Ballina Europë Kush është kardinali Kevin Farrell, që mori drejtimin e Vatikanit pas ndarjes...

Kush është kardinali Kevin Farrell, që mori drejtimin e Vatikanit pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut?

15
0

Pas vdekjes së Papa Françeskut, një figurë më pak e njohur në opinionin publik ndërkombëtar, por me përvojë të gjatë në hierarkinë e Kishës Katolike, ka marrë drejtimin e përkohshëm të Vatikanit. Bëhet fjalë për kardinalin irlandezo-amerikan Kevin Farrell, i cili mbart titullin “camerlengo” – një detyrë me rëndësi kyçe në administrimin e Selisë së Shenjtë gjatë periudhës së zbrazëtisë apostolike, deri në zgjedhjen e Papës së ri.

I kthyer në shtëpinë e Atit”, ishte mënyra me të cilën Farrell e dha lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, një frazë që shënoi edhe fillimin e rolit të tij si drejtues i përkohshëm i Vatikanit, ka transmetuar BBC.

Kevin Farrell është emëruar në këtë pozitë nga vetë Papa Françesku në vitin 2019. Gjatë kësaj periudhe të ndjeshme, ai do të udhëheqë përgatitjet për funeralin e Papës dhe do të mbikëqyrë punën për thirrjen e konklavit që do të zgjedhë pasardhësin.

I lindur në Dublin në vitin 1947, Farrell ka një karrierë të pasur akademike dhe kishtare. Ka studiuar në Universitetin e Salamankës dhe më pas në Universitetin Papnor Gregorian në Romë. Karriera e tij përfshin shërbime në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, ku ka qenë aktiv për më shumë se tri dekada.

Në vitin 2007 u emërua peshkop i Dallasit, ndërsa në vitin 2016 Papa Françesku i besoi drejtimin e departamentit të ri për çështjet e familjes në Vatikan, duke e ngritur më vonë në gradën e kardinalit.

Në vitin 2023, Farrell u emërua president i Gjykatës së Lartë të Shtetit të Vatikanit, si dhe kryetar i Komisionit për Çështje Konfidenciale – një tjetër dëshmi për rolin e tij gjithnjë e më të rëndësishëm në qeverisjen e Selisë së Shenjtë.