Ballina Dossier Letër e Enver Hoxhës për Stalinin me koncepte denigruese për Kosovën

Letër e Enver Hoxhës për Stalinin me koncepte denigruese për Kosovën

0
31

Prof. Dr. Kol. Elmas Leci

Pas prishjes me Titon, pra të Stalinit me Titon dhe të Enver Hoxhës po me Titon, Enver Hoxha për “te fituar” Stalinin e tij të ëndërruar, për të fituar besimin e tij aq shumë të dëshiruar,  në vitin 1949 i shkruan atij një letër “ankuese” (siç e ka cilësuar ai “sekrete”), që duke e lexuar e studiuar del që më shumë është një letër denigruese për Kosovën.  Kjo letër,  e cila nuk është shqip por italisht  është gjendur në Arkivin e Federatës Ruse. Për “çudi” në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, nuk gjendet ajo letër, e cila mban datën 2 shtator 1949.

Duhet theksuar që në fillim se ato që shkruan Enver Hoxha për Kosovën në letër, janë akuza që Enver Hoxha asnjëherë nuk ia tha Tito sa e kishte mik, por më së pari janë evidentim i koncepteve denigruese që kishte Enver Hoxha për popullin kosovar e tokën Kosovë. Letra e lartpërmendur për Stalinin përmban akuza ndaj Titos, i cili sipas Enver Hoxhës nuk e paska mbajtur premtimin për kthimin e Kosovës Shqipërisë. Dhe ja se si i “ankohet” Enver Hoxha, Stalinit, duke i futur edhe një shqelm tjetër Titos për t’i a bërë qejfin “ustait të madh”. Pas përshëndetjes përulëse me një servilizëm të pështirë, Enver Hoxha i shkruan Stalinit se “shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Republikën Jugosllave, përbëjnë një minoritet të konsiderueshëm”. Pra që në fillim Enver Hoxha i ve çështjes së Kosovës një pikpyetje të madhe mbi të kaluarën e saj historike. I quan kosovarët minoritarë. Kjo është për të vënë duart në kokë. Nuk di as se ç’popullsi janë kosovarët! Janë autoktonë në trojet e tyre apo minoritarë. Ai i quan minoritarë! “Ky minoritet shqiptar jeton ngjitur kufirit të Republikës Popullore të Shqipërisë. Kongresi i Berlinit dhe Traktati i Vestfalisë kanë shkelur padrejtësisht interesat e Shqipërisë dhe të minoritetit shqiptar në Kosovë”, vijon letra “sekrete” që mban firmën e Enver Hoxhës.

“Sipas statistikave të vjetra të paraluftës, – i shkruan Enver Hoxha Stalinit -figurojnë afro 700.000 shqiptarë”. Këto që jep Enver Hoxha në fakt janë statistika të falsifikuara nga regjimet e kralëve të Serbisë, me qëllim që të provonin se kjo popullsi shqiptare që Enver Hoxha e quan minoritet, të ishte sa më e vogël. Letra e Enver Hoxhës vijon: “Në të gjithë Jugosllavinë: Kosovë, Metohi, Maqedoni e Mal të Zi, numërin e shqiptarëve, regjimet e atëhershme janë përpjekur ta masakrojnë duke e quajtur myslimane ose turke. Shqiptarët e Kosovës, Metohisë etj., e kanë konsideruar kurdoherë dhe vazhdojnë ta konsiderojnë si një padrejtësi të madhe që u është bërë atyre, duke u shkëputur nga Shqipëria, atdheu i tyre. Ata nuk e kanë pranuar këtë zgjidhje dhe nuk pranojnë të rrinë nën Jugosllavinë dhe nën çdo regjim ekzistues në Jugosllavi. Ky është realiteti. Ata kanë të vetmin ideal, bashkimin me Shqipërinë. Gjatë kohës së luftës, fashizmi dhe reaksioni shqiptar u mbështetën në këtë realitet. Këta e ngritën çështjen e Kosovës dhe e “bashkuan”Kosovën e Metohinë me Shqipërinë nën parullën “Shqipëria e madhe”. Me këtë taktikë fashizmi bëri një punë demagogjike të madhe, që pati si rezultat neutralizimin e shqiptarëve të Kosovës, i pengoi këta të hidheshin në luftën kundër fashizmit duke u lënë iluzionin se ëndrra e tyre u realizua dmth “bashkimi me Shqipërinë”, pra nuk kish se përse të luftonin kundër fashizmit. Nën këtë iluzion, se fashizmi “çliroi” shqiptarët e Kosovës nga robëria jugosllave dhe i “bashkoi” me Shqipërinë, Kosova u bë një rezervë e fashizmit dhe e reaksionit. Lufta Nacionalçlirimtare atje nuk u zhvillua. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, ne mendojmë se Partia Komuniste Jugosllave që në atë kohë, në vitet 1941, 1942 e vazhdimisht, ka pasur një vijë politike të gabuar për sa i përket çështjes nacionaliste e maskuar që në atë kohë. Partia Komuniste Jugosllave duhej t’i kishte vënë një rëndësi të veçantë gjatë luftës, çështjes së Kosovës dhe Metohisë, pse ishte një minoritet i konsiderueshëm dhe ngjitur kufirit shqiptar. Ishte një problem i rëndësishëm, që i duhej gjetur një zgjidhje e drejtë marksiste-leniniste-staliniane, në mënyrë që populli shqiptar i Kosovës të mos bëhej rezervë e reaksionit. Qysh në kohën e Luftës, Partia Komuniste jugosllave duhej t’u çelte perspektiva të drejta shqiptarëve të Kosovës, perspektiva që do t’i mobilizonin këta në luftë kundër fashizmit. Çështja kryesore qëndronte që shqiptarët e Kosovës duhej të ishin të sigurt që duke luftuar fashizmin përkrah popujve të Jugosllavisë, do të ishin të lirë të vetëvendosnin për bashkimin me Shqipërinë ose për Bashkimin socialist me Jugosllavinë, ose për të qëndruar autonomë. Këto dy variantet e fundit ne mendojmë se do të ekskludoheshin sepse shqiptarët e Kosovës nuk do të luftonin dhe nuk do të vetëvendosnin përveçse për variantin e parë. Këtë sigurisht e ka pasur të qartë Partia Komuniste Jugosllave, por kjo gjë nuk u leverdiste dhe prandaj ajo ka qenë e errët në deklaratat e saj principiale. Kjo bëri që populli i Kosovës nuk u mobilizua në luftë, pse nuk mund të kishte besim në drejtësinë e “Jugosllavisë” qoftë kjo e përfaqësuar nga Partia Komuniste Jugosllave. Kosovarët nuk e shihnin këtë drejtësi nga Partia Komuniste Jugosllave dhe niveli i ulët i tyre politik, vinte nga prapambetja e masave, demagogjia e fashizmit. Krijimi i “Shqipërisë së madhe” bëri që shqiptarët e Kosovës të mos luftonin kundër fashizmit, bile të luftonin kundër Luftës Nacionalçlirimtare në Jugosllavi.

Shqiptarët e Kosovës, pas masakrave të mëdha të serbomëdhenjve dhe në një gjendje politike të unjët, -vijon letra -nuk mund të kishin besim te “jugosllavët”, të kujtdo qofshin këta. Partia Komuniste Jugosllave e neglizhoi këtë moment dhe kjo nuk ishte e rastit. Organizimi i Luftës Nacionalçlirimtare në Kosovë, nën drejtimin e Partisë Komuniste Jugosllave u bë në këtë frymë nacionaliste. Partia Komuniste Jugosllave nuk krijoi asnjë komitet të veçantë për Kosovë e Metohi, ku udhëheqja të ishte kryesisht shqiptare dhe të organizonte Partinë dhe luftën dhe të specifikohej çështja e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë. Këtë jo vetëm që nuk e ka bërë, por Partia Komuniste Jugosllave është përpjekur që të mos ngrejë në asnjë mënyrë çështjen e Kosovës, të mos ngrejë masat shqiptare të Kosovës në frymë patriotike, të mos i lejonte këta që krahas me flamurin jugosllav, të mbanin edhe flamurin shqiptar. (Shenjë e madhe simbolike për këta, që do të bëhej një mjet mobilizues i tyre). Por Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave i ka shtypur këto aspirata të popullit të Kosovës, i ka luftuar, i ka dënuar.

Pikëpamjet tona  -i thotë Enver Hoxha,-kanë qenë se nuk mund ta ngrinim çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë gjatë kohës së luftës, por shqiptarët e Kosovës duhej të luftonin kundër fashizmit në kuadrin e Jugosllavisë dhe mbas fitores kjo çështje do të zgjidhej nga të dyja partitë komuniste motra dhe nga regjimet demokratike popullore që do të vendoseshin në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Për mobilizimin më të mirë të shqiptarëve të Kosovës në këtë platformë, ne i kemi shfaqur mendimin Vukmanoviç Tempos (atëherë përfaqësues i KQ të PKJ për mobilizimin e luftës në Maqedoni) se duhej të mendohej nga ana e tyre çështja e pjesëmarrjes në numër të madh të elementeve shqiptarë në pushtet, çështja e flamurit, si edhe bashkëpunimi shumë i ngushtë i çetave shqiptare të Kosovës në Luftën Nacionalçlirimtare të vendit tonë, duke qenë këto çeta kosovare kurdoherë të lidhura dhe të drejtuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇl Jugosllave.

Kemi kërkuar gjithashtu zyrtarisht që një njësit partizan shqiptar të kalonte në territorin e Kosovës për të mobilizuar popullin shqiptar atje në luftë të armatosur kundër fashizmit. Theksojmë se në këtë moment s’ka pasur asnjë organizim të Partisë dhe të luftës në Kosovë dhe Metohi. Milutin Milutinoviç, anëtar i Komitetit Central të PKJ, i cili në atë kohë organizonte luftën në Mal të Zi, i është përgjigjur kërkesës sonë kështu:”S’është nevoja të dërgoni ju njerëzit tuaj në Kosovë. Ne do të organizojmë një Divizion, i cili do të rregullojë punët në Kosovë”. U vërtetua më vonë se Divizioni i dërguar prej jugosllavëve në Kosovë e Metohi, ishte një divizion punitiv që mbolli terror. Për këto opinione të shfaqura nga Miladin Popoviçi dhe prej meje, Titoja në një letër që i drejtonte Miladin Popoviçit e akuzonte këtë për devijim nacionalist dhe e godiste rëndë. Pra, shqiptarët e Kosovës nuk e kanë pranuar në asnjë moment zgjidhjen, që i kishte dhënë PKJ si në kohën e luftës, ashtu edhe në atë të pasluftës. Krijimi i krahinës autonome të Kosovës e Metohisë, që nuk është tjetër përvese një demagogji, nuk ka bindur asnjë shqiptar të Kosovës dhe idealet e tyre s’po realizoheshin, dmth dëshira e bashkimit të tyre me Shqipërinë.

Pas persekutimeve dhe masakrave të kohës së kral Aleksandrit, -i ankohet Stalinit,-shqiptarët e Kosovës njohën edhe masakrat e momenteve të para të çlirimit të Jugosllavisë. Këto masakra u bënë prej njësiteve të Ushtrisë NÇl të Jugosllavisë. Dhe në këtë rast edhe pse u krijua njëfarë besimi karshi Partisë Komuniste Jugosllave gjatë luftës, me këto reprezalje të pajustifikueshme, ato tregojnë pikëpamjet shoviniste të udhëheqjes së PKJ dhe qysh në atë kohë populli shqiptar i Kosovës humbi çdo besim. Për ta serbomëdhenjtë dhe udhëheqja e PKJ ishin njësoj. Kundër këtyre reprezaljeve shqiptarët e Kosovës reaguan dhe dolën në mal. PKJ i shtypi në gjak duke i cilësuar si kryengritje të reaksionit. Në asnjë moment PKJ nuk e studioi situatën specifike të Kosovës e Metohisë, por veproi brutalisht dhe Kosova e Metohia do të bëheshin një qendër lufte në gjirin e RPJ të porsalindur, në rast se vajta e reparteve të Ushtrisë Partizane Shqiptare në Kosovë nuk do të bëhej. Vajtja e Ushtrisë Shqiptare në Kosovë i qetësoi punët, i ftohu gjakrat, krijoi besimin te shqiptarët e Kosovës se çështjet do të rregulloheshin dhe u krijua bindja se ushtria jonë do t’i mbronte kosovarët sikundër që i mbrojti. Repartet tona penguan persekutimet e shqiptarëve të Kosovës nga ana e jugosllavëve. Pra, PKJ që nga fillimi dhe deri në çlirim, la pas pozita shoviniste-nacionaliste karshi Kosovës.

Nën pushtetin popullor të Jugosllavisë, çështja e Kosovës dhe e Metohisë, -vijon ankimin, -përsëri nuk pati një zgjidhje të drejtë. Zgjidhja vazhdoi në rrugën nacionaliste. Për demagogji, u hapën disa shkolla shqiptare. Në pushtet u zgjodhën disa shqiptarë, por këto masa as gënjyen dhe as kënaqën njeri në Kosovë e Metohi. Të drejtat demokratike dhe nacionaliste të minoritetit shqiptar të Kosovës merreshin nëpër këmbë. Asnjë lidhje me Shqipërinë, madje PKJ i pengonte me insistim dhe me dinakëri. Ne kemi menduar se çështjen e Kosovës nuk mundej ta vinim në diskutim gjatë Luftës NÇL dhe se vija e Partisë sonë, sikundër që e përcaktuam më lart, ishte e drejtë. Jugosllavia në Luftën NÇL ishte aleatja e popullit tonë dhe nuk mundej të binim në pozitat e reaksionit shqiptar. Partia jonë ka mbajtur qëndrim për Kosovën dhe ka dalë me sukses kundër demagogjisë fashiste, ka shpallur deklarata të përbashkëta me PKJ e shqiptarëve të Kosovës, ku i thërriste këta në luftë kundër armikut të përbashkët.

Në pragun e çlirimit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë përsëri ne kemi menduar -i justifikohet Stalinit, -se nuk mundej ta shtronim çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pse ishim përpara detyrave të forcimit e konsolidimit të pushteteve tona demokratike popullore. Ne kemi menduar se te Jugosllavia Demokratike Popullore dhe te Partia Komuniste e Jugosllavisë, kishim një aleate besnike dhe të fortë dhe në interesin e kampit të socializmit dhe veçanërisht në interesin e Shqipërisë, duhej të evitonim situata të vështira që mund të krijoheshin në Jugosllavi meqenëse edhe atje ishte duke u mëkëmbur e duke u forcuar regjimi demokratik popullor. Por rektifikimi i kufijve tona nën drejtimin e bashkimit të Kosovës e Metohisë me Shqipërinë, në çdo moment është forcimi i Republikës Popullore të Shqipërisë. Nga ana tjetër, në kohët e para të çlirimit, Demokracia Popullore e Shqipërisë së vogël ishte një shenjë më e lehtë për goditje nga ana e imperializmit dhe në rast sulmi të Shqipërisë nga imperializmi, formonte një humbje më të madhe për çështjen e përbashkët. Kosova ishte më pak në rrezik duke qëndruar në kohët e para e bashkuar me Jugosllavinë. Por situatat u zhvilluan, pozitat e republikës Popullore të Jugosllavisë u forcuan në lëmin ndërkombëtar dhe të brendshëm. U nënshkruan traktatet në mes të BRSS dhe Jugosllavisë e Demokracive të tjera Popullore.

Pozitat ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ato të brendshme gjithashtu u forcuan dhe nënshkrimi i Traktatit në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, -i thotë pa pikë turpi, -se ishte një konsolidim i shëndoshë i pozitave ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e mbronte këtë nga kërcënimet eventuale të imperializmit. Kështu që në kohën e nënshkrimit të Traktatit me Jugosllavinë, ne kemi menduar se ishte momenti që çështja e Kosovës e Metohisë duhej të shtrohej dhe në këtë moment kjo çështje iu shtrua Titos prej meje. Tito m’u përgjigj se “Kosova është shqiptare dhe kjo duhet të bashkohet me Shqipërinë. Me gjithë shpirt e dëshirojmë këtë, por nuk mundet ta bëjmë dot tani se reaksioni serbomadh është akoma i fortë dhe një akt i tillë i drejtë do të na dëmtojë”. Këto të gjitha u vërtetuan se ishin demagogji.

Në situatat e tanishme pas zbulimit të tradhtisë së grupit Tito, ne mendojmë -këtu del se i jep mend Stalinit, -se duhet të shtrohet çështja e Kosovës. Titoja me shokët e tij janë agjentë të imperializmit dhe e lidhën Jugosllavinë me qerren e imperializmit. Ata po e shndërrojnë Jugosllavinë në një burg popujsh ku mbretëron terrori fashist hitlerian. Vihet re çështje urgjente, çlirimi i popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste dhe nga kthetrat e imperializmit dhe njëkohësisht del çështja e çlirimit të popullit shqiptar të Kosovës. Çlirimi i popujve të Jugosllavisë ne mendojnë se do të bëhet me luftë dhe me gjak, rrugë tjetër nuk ka. Duhet të rrëzohet dhe të asgjësohet klika. Nën drejtimin e proletariatit jugosllav dhe të udhëhequr nga një Parti e Re Komuniste me baza marksiste-leniniste-staliniane, internacionaliste, të zhvillohet lufta për çlirimin nacional të Jugosllavisë. Në kondita të reja, ne mendojmë se jemi po atje ku ishim në fillim të Luftës NÇL kundër fashizmit. Në Jugosllavi duhet të zhvillohet një luftë e ashpër deri në kryengritjen e armatosur kundër fashistëve imperialistë dhe veglave të tyre të brendshme me agjentin Tito në krye. Ne mendojmë se nga lufta e ashpër kundër klikës së imperialistëve do të dalë udhëheqja e Partisë së Re Komuniste, internacionaliste jugosllave, e cila do të mobilizojë dhe do të udhëheqë popujt e Jugosllavisë në luftë me parime të drejta marksiste-leniniste-staliniane duke luftuar njëkohësisht në mënyrë të ashpër të gjitha tendencat nacionaliste, që kanë ekzistuar dhe që është rrezik të ekzistojnë edhe më vonë gjatë zhvillimit të luftës. Veçanërisht problemi nacional duhet të jetë një problem që kërkon një zgjidhje të shëndoshë, pse andej varet fakti dhe zhvillimi i madh i luftës.

Çfarë do të bëjë populli i Kosovës tani? – e pyet Stalinin. Dhe pas pyetjes, përsëri reflektohet shitmendja se, ne mendojmë se populli shqiptar i Kosovës, Metohisë dhe Malit të Zi duhet të luftojë që të çlirohet ashtu siç do të bëjnë edhe popujt e tjerë të Jugosllavisë. Gjëja e parë që ai duhet të bëjë, është të futet në luftë të ashpër pa kompromis kundër klikës së Titos në kryengritjen e armatosur. Luftën ai duhet ta fillojë sa më parë. Në qoftë se e fillojnë të tjerët ca më mirë, sepse kështu evitohet izolimi dhe shtypja e Lëvizjes në Kosovë. Populli i Kosovës duhet ta konsiderojë luftën e tij të lidhur ngushtë me luftën e gjithë popujve të Jugosllavisë në kuadrin jugosllav, se ndryshe izolohet dhe shtypet. Duhet që populli shqiptar i Kosovës të kuptojë se çlirimi i tij dhe fitimi i të drejtave demokratike dhe nacionale, munden të arrihen me bashkimin e luftës së tij me luftën e popujve të tjerë të Jugosllavisë. Por çështja është se gabimet e PKJ nuk duhet të përsëriten në lidhje me Kosovën e Metohinë. Kosova dhe Metohia duhet të kenë udhëheqjen e tyre të dalë nga lufta me një Komitet Nacionalçlirimtar, i cili do të përcaktojë vijën e luftës në bazë të rezolutës së Byrosë Informative dhe në parimet marksiste-leniniste-staliniane. Në luftë të krijohet, të organizohet dhe të forcohet pjesa e partisë Komuniste Internacionaliste për Kosovë e Metohi, brenda kuadrit të Partisë Komuniste Internacionaliste Jugosllave. Shqiptarët e Kosovës dhe të Metohisë, të luftojnë me flamurin shqiptar. Njësitet të udhëhiqen nga shqiptarë të dalë nga lufta dhe parimi i vetëvendosjes pas çlirimit të jetë i qartë dhe si konsekuencë e luftës së ashpër që populli shqiptar i Kosovës do të bëjë kundër klikës së Titos dhe imperializmit, në vëllazërim me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Ndjenjat patriotike e internacionaliste dhe dashuria për atdheun e tyre, Shqipërinë, duhet të zhvillohen në shqiptarët e Kosovës e Metohisë. Përmbi çdo gjë te shqiptarët e Kosovës e të Metohisë duhet të krijohet me baza të shëndosha besimi dhe dashuria e pakufishme për BRSS, për Partinë Bolshevike, për Stalinin dhe kosovarët ta kuptojnë mirë se pa këta nuk ka Shqipëri të lirë, as Jugosllavi të lirë, as Kosovë të lirë dhe as që mundet të përmbushen kurrë aspiratat e tyre. Shqiptarët e Kosovës të kuptojnë mirë se armiku i pamëshirshëm i tyre dhe i vetë Kampit është imperializmi amerikan, satelitët e tij dhe klika e Titos, e cila nuk është gjë tjetër, përveçse agjentura e tij.

Ne mendojmë se në rast se populli shqiptar i Kosovës -shkruhet në letër, -nuk i ka të qarta këto drejtime, ai nuk mundet të luftojë pse ka humbur çdo besim në një udhëheqje të tillë jugosllave. Në rast se komunistët internacionalistë jugosllavë nuk do ta shohin në këtë drejtim çështjen nacionale të Kosovës, populli shqiptar i Kosovës nuk do të ketë besim për ta. Kyçi i zhvillimit me sukses të luftës në Kosovë e Metohi është bashkimi i tyre me Shqipërinë. Asnjë zgjidhje tjetër populli shqiptar i Kosovës nuk pranon dhe e quan të padrejtë dhe në realitet ne mendojmë se është i padrejtë. Ne mendojmë se Kosova, Metohia dhe një pjesë e Maqedonisë kufitare me Shqipërinë që banohet nga shqiptarë, duhet t’i bashkohet Shqipërisë pasi Jugosllavia të jetë çliruar nga kthetrat e Titos dhe imperializmit. Vetëm një rrugë e tillë do t’i bëjë shqiptarët, që jetojnë në Jugosllavi, të luftojnë me heroizëm kundër Titos dhe imperializmit. Ne mendojmë se kjo është pozitive dhe në rrugën marksiste-leniniste. Kjo do të shkaktojë forcimin e luftës kundër Titos në sektorin e Kosovës e Maqedonisë dhe bashkimi i këtyre tokave me Republikën Popullore të Shqipërisë, ne mendojmë se është në rrugën marksiste-leniniste. Kjo forcon pozitat ndërkombëtare dhe të brendshme të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe kjo është në interesin e madh të forcimit të kampit të socializmit.

Republika Popullore e Shqipërisë do të ndihmojë me të gjitha forcat -i zotohet Enver Hoxha Stalinit, -që lufta kundër klikës në Jugosllavi të zhvillohet dhe të ashpërsohet deri në fitoren e plotë. Ne mendojmë se në qëndrime zyrtare Shqipëria duhet të jetë e rezervuar për sa i përket çështjes së Kosovës e Metohisë pse kjo përdoret nga klika si një armë për të mobilizuar edhe më shumë shovinistët serbomëdhenj dhe do ta akuzojë Shqipërinë si shoviniste etj. Por Shqipëria do të ndihmojë nga të gjitha anët popujt e Jugosllavisë dhe popullin shqiptar të Kosovës dhe ky i fundit të veprojë me iniciativën e vet brenda kuadrit që përmendëm më lart.

Çështja që ne parashtrojmë për Kosovën e Metohinë -e përfundon letrën e tij italisht Enver Hoxha (italisht s’ka ditur) -bëhet aktuale në lidhje me ndihmën që i jep Partia jonë shokëve jugosllavë anti-Tito dhe popullit të Kosovës e Metohisë, që dëshiron dhe është i gatshëm të luftojë me të gjitha mjetet tradhtarët e Beligradit, por që kosovarët në çdo moment na vënë përpara pyetjen: Si do të zgjidhet problemi nacional i Kosovës e Metohisë. Ne mendojmë se kjo çështje është shumë e rëndësishme. Mundet që edhe të gabojmë në shqyrtimin e saj prandaj ne nuk do të bëjmë ndonjë hap pa këshillimin e shokut Stalin dhe prandaj po i parashtrojmë këto pikëpamje tona dhe në rast se gabojmë, të na vihet përnjëherësh në dukje për t’i korrigjuar”.

Kaq ishte letra, kjo është letra  e stërzgjatë “sekrete” dërguar Stalinit për Kosovën, kopje siç thamë që nuk gjendet as në ish Arkivin e KQ të PPSH as në AQSH, veçse në italisht një letër e tillë është gjendur në Arkivin e Federatës Ruse. Në fund ajo, letra mbyllet: Për Komitetin Qendror, Enver Hoxha dhe është firma e tij.

Me demagogjinë më të madhe, me këtë letër për Stalinin, jo pa qëllim “të vonuar e shfajësuese”, Enver Hoxha jo vetëm nuk e ka qëllimin te mbrojtja e çlirimi i Kosovës dhe i kosovarëve, por shtrembëron edhe faktet historike, pasi asgjësohet mbrojtja, me pyetjen se ku ishte ai në kohën e “dashurisë së zjarrtë” me Titon ?! E vërteta është se vetë Enver Hoxha ishte në epiqendër të “dashurisë” për Titon e Jugosllavinë dhe se ai me dashje, manipulon e shtrembëron faktet dhe ngjarjet historike. Letra është e mbushur me plot të tilla shtrembërime historike, të bëra me qëllim nga Enver Hoxha dhe mbi të gjitha evidentohet ajo, që ai popullin shqiptar të Kosovës e quan jo një herë por disa herë  “minoriteti” kosovar.

Për këtët duhet thënë se: Së pari, shqiptarët e Kosovës, Enver Hoxha, përmes kësaj letre ja prezanton Stalinit si popull pa atdhe, si minoritet. Por nga Fjalori Enciklopedik, minoritet është ajo pakicë kombëtare e një populli që jeton në territorin dhe vendin e një kombi tjetër. Kjo, e bërë nga Enver Hoxha, duke e quajtur popullin kosovar minoritet, është skandaloze, është kriminale! Sipas Enver Hoxhës, del se toka shqiptare e Kosovës, meqë del sipas Enver Hoxhës (në këtë letër), se nuk qenka shqiptare, por është serbe, dhe gjithnjë sipas tij (po në këtë letër) “shqiptarët atje janë minoritarë”.

Së dyti, kosovarët gjithnjë sipas tij e kësaj letre prezantuese te Stalini, “nuk kanë luftuar” dhe se “ato, kosovarët kanë përkrahur pushtuesin, fashizmin e nazizmin”. Edhe kjo është skandaloze, por që tërthorazi miraton masakrat që bënë partizanët e tij ndaj popullit etnik kosovar dhe me masakrat e tyre sollën vendosjen e pushtetit ushtarak jugosllav në Kosovë.

Së treti, Enver Hoxha akuzon “shumë me vonesë” jugosllavët, se ato e paskan fajin që nuk e ngritën popullin kosovarë në Luftën Nacional Çlirimtare. Po Partia Komuniste Shqiptare dhe Enver Hoxha në cilat dokumenta apo platformë e ngriti apo e bëri udhëheqjen e Luftës Antifashiste në Kosovë?!

Së katërti, Enver Hoxha pranon jo pa qëllim veprimet anti Kosovë të tij ose “shitjen” e Kosovës nga ai që gjatë Luftës së Dytë Botërore, që më 8 nëntorin e vitit 1941(në themelimin e PKSH), e në vijim, me 16 shtatorin e vitit 1942 (në Konferencën e Pezës), me 3 gushtin e vitit 1943 (në Mbledhjen e Mukjes) apo me 2 janarin e vitit 1944 (në Konferencën e Bujanit), ku për të gjitha përpiqet të “shfajësohet vetë” se “…nuk mund ta ngrinim çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë gjatë kohës së Luftës…”, se nuk i linte Tito, por këtë heziton ta thotë.

Së pesti, Enver Hoxha i akuzon malazezët se dërguan forca për të shtypur popullin e Kosovës dhe anashkalon Divizionet e tij, që masakruan masivisht me muaj të tërë vëllezërit e një gjuhe e të një gjaku kosovarët, për “hatërin e Titos” e për sigurimin e pushtetit personal të Titos e të vetes.

