Ballina Kosovë Seanca konstituive, LVV pa emrin e kandidatit për kryeparlamentar

Seanca konstituive, LVV pa emrin e kandidatit për kryeparlamentar

23
0

Edhe dy ditë na ndajnë nga seanca konstituive e Kuvendit, e cila tashmë është caktuar për në orën 10:00 të së martës. Vetëvendosje, së cilës i takon posti i kryeparlamentarit, ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit që pritet të votohet atë ditë.

Katër pika i përmban rendi i ditës i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila shënon legjislaturën e nëntë, qysh prej themelimit të institucionit më 10 dhjetor 2001.

Në seancën e cila është paraparë të fillojë të martën në orën 10:00, fillimisht do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve.

Sipas rregullores së punës së Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë, që në këtë rast janë deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari dhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari.

Në pikën e tretë të rendit të ditës është paraparë të bëhet zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, pozitë kjo e cila i takon partisë që ka numrin më të madh të deputetëve, por që deri tash Vetëvendosje nuk e ka nominuar askënd për të parin e legjislativit të Kosovës.

Si pikë e fundit e rendit të ditës është edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, të cilët së bashku me kryetarin e përbëjnë Kryesinë e Kuvendit.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave dhe do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend.

Në bazë të këtyre rezultateve, ulëse në Kuvend ka fituar edhe Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, Lidhja Demokratike me 20 deputetë si dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 deputetë.

Por, sipas këtyre rezultateve të 9 shkurtit, asnjë subjekt politik nuk i ka marrë votat e nevojshme që të mund ta formojë e vetme qeverinë. Si rezultat i kësaj, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka takuar përfaqësuesit e partive joserbe, ndërsa ftesë për konsultime i çoi edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e refuzoi.

Sipas ish-shefes së grupit parlamentar, Mimoza Kusari Lila, Vetëvendosjes i duhen edhe 2 vota që të arrijë 61-shin, duke përfshirë këtu edhe 3 votat e Nismës për çka tha se Limaj ka shprehur gatishmëri, por që nuk ka marrëveshje të konfirmuar apo të finalizuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu