Ballina Kulturë ​“Adoleshenca” seriali më i komentuar, cili është alarmi që ngriti për të...

​“Adoleshenca” seriali më i komentuar, cili është alarmi që ngriti për të rinjtë?

26
0

Një prej serialeve që është komentuar jashtëzakonisht shumë kohëve të fundit në vendet perëndimore është “Adoleshenca”. Ky serial ka ngjallur reagime në shumë vende të Evropës Perëndimore, duke mos mbetur vetëm në ekran, por duke hyrë në diskursin publik, e madje për tematikën që trajton, është debatuar edhe në parlamentin britanik.

Por përse një serial me vetëm katër episode bëri kaq shumë bujë? Përgjigjja qëndron te tematika që trajton: krizat që përjetojnë të rinjtë sot – dhuna, bullizmi, ndikimi i rrjeteve sociale, përplasja me normat patriarkale dhe figurat toksike të modeleve mashkullore. Kështu thonë ekspertët e fushave sociale, duke theksuar se “Adoleshenca” nuk është vetëm një seri televizive, por është një alarm i qartë për shoqërinë, për prindërit dhe institucionet, që shpërfaq një realitet shpeshherë të anashkaluar, por shumë të pranishëm në jetën e të rinjve tanë.

Sociologu Genc Xërxa thotë se ky serial bëri bujë për shkak të tematikës për adoleshentët dhe se shumica e shoqërive në Evropë po merren me çështje që i ka parashtruar ky serial.

Xërxa: Seriali bëri bujë se ka të bëjë me një problematikë sociale të adoleshentëve

“Seriali bëri bujë se ka të bëjë me një problematikë sociale të adoleshentëve, të cilat shumica e shoqërive në mbarë Evropën po merren me to, edhe i kisha preferuar që secili prind që ballafaqohet me problemet e fëmijëve të tyre të adoleshencës ta shikojë. Në të shpërfaqen mënyra apo socializimi i shoqërimit të rinjve, devijimi pra si ata devijojnë, kontrolli social si dhe kultura digjitale kibernetike e cila në një farë forme po merr formë edhe strukturim më të ndryshëm dhe më problematik në këtë ditë të fundit…
Duke shpërfaqur ato normat e vrazhda patriarkale ku mashkulli duhet të dominojë, të jetë më i sundueshëm, sidomos shprehen aty tipare mizogjene dhe ideologji antifeministe ndaj grave, merren në një farë forme më të ekzagjeruar, më të vrazhdë mes roleve gjinore dhe marrëdhënieve mes individëve dhe shoqërive, mes socializimit te të rinjtë dhe një farë forme ata inspirohen nga promotorë të ndryshëm siç është Andrew Tate. Diskursi i tij antifeminist faktikisht ndikon dhe indoktrinon gjithë ata të rinj të cilët qëndrojnë në ato platforma”, 
potencoi Xërxa.

Xërxa thekson se ky serial paraqet modelet që shfaqen gjithnjë e më shumë, ku mashkulli duhet të dominojë, duke bërë që në jetën e përgjithshme tiparet mizogjene dhe ideologjitë antifeministe të marrin një hov më të madh te të rinjtë.

Gjithashtu, Xërxa thekson ndikimin e madh që kanë komunikimet sociale dhe normat e shoqërisë te adoleshentët, duke i futur ata në sjellje të ekzagjeruara dhe të pavetëdijshme. Ai thekson se si prindërit shpesh habiten që nuk kanë arritur të vërejnë ndryshimet te fëmijët e tyre, pasi këto ndikime marrin kontrollin dhe krijojnë presion social. Ai shton se këto situata bëjnë që të përplasen me botëkuptimet individuale, sidomos kur djemtë ndihen të detyruar të veprojnë në mënyrë “dominuese” për të ruajtur imazhin e tyre në shoqëri.