Së gjashti, fryma dhe cilësimi nga Enver Hoxha se kosovarët janë minoritet, përfshin gjithë letrën e gjatë për Stalinin, çka tregon bindjen e plotë të Enver Hoxhës për popullin kosovar dhe nxjerr në pah vlerën e vërtetë të inteligjencës së tij, injorancën historike e kulturore të Enver Hoxhës.

Së shtati, menjëherë sa hap e mbyll sytë, regjimi i Titos sipas kësaj letre të Enver Hoxhës, u kthye nga “i mirë” për popujt e Jugosllavisë përfshi edhe shqiptarët e Kosovës, në “i keq”, ku në Jugosllavi sipas Enver Hoxhës “mbretëron terrori fashist hitlerian”. Demagogji klasike kjo e Enver Hoxhës! Nuk mund të ndodhë kështu, që një ditë më parë të jeshë regjim “bolshevik e popullor” dhe të nesërmen të kthehesh në regjim “fashist e hilerian”! Se nëse pranojmë këtë rokadë alla enveriste, atëherë edhe vetë regjimi i Enver Hoxhës u instalua gradualisht në regjim hitlerian (në fakt ashtu ishte).Jo vetëm kaq por kjo “mençuri” e Enver Hoxhës kërkon ta mësojë edhe Stalinin se “çlirimi i popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste (nga banda e Titos) dhe nga kthetrat e imperializmit”, është emergjente”!

Së teti, në “mendësitë” që përpiqet t’i japë Stalinit, për çështjen e Kosovës, Enver Hoxha e “këshillon” që “në luftë të krijohet, të organizohet dhe të forcohet pjesa e partisë komuniste internacionaliste për Kosovë e Metohi (Metohi koncepti serb ) brenda kuadrit të partisë komuniste internacionaliste jugosllave”.

Së nënti, Enver Hoxha, në këtë letër, është edhe kontradiktorë me vetveten e tij sa s’ka më. Pasi tjerr gjatë se “lufta e popullit kosovar kundër Titos, duhet bërë në kuadrin e Jugosllavisë”, në vijim po vetë thotë se “kyçi i luftës së tyre është bashkimi me Shqipërinë”!

Në realitet duhet pranuar se Enver Hoxha diti të përfitojë me zgjuarsi nga përplasja mes Josif Broz Titos dhe Josif  Visarionaviç Stalinit. Në librat “Faktori Sovjetik në Evropën Lindore 1944-1953” dhe “Evropa Lindore në dokumentet e arkivave ruse 1944-1953”, janë botuar shumë dokumente të panjohura deri atëherë, të nxjerra nga arkivat e ish-perandorisë komuniste sovjetike. Në stenogramin e bisedës së 23 marsit të vitit 1949 në Moskë, të Stalinit me Enver Hoxhën, Stalini vë në dukje se “të gjitha fjalët që qarkullojnë për ndarjen e Shqipërisë janë sajuar me qëllim që të trembin shqiptarët. Sikurse dihet, pavarësia e Shqipërisë është e sigurt nga deklarata e tre shteteve: Amerikës, Anglisë dhe BRSS-së. Sigurisht, deklaratën mund ta shkelin, por kjo nuk është kaq e lehtë. Për sa u përket grekëve të Caldarisit, ata mezi po mbahen në këmbë dhe jo më të flasin seriozisht për ndarjen e Shqipërisë… Nëse shqiptarët do të mbajnë qëndrime korrekte, nuk do t’i shajnë shumë imperialistët, nuk do t’i provokojnë, por do të sillen sa më me modesti, Shqipërinë nuk do ta prekë askush. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’i takojë Italisë, përderisa kjo gjë do të sillte forcimin e Italisë; nuk duan që ajo t’i takojë as Greqisë, përderisa kjo gjë do të sillte forcimin e Greqisë; nuk duan që Shqipëria t’i takojë as Jugosllavisë. Për më tepër, Amerika nuk do që Shqipëria t’i takojë Anglisë. Për këtë arsye ato janë pro pavarësisë së Shqipërisë”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu