Ballina Aktualitet Durrësi mirëpret turistët e parë, sezoni turistik pritet të zgjasë deri në...

Durrësi mirëpret turistët e parë, sezoni turistik pritet të zgjasë deri në nëntor

31
0

Duke filluar nga data 1 prill, Durrësi ka mirëpritur turistët e parë të këtij sezoni, duke shënuar një nisje më të hershme se vitet e kaluara.

Turistët kanë ardhur nga vende të ndryshme për të shijuar bukuritë natyrore të qytetit dhe gjithashtu të vizitojnë disa prej atraksioneve më të njohura të Shqipërisë.

“Duke filluar nga data një prill, kemi pritur turistët e parë nga Austria, të cilët kanë vendosur të kalojnë pranverën në Shqipëri. Është një grup shumë i madh turistësh, një projekt i cili ka vendosur të vizitojë Shqipërinë në pranverën 2025. Kanë filluar që nga data një prill dhe pritet që deri nga mesi i majit të vijnë 2200 turistë vetëm në hotelin tonë, të cilët vizitojnë dhe pjesë të tjera të Shqipërisë, ku hyn Berati dhe sitet historike të Shqipërisë”, tha Blerim Norja, operator turistik.

Sipas përfaqësuesve të industrisë së turizmit, ky vit mund të ketë një sezon që do të zgjasë deri në nëntor, duke sjellë mundësinë e një turizmi të qëndrueshëm, jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë pjesës tjetër të vitit.

“Duke qenë se kemi filluar herët, pritet që ky sezon të jetë më i gjatë se viti i kaluar, të paktën kemi filluar një muaj e gjysmë më herët dhe pretendojmë që të mbarojmë rreth muajit nëntor, pra një muaj më vonë. Kjo tregon që ky vit do jetë një vit më i gjatë, një sezon më i gjatë, dhe është ajo që ne po kërkojmë, turizmin 12-mujor, që Durrësi të mos jetë i vizituar vetëm në verë, por të jetë i vizituar gjatë gjithë periudhës së vitit, dhe kjo do të ishte diçka e shkëlqyer jo vetëm për qytetin e Durrësit, por edhe për gjithë Shqipërinë, pasi turistët sjellin të ardhura që janë të konsiderueshme për bizneset në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë”, shtoi Norja.

Mikpritja e ngrohtë dhe pasuritë natyrore të Durrësit dhe Shqipërisë, po bëhen një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët ndërkombëtarë. Me një sezon turistik që pritet të zgjasë deri në nëntor, Durrësi ka mundësinë të transformohet në një destinacion të vizituar gjatë gjithë vitit, duke sjellë përfitime për qytetin dhe për ekonominë e Shqipërisë në përgjithësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu