SPAK kishte dërguar në GJKKO çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Andri Mehja dhe Gentian Bako, të akuzuar për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Rudina Palloj, me vendimin Nr. 32, datë 25.04.2025 vendosi:
1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Andri Mehja, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
2.Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.
3.Në aplikim të neneve 30/1, 35, të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Andri Mehja, për të ushtruar funksione publike, për 5 (pesë) vjet.
4.Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të vendimit me burgim për të pandehurin Andri Mehja, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës Elbasan. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 4 (katër) vitesh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
5.Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës: a).T’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës; b).Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës për ndryshimin e vendbanimit.
6.Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Arrest në burg” caktuar me vendimin Nr. 53 datë 29.05.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij nga ambjentet e paraburgimit nëse nuk mbahet për ndonjë masë tjetër sigurimi apo dënim penal.
7.Deklarimin fajtor të të pandehurit Gentian Bako, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
8.Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.
9.Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin Gentian Bako, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës Elbasan. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 4 (katër) vitesh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
10.Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës: a). T’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës; b). Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës për ndryshimin e vendbanimit.
11.Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” caktuar me vendimin nr.111, datë 03.09.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
12.Në bazë të nenit 224 të K.Pr.Penale, 1 (një) Cd-DVD-R me mbishkrimin “Stop” datë 23.04.2024; CD-të, e dërguara nga Kompanitë Celulare”, mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor.
13.Bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale, provat materiale: 1 (një) pasaportë në emër të shtetasit Andri Mehja, sekuestruar me procesverbal për sekuestrimin e sendeve datë 30.10.2024, ti kthehet të pandehurit, Andri Mehja; 1 (një) telefon i sekuestruar me procesverbal për sekuestrimin e sendeve datë 31.08.2024, ti kthehet të pandehurit Gentian Bako; 1(një) kapele ngjyrë si blu e errët, pa mbishkrim sipër, në të cilën ndodhet stema logo e Policisë së Shtetit, sekuestruar me procesverbal për sekuestrimin e sendeve datë 23.04.2024, të kalojë në favor të shtetit.
14.Bazuar në nenin 393 të Kodit të Procedurës Penale, shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak, dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkangjitur i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
15.Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.