zmbrapsur italianët përsëri drejt anijeve të tyre.
Por mendoj se është gjithashtu e rëndësishme, të pranojmë që kishte edhe rezistencë të organizuar, me fjalë të tjera, rezistencë shtetërore. Kishte një element të ushtrisë shqiptare. Tani, siç e dimë, ushtria shqiptare nuk pati pjesëmarrje të gjerë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht për shkak të faktit — ose ndoshta kryesisht — që për disa vite ushtria shqiptare këshillohej nga instruktorë italianë, këshilltarë italianë, me pajisje italiane dhe financim italian. Si rezultat, këta individë arritën në një farë mënyre të minonin efektivitetin e ushtrisë shqiptare dhe për pasojë ajo luajti një rol të kufizuar gjatë luftës. Por, një pjesë e këtij roli u dha gjatë pushtimit italian në Durrës. Pra, kishte elementë të ushtrisë, por ndoshta edhe më me rëndësi, kishte elementë të xhandarmërisë, në veçanti ato të udhëhequra nga Abaz Kupi, i cili, ishte një nga komandantët e xhandarmërisë në rajonin e Durrësit.
Siç përmenda, rezistenca ishte padyshim e kufizuar. Megjithatë, italianët pësuan humbje të ndjeshme. Ka disa debate në lidhje me numrin specifik të viktimave. Gjatë luftës, propaganda italiane e vendoste këtë numër në ndoshta 12 ose 15 ushtarë të vrarë, ndonëse kjo ishte një nënvlerësim i ndjeshëm. Dokumentet që kam parë, që janë kryesisht britanike dhe amerikane, përmendin se banorët shqiptarë të qytetit pohonin që ndoshta kishte rreth 400 viktima italiane. Dhe në këto dokumente ka një tregues, ndonëse nuk thuhet shprehimisht, që kjo mund të jetë një lloj mbivlerësimi.
Si rrjedhojë, arrihet në një lloj mesatarjeje. Dhe dokumentet sugjerojnë që ndoshta rreth 200 italianë u vranë gjatë pushtimit të Durrësit, në këtë fazë fillestare. Siç e dimë, italianët fillimisht u zmbrapsën drejt anijeve të tyre…”