Në Kuvendin e Serbisë sot është duke u mbajtur seancë, në të cilën do të zgjidhen anëtarët e Qeverisë së re serbe.
Në propozimin për përbërjen e kabinetit janë 30 ministra, prej të cilëve 10 janë emra të rinj.
Mandatari për përbërjen e Qeverisë së re të Serbisë, Gjuro Macut, në ekspozenë që paraqiti para deputetëve serbë, tha se institucionet duhet të funksionojnë me kapacitet të plotë dhe se kjo është detyra themelore e Qeverisë së re.
“Serbia është e lodhur nga ndarjet dhe bllokadat. Askush nuk ka e as nuk guxon të ketë më shumë të drejta se tjetri, dhe kjo është e vetmja masë e vlerës”, tha Macut.
Ai tha se protestat dhe pakënaqësitë janë “shprehje natyrore e ndarjeve të rinisë, por jo edhe bllokadat dhe mohimi i të drejtave të të tjerëve për të punuar, për t’u shkolluar dhe për të jetuar normalisht”.
Ai shtoi se prioriteti i tij i parë është funksionimi i shkollave dhe fakulteteve.
“Kur ia mohon dikujt të drejtat, siç janë e drejta për lëvizje dhe arsimim, atëherë bëhesh uzurpator i lirive të të tjerëve. Detyra ime është që të gjitha pakënaqësitë t’i diskutojmë në të gjitha forumet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj dhe ta mbështesim rininë tonë në përpjekjet e tyre, por gjithmonë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, dhe në një mënyrë që askush të mos ketë më shumë të drejta se të tjerët”, tha Macut.
Macut tha se kërkesa e tij si mandatar do të jetë që ministrat “të jenë më shumë pranë popullit dhe me popullin”.
“Qeveria duhet të fitojë lëvizshmëri dhe efikasitet në shërbim të popullit”, tha Macut.
Macut më 14 prill i ka dorëzuar Kuvendit propozimin për përbërjen e Qeverisë së Serbisë, së bashku me biografitë e anëtarëve të propozuar.Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 6 prill ia ka besuar mandatin për formimin e Qeverisë së re endokrinologut dhe profesorit të Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Macut. Vuçiq më parë ka zhvilluar konsultime me partitë parlamentare për mandatarin e Qeverisë së re, në të cilat nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare.
Opozita ka propozuar formimin e një qeverie tranzitore, gjë që është refuzuar nga koalicioni qeverisës në Serbi.
Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Vuçeviq dha dorëheqje pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe që po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad.
Rënia e Qeverisë së Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviq, ndodhi në kulmin e protestave kundër pushtetit, të udhëhequra nga studentët që nga fundi i nëntorit 2024 po bllokojnë dhjetëra fakultete në gjithë Serbinë.
Në qendër të kërkesave të tyre, të adresuara ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar./rel