Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” shpreh kundërshtimin ndaj Projektit të Zhvillimit të Plazhit në Ulqin nga Kompania “Eagle Hills”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” thotë se “kompania “Eagle Hills Montenegro” është regjistruar në Mal të Zi në muajin mars të këtij viti me një kapital simbolik prej vetëm një euro, çka ngre dyshime serioze për aftësitë dhe qëllimet e saj afatgjata në rajon.
“Sipas raportimeve të fundit, “Eagle Hills” ka fituar të drejtën për të menaxhuar nëntë nga 19 plazhet në Plazhin e Madh – Velika Plaža në Ulqin deri në vitin 2028, pas një procesi tenderimi që ka shkaktuar polemika të mëdha dhe shqetësime si në komunitetin lokal, ashtu edhe në institucionet përkatëse.
Me të drejtë, ky projekt i rrezikshëm është denoncuar nga disa parti politike, si edhe nga Presidenti Jakov Milatović. Ai është përballur me kundërshtim serioz nga shoqëria civile, organizatat mjedisore dhe disa institucione, të cilat kanë theksuar shkeljen e ligjeve ekzistuese për të mundësuar një projekt zhvillimi të kësaj përmase”, thuhet në postimin e “Vatrës” e cila i bën thirrje autoriteteve malazeze që të rishikojnë këtë marrëveshje dhe të marrin parasysh shqetësimet e komunitetit lokal dhe të sigurojnë që çdo projekt zhvillimi të jetë në përputhje me interesat kombëtare dhe ato të komunitetit.
Reagimi i plotë
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj procesit të tenderimit dhe marrëveshjes për zhvillimin e plazheve në Ulqin nga kompania private “Eagle Hills”, e cila mbështetet nga kapital nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas raportimeve të fundit, “Eagle Hills” ka fituar të drejtën për të menaxhuar nëntë nga 19 plazhet në Plazhin e Madh – Velika Plaža në Ulqin deri në vitin 2028, pas një procesi tenderimi që ka shkaktuar polemika të mëdha dhe shqetësime si në komunitetin lokal, ashtu edhe në institucionet përkatëse.
Kryetari i Komunës së Ulqinit e ka kritikuar ashpër mënyrën se si është zhvilluar ky proces, duke e përshkruar atë si një “skenar të parapërgatitur” që është realizuar pa transparencë dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Ulqinit.
Për më tepër, është raportuar se kompania “Eagle Hills Montenegro” është regjistruar në Mal të Zi në muajin mars të këtij viti me një kapital simbolik prej vetëm një euro, çka ngre dyshime serioze për aftësitë dhe qëllimet e saj afatgjata në rajon.
Me të drejtë, ky projekt i rrezikshëm është denoncuar nga disa parti politike, si edhe nga Presidenti Jakov Milatović. Ai është përballur me kundërshtim serioz nga shoqëria civile, organizatat mjedisore dhe disa institucione, të cilat kanë theksuar shkeljen e ligjeve ekzistuese për të mundësuar një projekt zhvillimi të kësaj përmase.
Sipas qeverisë, marrëveshja pritet të sjellë investime në vlerë rreth 30 miliardë euro, por autoritetet nuk kanë dhënë asnjë informacion lidhur me bazën mbi të cilën janë bërë këto parashikime.
“VATRA” thekson rëndësinë e ruajtjes së integritetit të proceseve të tenderimit dhe zhvillimit ekonomik, përmes respektimit të ligjeve vendore dhe sigurimit të transparencës së plotë në çdo hap.
Ne i bëjmë thirrje autoriteteve malazeze që të rishikojnë këtë marrëveshje, të marrin parasysh shqetësimet e komunitetit lokal dhe të sigurojnë që çdo projekt zhvillimi të jetë në përputhje me interesat kombëtare dhe ato të komunitetit.
Dr. Elmi Berisha
President
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”