Ballina Sport Igli Tare e “piketon” në rast zyrtarizimi te Milani, futbollisti i Kombëtares...

Igli Tare e “piketon” në rast zyrtarizimi te Milani, futbollisti i Kombëtares mund të vishet kuqezi

27
0

Igli Tare e ka dëshmuar që futbollistët shqiptarë kanë qenë pjesë të projektit të tij, Vedat Muriqi i fundit, Elseid Hysaj në vitin 2021 apo Strakosha më herët kur ishte drejtor i Lacios.

Ndërsa është në negociata të avancuara me administratorin e përgjithshëm të Milanit, ai ka piketuar disa lojtarë, të cilët mund t’i bashkohen klubit italian, si dëshirë e tij apo edhe një strategji për ndërtimin e një skuadre simpatike për sezonin e ri në kampionatin italian.

Piktohet Ismajli

Edhe pse nuk ka ende asgjë zyrtare për afrimin e Iglit te Milani, “Panorama Sport” mëson se një nga futbollistët shqiptarë, i cili mund të jetë nga lëvizjet e para të tij me kuqezinjtë, është edhe Ardian Ismajli. Mbrojtësi i Kombëtares është një opsion shumë i mirë për një kalim të tillë dhe madje janë disa arsye pse ai është i favorizuar për të shkuar te Milani, gjithmonë nëse Tare zyrtarizohet.

Igli do ta sugjeronte me kënaqësi sepse Ismajli ka zhvilluar një sezon të mirë me Empolin dhe në ndeshje të caktuara kundër ekipeve të forta ka dalluar me paraqitjen e tij, duke treguar se është në nivelin e duhur. E dyta, Ismajli del lojtar i lirë në fund të këtij sezoni sepse i përfundon kontrata me Empolin dhe përderisa një rinovim nuk ka ardhur deri tani, mbrojtësi do të dalë i lirë në treg dhe nuk do të kishte asnjë shpenzim për Milanin që do ta përfitonte falas, përveç pagës së tij vjetore, e cila me një rritje të llogaritur mirë, nuk rëndon arkat e klubit.

Një plus tjetër që 28-vjeçari ka, është edhe njohja e Serisë A. Ismajli nuk është një i huaj që sapo ka zbarkuar në Itali dhe nuk dihet nëse do të përshtatet, por ai luan sezonin e pestë në Serinë A dhe ka fituar një lloj eksperience dhe i njeh të gjitha fushat. Tare shquhet për nuhatjen e tij dhe ndërtimin e një skuadre pa shumë shpenzime që mund të synojë trofe dhe duke parë problemet e Milanit në mbrojtje, Ismajli do të bënte shumë punë dhe padyshim që do të ishte një alternativë cilësore në mbrojtje. Shumë shpejt pritet të marrë drejtim edhe çështja e Tares te Milani dhe për Ismajlin do të ketë të reja.