Pas vetëm një viti testimi, formati i Ligës së re të Kampionëve mund të pësojë disa ndryshime të rëndësishme. Sipas SportBild, UEFA në fakt po studion disa risi që Komiteti i Garave të Klubeve do t’i diskutojë më 30 maj, në prag të finales në Mynih, dhe më pas do t’ia prezantojë Komitetit Ekzekutiv. Në mënyrë të detajuar, raportohet se po zhvillohen disa konsiderata për heqjen e kohës shtesë në fazën eliminatore, për rikthimin e ndalimit të derbit para çerekfinales dhe për mundësinë e shpërblimit të skuadrave që përfundojnë në mesin e tetë më të mirëve në “Fazën e Kampionit”, duke u dhënë atyre mundësinë për të luajtur ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve në shtëpi dhe gjysmëfinale. Por le të shohim në detaje, sipas asaj që shkruan e përditshmja gjermane “Sportbild”, se cilat do të ishin ndryshimet në rregulloren që studiohet.
Gjuajtja e penalltive në vend të kohës shtesë – Në rast barazimi, koha shtesë prej 30 minutash në fazën e eliminimit mund të anulohet dhe fituesi mund të përcaktohet drejtpërdrejt nga gjuajtja e penalltive. Qëllimi është që disi të zvogëlohet ngarkesa e lojtarëve, duke mbajtur në konsideratë ankesat e shumta të lojtarëve sezonet e fundit lidhur me mbingarkesën.
Ndeshjet e kthimit në shtëpi në fazën eliminatore – Uefa dëshiron të shpërblejë tetë klubet më të mira në fazën e Ligës duke u dhënë atyre mundësinë për të luajtur ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve dhe gjysmëfinaleve në shtëpi kundër skuadrave të renditjes më të ulët. Për momentin ky mekanizëm është i vlefshëm vetëm për raundin e 16-tave.
Ndalohen ndeshjet e derbit deri në çerekfinale – UEFA raportohet se po shqyrton ndalimin e derbit mes skuadrave nga i njëjti vend deri në çerekfinale, një poltikë e njohur kjo, pasi ka qenë e zbatuar në të kaluarën. Për momentin janë vetëm zëra, por e sigurtë është se ndryshimet e aplikuara një vit më parë në Champions League me shumë gjasa nuk do të jenë të vetmet.