Juristi dhe avokati i njohur, Romeo Kara ka komentuar situatën politike në vendin tonë, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Kara fillimisht paralajmëroi se ambasadori i SHBA zbarkon shumë shpejt në Tiranë, ndërkohë që zbuloi edhe shkeljet ligjore që do të fundosin Sali Berishën dhe lajmi bombastik që e pret Ilir Metën dhe Kryemadhin.
Sipas tij, Meta është tashmë personifikimi i politikanit të korruptuar dhe si i tillë është në garë me Sali Berishën se kush do të jetë i pari i ndëshkuar nga drejtësia.
Po ashtu, avokat Kara theksoi se Berisha është një faktor destabiliteti dhe pengmarrje jo vetëm i opozitës, por edhe i vendit. Ndër të tjera juristi shtoi se pas Berishës radhiten kriminelët killera në shërbim të tij, të cilët siç thotë ai, shohin tek fundi i ish-kryeministrit, burgun e përjetshëm.
Përveç arsyeve të brendshme procedurale amerikane, nuk shoh asnjë arsye tjetër. Ka pasur një vakum të krijuar përgjatë presidencës Trump, pas largimit te ambasadorit Lu, por shpejt pala amerikane e ka tejkaluar atë dhe tashmë është pothuaj në kapacitet të plotë lidhur me prezencën e saj.
Ndodhemi shumë pranë fizikisht me zonat e nxehta konfliktuale, kështu që politikat e brendshme nuk mund të luajnë ndonjë rol të dorës së parë lidhur për sa më sipër. Besoj se shumë shpejt do të tejkalohen bllokimet proceduriale në USA dhe ambasadori i ri amerikan do të jetë prezent në Tiranë. Marrëdhëniet me USA-në janë të rëndësisë strategjike për të mos thënë jetike për ne.
Është fat i madh për shqiptarët pasja e një aleati të tillë i cili tashmë jo vetëm na ka marrë nën patronazh në arenën ndërkombëtare, por qëndron edhe si garant i sistemit politik që ne duam të instalojmë. Reforma në drejtësi, ndarja e pushteteve dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira, janë procese në zhvillim të mbarë, pikërisht për meritë të këtij aleati jetik për ne. USA di të ndajë qasjen e saj ndaj popullit shqiptar dhe institucioneve me politikën meskine e cila është në agoninë e saj.
-Si e sheh fatin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta pas fundosjes së ish-kryeministrit Sali Berisha?
Shih e shkruaj do të thosha. Është fakt që Meta është tashmë personifikimi i politikanit të korruptuar dhe si i tillë është në garë me Sali Berishën, se kush do të jetë i pari i ndëshkuar nga drejtësia, i kryqëzuar në shtyllën e turpit, i shpronësuar nga pasuria publike e grabitur prej tij dhe i dënuar gjyqësisht siç e meriton. Ilir Meta jo vetëm që është në rënie të lirë, pa asnjë shpresë dhe rrugëdalje, por edhe i demoralizuar dhe tërësisht i pamotivuar për t’u përballur me sfidat që e presin.
PL është tashmë një barkë që po mbytet, minjtë e së cilës kanë vetëm një alternative: ta braktisin sa më parë atë dhe ta lënë padronin e saj të vetëm në fatin e tij. Është e pamundur të gjesh qoftë edhe një grimcë idealizmi në atë grupim-klanor politik që sot quhet PL. Meskiniteti që i bashkoi, është pikërisht ai që do ta shkërmoqë atë. Të mos harrojmë edhe fatin e Kryemadhit që i bashkëngjitet tashmë mizërisht atij të Metës. Kjo është pikërisht koha kur paratë haram, po hanë pa mëshirë Metën.
-A përbën më ish-kryeministri Berisha faktor politik sot, si mendoni?
Sigurisht që Berisha është një faktor politik. Është një faktor destabiliteti dhe pengmarrje jo vetëm i opozitës, por edhe i vendit, pavarësisht se nuk është në zenitin e tij.
Berisha është tashmë hija e vetvetes, i rrënuar moralisht dhe në rrugën pakthim drejt ndëshkimit ligjor. Si i tillë, i vetëdijshëm për çfarë ka bërë dhe çfarë e pret, ai po luan nga dritarja e shtëpisë-burg, aktin e fundit politik të jetës së tij. Pas tij radhitet ish-administrata, vegël dhe bashkëpunëtore në korrupsionin e tij, bashibozukja e politikës shqiptare, e cila sheh tek mbijetesa e Berishës mbijetesën e saj.
Pas tij radhiten kriminelët killera në shërbim të tij, të cilët shohin tek fundi i tij, burgun e përjetshëm. Pas tij radhiten hipokritet ish-kritikë të tij, të cilët shohin tek halli i tij, mundësinë për t’i shkëputur atij koncesione politike, me mendimin për ta hedhur poshtë atë, sapo t’ia arrijnë qëllimit të tyre. Pra, Berisha si strumbullar i regresit dhe krimit, është faktori më i dëmshëm i politikës sot, pikërisht për çfarë ai përfaqëson dhe drejton.
-Zoti Berisha vijon që të mbaj fjalime nga ballkoni i banesën ku jeton, a ka diçka nga deklaratat e tij që të ka tërhequr vëmendjen?
Dy doktorë u personifikuan me dritaren në Tiranë, Mukini dhe Berisha. I pari kishte një majmun që kishte një zakon të njohur nga të gjithë, që nuk largohej kurrë nga dritarja, ndërsa i dyti, Berisha, ka nxjerre nga halli hijen e tij, t’i zgjoje bashibozukeve pasues të tij ndjenjën e revoltës dhe mosbindjes civile, si të vetmen shpresë për t’i shpëtuar përballjes ligjore.
Ajo çfarë vihet re nga retorika e tij është: denigrimi i prokurorëve dhe gjykatëses së procesit penal ndaj tij, kërcënimi ndaj qeverisë me pretekstin se po gjykohet politikisht, kërcënim i cili me shumë se ndaj qeverisë i drejtohet palës amerikane, e cila është tashmë garante e çdo procesi gjyqësor antikorrupsion, se Berisha do krijojë destabilitet politik nëse vazhdon gjykimi ndaj tij dhe kërcënimin final ndaj të gjithëve që askush të mos guxoje ta kalojë vijën e kuqe ndaj tij, të prekë kushtetutën personale të tij, që do të thotë interesin e tij.
Çdo deklaratë e tij, ka për qëllim, keqpërdorimin deri në ekstrem të fraksionit që ai drejton deri në vëllavrasje, vetëm e vetëm që ai të mos përballet ligjërisht në gjykatë. Për këtë arsye ai po luan fort politikisht, pasi po tenton të mbajë sa të mundet mitin e personit që është mbi ligjin, apo vete ligji, mitin e pandëshkueshmërisë dhe ndikimin politik mbi sistemin e drejtësisë.
Ai është i vetëdijshëm se juridikisht nuk ka asnjë shans të fitojë, prandaj po tenton ta bëjë përballjen vetëm politikisht dhe jashtë dyerve të gjykatës. I pashpresë, i diskretituar me morinë e kullave të korrupsionit të tij, aq sa meriton ta quash edhe Sali Kulla pasi e quajtëm Sali Gërdeci apo Sali Sudja dhe i frikësuar deri në neveritje, gjë që e tregon servilizmi ndaj bashibozukeve poshtë dritares së tij, ai është realisht një faktor destabiliteti dhe regresi i politikës shqiptare.
-Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka shkelur masën e sigurisë disa herë duke futur në shtëpi edhe teknikë të fonisë, apo dhe komunikimet e tij me militantët nga dritarja, mendoni se drejtësia do t’i ndryshojë masën?
Ligjërisht do të duhet që prokuroria apo edhe gjykata kryesisht, të kërkojnë ashpërsimin e mëtejshëm të masës ndaj tij, jo vetëm të mosrespektimit të vendimit të gjykatës, por, edhe të cenimit të integritetit të procesit.
Fjalimet e tij të përditshme nga dritarja e kundër revolucionit, kanë në thelb mosbindjen e tij ndaj gjykatës dhe destabilitetin politik, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në integritetin e procesit penal, ku ai është një person nën hetim së bashku me dhëndrin e tij.
Pra, ligjërisht dhe logjikisht, prokuroria duhet të kërkojë pa vonese nga gjykata miratimin e masës së arrestit me burgim, që procesi të mos disintegrohet dhe banorët e pallatit të tij të shpëtojnë nga ulërimat për kundër revolucion që vijnë nga lart me megafon dhe nga poshtë me ulërimat e turmës që eksitohet nga lideri i paraburgosur Sali Kulla.