Ballina Opinion Si u përzu gjigandi DAMEN Shipyards nga Shqipëria dhe korrupsioni që po...

Si u përzu gjigandi DAMEN Shipyards nga Shqipëria dhe korrupsioni që po shkatërron Forcën Detare

0
31

Nga Artur Meçollari*

Kushdo që ka punuar në Forcën Detare dhe Forcat e Armatosura, pas vitit 2008, e njeh suksesin e bashkëpunimit midis Forcës Detare dhe kompanisë hollandeze DAMEN Shipyards, sukses i cili mundësoi pajisjen e Forcës Detare me katër anije të klasit “Stan Patroll 4207”, nga të cilat tre të prodhuara në Kantierin Detar të Pashalimanit.

Ky bashkëpunim u ndihmua edhe nga Qeveria Hollandeze, e cila dha si grant 12 milion euro, në koston e përgjithshme të katër anijeve prej 32,8 milion euro, me synim ndërtimin e tyre në Shqipëri. Por, historia e shmangies, duke nisur nga viti 2014, dhe përfundimisht përzënies, në vitin 2025, të kompanisë DAMEN Shipyards është një dëm i jashkëzakonshëm për operacionalitetin e Forcës Detare.

Ky rast përfaqëson një model të korrupsionit shtetërore ashtu si edhe me pronat e Forcës Detare nga Shëngjini deti në Sarandë. Ai ka vetëm një emër, Edi Rama.

Kompania hollandeze DAMEN Shipyards është kompania e dytë private më e madhe për ndërtimin e anijeve në Evropë, e shtrirë në 55 vende të botës, me rreth 12.500 punonjës në mbarë botën, me qarkullim vjetor prej 3,1 miliardë dollar dhe bashkëpunim me mbi 120 vende të botës.

Kompania është biznes familjar krijuar nga familja Damen në vitin 1927. Në vitin 1969 ajo kaloi nën drejtimin e Z. Kommar Damen dhe qysh atëherë ka prodhuar mbi 5000 anije.
Kompania DAMEN prodhon anije nga të gjitha kategoritë, transporti, peshkimi, pasagjerësh, ndihmuese, shkencore, si dhe anije ushtarake, mbiujëse dhe nëndetëse tashmë. Përveç ndërtimit të anijeve, kompania ofron riparim të anijeve, mbirëmbajte të tyre gjatë gjithë ciklit jetësor, si dhe përmirësim të sistemeve të integruara digjitale.

DAMEN zotëron rreth 35 kantiere detare në të gjithë botën, për ndërtim anijesh edhe mirëmbajtje, si në Rumani, Vietnam, Poloni, Singapor, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Emttiratet e Bashkuara Arabe, Kanada, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Gjermani, Brazil, Australi, etj.

Midis viteve 2008-2009, në Kantierin e Pashalimanit u investua për linjën e prodhimit të këtij klasi anije, “Stan Patrol 4207” dhe 80 punëtorë, nga 180, u trajnuan në Hollandë. Kontaktet e para me kompaninë DAMEN u vendosën në verën e vitit 2004 nga ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Damian Gjiknuri dhe në nëntor 2004 një grup prej katër ushtarakësh shkuan në Hollandë.

“Letter of Intent” midis DAMEN dhe Ministrisë së Mbrojtjes u firmos vitit 2006, pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2005, dhe më pas në në verën e vitin 2008 u firmos edhe kontrata. Kompania hollandeze DAMEN ndihmoi Forcën Detare në atë kohe të aplikonte në programin e Qeverisë Hollandeze, programi ORET, dhe Forca Detare përfituan si grant nga Qeveria Hollandeze 35% ose 12 milion euro (1,5 anije), nga 32,8 milion euro që kushtuan katër anijet, me kusht transferimin e teknologjisë në Pashaliman.

Në programin e parë qeverisës të KM Edi Rama, 2013-2017, (https://kryeministria.al/wp…/uploads/2017/11/PROGRAMI.pdf) thuhet se “Një vëmëndje e posaçme në këtë drejtim do i jepet Forcës Detare”, si një prioriteti i prioriteteve për Ministrinë e Mbrojtjes. Vetëm dy vjet më vonë u miratuar ligji nr. 121/2015 datë 12.11.2015, “Për miratimin e Planit Aftëgjatë të Zhvillimit të FA 2016-2025”, ku sipas planit të Forcave Detare të vitit 2011, kjo të të pajisej në 10 vitet e ardhëshme me dy korveta, gjashtë mjete patrullimi, një anije shumëfunksionëshe dhe një rimorkiator.

Ky plan ishte një projekt ambicioz për Forcën Detare, duke marre në konsideratë se midis viteve 2008-2014 Kantieri Detar i Pashalimanit në bashkëpunim me kompaninë hollandeze DAMEN Shipyards prodhoi tre nga katër anijet patrulluese “Stan Patrol 4207”.

Projekti i prodhimit të katër anijeve të reja “Stan Patrol 4107”, ose “Iliria” përfundoi në vitin 2014 dhe sipas një marrëveshje xhentëllmenësh të arritur në vitin 2008, kompania hollandeze DAMEN Shipyards i paraqiti Ministrisë së Mbrojtjes planin e biznesit për vijimin e bashkëpunimit me Kantierin Detar të Pashalimanit.

Ky plan biznesi konsistonte në krijimin e një ndërmarrje të përbashkët për prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për Forcën Detare, si dhe prodhimin e anijeve për të tretë në Shqipëri dhe tregun ndërkombëtar. Por, Ministria e Mbrojtjes, në shkelje të marrëveshjes, nuk e miratoi projektin dhe DAMEN Shipyards u largua.

Në vitin 2015 Kantieri Detar i Pashalimanit, sipas rekomandimit të një grupi pune, ku anëtar nga Forca Detare ishte komandanti aktual i saj, doli nga struktura e Forcës Detare, si një entitet me vetëfinancim. Grupi i punës i rekomandonte Ministrit së Mbrojtjes këtë propozim me argumentin se Kantieri do të hynte në tregun ndërkombëtar dhe se fondi për riparimin e anijeve të Forcës Detare do të përbënte vetëm 20% të burimeve financiare vjetore të tij.

Sot, pas 11 vitesh, Kantieri ka 43 vetë nga 180 dhe buxheti i mirëmbajtjes i Forcës Detare është i vetmi burim i të ardhurave të tij. Midis viteve 2014-2021 drejtues të DAMEN Shipyards kanë zhvilluar disa vizita në Ministrinë e Mbrojtjes, por pa rezultat. Një nga këto është dhe vizita e CEO-s së DAMEN Shipyards Group Z. Kommer Damen, midis 3-5 prillit 2019.

Gjatë kësaj vizite, i shoqeruar edh nga Drejtori i Shitjeve Ndërkombëtare dhe ai për Europën, ai u takua me Ministrin e Mbrojtjes Xhaçka, Ministrin e Bujqësisë Çuçi, Ministrin e Sipërmatjes Shalësi dhe Ministrin e Infrastrukturës Balluku. Në përfundim Z. Damen u takua me KM Rama, ku prezent ishin Z. Agaçi dhe biznesmeni Gjergj Luca, një mik i kompanisë DAMEN. Në të gjitha takimet, duke përfshirë dhe KM Rama, kam qënë i pranishëm.

KM Rama i ofroj të gjithë mbështetjen Z. Kommer Damen për mirëmbajtjen e anijeve të Forcës Detare dhe investimin në Kantierin e Pashalimanit për krijimin e një ndërmarje të përbashkët, ndërtimin e anijeve për Forcën Detare, mjete për institucione të tjera shtetërore dhe private, si dhe prodhimin e anijeve për tregun ndërkombëtar, duke i thëntë se “Legjislacioni shqiptar ofron bashkpunime shumë të leverdisshme për kompanitë e huaja dhe nëse dalin pengesa, më thoni”.

Në 15 shkurt 2019 Ministria e Mbrojtjes i dërgoi një letër kompanisë DAMEN Shipyards ku sqaronte kompaninë se Shqipëria për shkak të detyrimeve të Samitit të Varshavës po rriste buxhetin e Mbrojtjes drejt 2% dhe se synonte zbatimin e Planit të Modernizimit të Forcës Detare me pajisjen e gjashtë mjeteve patrulluese (25-30 m), një rimorkiator, një anije shumëfunksionëshe (polumbare dhe hidrografike) dhe dy korvetave (50-60 m). Pas vizitës së Z. Kommer Damen kompania DAMEN Shipyards i dërgoi, në 5 qershor 2019, Ministrisë së Mbrojtjes një draft propozim “Letter of Intent” që të nënëshkruhej nga të dy palët, por Ministria e Mbrojtjes asnjëherë nuk e negociojë atë.

Në muajin nëntor 2019 anija jonë “Oriku” në misionin në Detin Egje përsoi një difekt të rëndë dhe për më shumë se një muaj doli nga gatishmëria.

Pas riparimit me shumë vështirësi në Izmir të Turqisë, misioni u ndërpre dhe anija u kthye në 13 dhjetor 2019 në Shqipëri. Sot, 84% i investimit kapital në mjete detare të Forcës Detare përbëhen nga katër anijet “Stan Patroll 4207”. Këto anije dhe mjetet e tjera kanë vite që nuk mirëmbaheshin, gjeendja e tyre teknike kishte rënë, edhe për fakti se nga viti 2015 Kantieri Detar ka degraduar në tërësinë e tij.

Gjatë këtyre viteve ka patur tentative për të riparuar anijet me kompani të tjera, por në shumicën e rasteve ka patur heshtje ose përgjigje negative. Në këto rrethana, në 24 shkurt 2019 me shkresën nr. 495/5, si komandant në detyrë i Forcës Detare i dërgova Shtabit të Përgjithshëm të FA kërkesën operacionale për “Mirëmbajtjen e anijeve të Forcës Detare”. Në muajim mars 2019 kjo kërkesë u aprovua nga Bordi i Modernizimit të FA me unanimitet.

Kërkesa operacionale e Forcës Detare parashikonte lidhje kontrate me DAMEN Shipyards për mirëmbajtjen e anijeve të saj, në tre faza: 1) një difektim (survey) i gjendjes teknike të anijeve, 2) riparimi i anijeve dhe sjellja e tyre në gjendje gatishmërie, si dhe 3) mirëmbajtja rutinë e anijeve në të ardhmen, fillimisht me një kontratë trevjeçare. Në bazë të kërkesës operacionale të Forcës Detare, Drejtoria e Modernizimit në Ministrinë e Mbrojtjes hartoi “Projektin Teknik”, i cili u kalua për aprovim përsëri në Bordin e Modernizimit.

Bordi i Midernizimit e aprovoi “Projektin teknik” por me një votë kundër, Komandantin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneralbrigade Bajram Begaj. Pas kësaj procedura parashikonte vetëm miratimin e vendimit të Bodit nga Ministri i Mbrojtjes.

Edhe pse “Projekti teknik” i mirëmbajtjes së anijeve të Forcës Detare me kompaninë hollandeze DAMEN Shipyards ishte aprovuar nga Brordi i Midernizimit, Ministri i Mbrojtjes nuk po e miratonte asnjëherë atë, me qëllim më pas ti kërkonte DAMEN-it fillimin e negociatave për lidhjen e kontratës. Në 17 korrik 2020, me shkresën nr. 2105, i jam drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralbrigade Kollçaku dhe për dijeni Ministrit të Mbrojtjes Xhaçka për përshpejtimin të miratimit të procedurës së mirëmbajtjes së anijeve të Forcës Detare në përputhje me “Projekttin tekinik” të majit 2020.

Për këtë shkresë nuk mora asnjëherë përgjigje deri ditën e shkarkimit nga detyra e zëvendëskomandantit dhe komandantit në detyrë të Forcës Detare më 7 gusht 2020. Edhe Kollçaku kishte lenë detyrën më 29 korrik 2020 dhe në vend të tij ishte emëruar gjeneralmajor Bajram Begaj. Por, përgjigjen se përse zvaritej miratimi i “projektit teknik” për mirëmbajtjes së anijeve të Forcës Detare me kompaninë DAMEN Shipyards e ka dhënë Bajram Begaj rreth dy javë më vonë pas shkarkimit tim.

Në fund të muajit gusht 2020 Bajram Begaj bëri një vizitë në Komandën e Forcës Detare. Gjatë takimit drejtuesit e rinjë i ishin ankuar atij përsëri për miratimin e “Projektit Teknik” për mirëmbajtjen e anijeve. Përgjigja e Bajram Begajt kishte qënë e prerë “Sa të jem unë Shef i Shtabit të Përgjithshëm DAMEN Shipyards nuk vjen në Shqipëri”.

Projekti për pajisjen e Forcës Detare me katër anije “Stan Patrol 4207”, tre nga të cilat të prodhuara në Kantierin Detar të Pashalimanit, së bashku me projektin e SIVHD (Sisteni i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare) me kompaninë amerikane Lockheed Marin janë dy më të suksesshmit në FA, midis viteve 2006-2014.

Por ashtu, si anijet që janë pa mirëmbajtje prej vitit 2014, edhe SIVHD është pa mirëmbajtje prej vitit 2021. Kurse Plani Afatëgjatë ambicioz i FA 2016-2024, nuk u zbatua dhe Forca Detare deri tani nuk është pajisën me asnjë nga 10 mjetet detare. Projektet e planit të pazbatuara deri në vitin 2024 u përfshi në Planin e Zhvillimit të FA 2024-2033 (Liggji nr. Nr. 84/2024), por tashmë si një plan i ri.

Në datën 8 prill 2025 në Portin e Durrësit u nënëshkruan dy marrëveshje me Italinë. Një për marrjen e anijes patrulluesse “Libra”, klasi “Cassiopea”, për Forcën Detare, një anije 34-vjeçare, me argumentin e nisjes së modernizimit të Forcës Detare dhe e dyta ishte “Letter of Intent” me kompaninë italiane “FINCANTIER-i për një bashkëpunim me Kantierin e Pashalimanit. Por siç shprehet Komandanti aktual i Forcës Detare, përveç anijes “Libra” ““Shqipëria është në diskutim për të marr donacion dy anije të tjera të ngjashme në madhësi dhe dislokim”. (https://rtsh.al/ekskluzive-flet-admirali-agastra-do…/).

Shumë shpejt qendra e gravitetit operacional i Forcës Detare kalon nga anijet e reja “Stan Patrol 4207” tek anijet e dhuruara nga Italia të klasit “Cassiopea”. Unë kam qënë komandant i Gjuajtësit të Madh Detar “Vjosa” F-322 kur ai kishte rreth 35 vjet shërbim.

Kushdo që ka qënë në atë kohë në Forcën Detare e di sa e vështirë ishte mbajtja e gjendjes së gatishmërisë teknike edhe pse kishim një kantier me mbi 40 vjet eksperiencë dhe 700-800 specialist. Po ashtu, çdo bazë detare në atë kohë kishte ofiçinën e saj. Imagjino, sot, Forca Detare të pajiset me tre anije 1500 tonëshe, rreth 35 vjeçare, me një Kantier Detar që ka vetëm 43 vetë dhe bën vetëm lyerje dhe saldime.

Edhe në kohën e Flotës Luftarake Detare anije si “Libra” do ishte e vështirë të mirëmbahej në Shqipëri. Arsyeja e parë dhe atëherë nuk kishte mundësi dokimi në Pashaliman. Anija mbiujëse me tonazhin më të madh, nën 1000 tonë , çisterna “Patosi” në atë periudhë shkallën e bënte në Trieste. Pas marrjes së anijes “Libra” mirëmbajtja e Forcës Detare do të varet nga Marina Italiane. Ndërkohë është shkatërruar linja e prodhimit në Pashaliman, një linjë e pavarur, me një kosto rreth 15 milion euro, dhe askush nuk ka përgjegjësi.

Nga viti 2014 deri tani, Ministrinë e Mbrojtjes e kanë drejtuar, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Niko Peleshi dhe Pirro Vëngu. Mimi Kodheli hodhi poshtë ofertën e DAMEN për bashkëpunimin me Kantierin Detar në vitin 2014. Olta Xhaçka nuk miratoi “Projektin teknik” të aprovuar nga Bordi i Modernizimit.

Në vitin 2022, kur Ministër i Mbrojtjes ishte Niko Peleshi, kompania DAMEN u thirrë të kryente difektimin (survey) e gjendjes teknike ttë anijeve, sipas “projektit teknik” të vitit 2020. Unë nuk jam në dijeni të rezultatit të difektimit, por jam i sigurtë se gjendja e tyre ka qënë më keq se në vitin 2020 dhe sot është më keq se në vitin 2022.
Pirro Vëngu, Ministri aktual i Mbrojtjes, e largoi përfundimisht DAMEN Shipyards edhe pse “projekti teknik” kishte nisur të zbatohet nga paraardhësi i tij. Në vitin 2021, rastësisht kam qënë prezent, kur Pirro Vëngu i ka kërkuar përfaqësuesit të DAMEN Shipyards që të investojnë për një kantier detar në Portin e ri të pafilluar në Porto Romano. Përgjigjja ka qënë se “ne kemi një plan për në Pashaliman dhe i qëndrojmë atij”.

Plani i Zhvillimit të Forcës Detare, nga pajisja me anije të reja, po zëvendësohet me pajisjen me anije të vjera italiane në fund të shërbimit të tyre. Po ashtu, linja e prodhimit të anijeve DAMEN Shipyards në Pashaliman, po zëvendësohet me linjën e FINCANTIER-it, që i takon anijeve të vjetra që po merren nga Italia.

Këtë katraurë në gatishmërinë e Forcës Detare vetëm një i korruptuar mund ta bëj. Nuk mundet në kohet e sotme as të imagjinohet që FIAT-i të bëj mirëmbajtjen e Mercedez Benz-it, ashtu sikurse as FINCANTIER-i nuk mund të bëj mirëmbajtjen e katër anijeve të reja “Stan Patroll 4207”. Anijet italiane të dhuruara nuk mund të operojnë më shumë se 3-4 vjet, kurse ato hollandeze ende nuk kanë mbërritur në mezin e jetës së tyre.

E gjithë kjo histori me kompaninë hollandeze DAMEN Shipyards, pavarësisht kush është ministri i mbrojtjes në detyrë, ka vetëm një aktor. Ai quhet Edi Rama. DAMEN Shipyards bën biznes, nuk bën politik. Për shkak të vendimeve të drejta që Forca Detare ka marrë në të kaluarën, për pajisje me katër anije dhe ndërtimin e linjës së prodhimit në Kantierin e Pashalimanit, me ndihmën e Qeverisë dhe komananisë hollandeze DAMEN, fati i Forcës Detare është domosdoshmërishtë i lidhur me DAMEN Shipyards.

Por korrupsioni shtëror ka përfshirë edhe bazat e forcës Detare nga Shëngjini, Sazani, Pashalimani, Porto Palermo, deri në Sarandë. Dy prej tyre janë në “sekuestro preventime” me një sipërfaqe totale prej 70 ha. Në një sipërfaqe prej 5,2 ha në Porto Romano është lejuar një privat ta zaptoi prej tre vitesh dhe të kryej ndërtim pa leje në pronë publike. “Pushteti tenton të korruptojë. Dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”.

*Kapiten i rangut të parë (Ret), Ish zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës detare / Rojes Bregdetare