Xërxa: Prindërit shpesh habiten që nuk kanë arritur të vërejnë ndryshimet te fëmijët e tyre

“Gjitha këto e shpërfaqin në një farë forme edhe familjen, edhe prindërimin. Prindërit çuditen se si nuk kanë mundur ta detektojnë, po këto janë komunikime ashtu të krijuara të cilat në një farë forme marrin kontrollin dhe krijojnë presion social ndaj adoleshentëve dhe i shtyjnë në përmasa të ekzagjeruara, veprime të cilat as ata nuk janë të vetëdijshëm se çka janë duke bërë. Pastaj kur vijnë edhe gërshetimet mes normave sociale, se çka ti duhesh të veprosh për të dalë mirë në sy të shoqërisë, krahasim me ato botëkuptimet tuaja individualiste. Këtu bien në përplasje edhe nga presioni i shoqërisë, se si duhesh të dukesh burrë dominues, mashkull, mos me të fye ndonjë femër, kjo i shtyn të marrin veprime të pamatshme”, tha ai.

Ndërsa psikologu Ilir Havolli, në lidhje me dhunën dhe bullizmin te adoleshentët, thotë se janë rezultat i shumë faktorëve të ndërlidhur mes vete, si psikologjikë, socialë dhe familjarë. Ai thekson ndikimin e mjedisit familjar, presionin e shoqërisë, ndikimin e bashkëmoshatarëve, problemet emocionale, përvojat traumatike, mungesën e mbikëqyrjes. Tutje, Havolli thekson ndikimin e madh të presionit shoqëror, ku adoleshentët përpiqen të përshtaten me rrethin për të shmangur përjashtimin dhe bullizmin, duke imituar sjelljet e bashkëmoshatarëve për të qenë të pranueshëm në grup.

Havolli: Arsyet që i shtyjnë adoleshentët të përdorin dhunë dhe bullizime janë të shumta

“Arsyet që i shtyjnë adoleshentët të përdorin dhunë dhe bullizime janë të shumta dhe komplekse, mirëpo shpesh janë të ndërlidhura mes vete duke ndërlidhur faktorë psikologjikë, socialë, familjarë. Ku mund të cekim disa nga ato siç janë: mjedisi familjar, presioni i shoqërisë, ndikimi i bashkëmoshatarëve, problemet psikologjike dhe emocionale, përvojat traumatike, mungesa e strukturës dhe mbikëqyrjes, pastaj media dhe kultura e dhunës, pra ajo që neve na servohet përmes mediave, po ashtu edhe aspektet edukative siç është vështirësia në shkollim dhe përfshirje sociale…2:12
Duke pasur parasysh që bashkëmoshatarët modelojnë nga njëri-tjetri, atëherë këtu lind fenomeni i presionit shoqëror dhe dëshira për të dominuar ose për t’iu përshtatur shoqërisë, nga frika e bullizimit, nga frika e përjashtimit nga rrethi social etj. Dhe këta individë faktikisht duhet t’i modelojnë bashkëmoshatarët e vet, të cilët veç i shpallin të sjellurit që këta të jenë në atë rreth social”,
 potencoi Havolli.

Ndërsa në lidhje me rolin e familjes, Havolli thekson se mund të kuptohet gjendja emocionale e adoleshentit përmes vëmendjes ndaj ndryshimeve në sjellje dhe komunikim. Ai thotë se adoleshentët rrallëherë i shprehin ndjenjat me fjalë, por ato dalin në pah përmes sjelljeve dhe veprimeve që “flasin në heshtje”.

Havolli: Adoleshentët i shfaqin këto ndjenja përmes sjelljeve të ndryshme

“Familja mund të kuptojë gjendjen emocionale të një adoleshenti që është në krizë duke qenë të vëmendshëm ndaj tij, ndaj ndryshimeve në sjellje, ndaj ndryshimeve në komunikim. Shpesh, kur këto ndjenja nuk shprehen drejtpërdrejt me fjalë, adoleshentët i shfaqin përmes sjelljeve të ndryshme. Dhe për këtë shkak, ata nuk flasin hapur për atë që ndjejnë, por këto i shprehin përmes trupit, përmes sjelljeve dhe veprimeve të tyre, të cilat flasin në heshtje”, tha ai.

Ky serial bëri bujë kaq të madhe për shkak të tematikave të rëndësishme që trajton, të cilat lidhen me dhunën, bullizmin dhe modelet tjera negative. Sociologët dhe psikologët theksojnë se ky serial shërben si alarm për prindërit dhe institucionet që të kuptojnë më mirë botën e ndërlikuar emocionale dhe sociale të adoleshentëve. Në thelb, “Adoleshenca” tërheq vëmendjen dhe bën thirrje që shëndetit mendor të të rinjve t’i kushtohet vëmendje e madhe.