Kreu i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës, gjeneral kolonel Kirilo Budanov, ka paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin se sulmet e vendit të tij në Krime vitin e kaluar ishin “vetëm fillimi”.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka përsëritur shpesh se një nga qëllimet e tij në luftë është të rimarrë kontrollin e Krimesë, të cilën Rusia e pushtoi dhe e aneksoi në vitin 2014.
Në muajt e fundit, Kievi zyrtar ka kryer disa sulme ndaj pozicioneve ruse në Krime. Një prej tyre ndodhi muajin e kaluar, dhe kishte për qëllim flotën ruse të Detit të Zi në portin e Krimesë të Feodosia. Ajo rezultoi në shkatërrimin e anijes së madhe zbarkuese Novocherkask.
Sipas Budanov, Putin mund të presë edhe më shumë sulme ndaj Krimesë këtë vit.
“Në vitin 2023, u bënë inkursionet e para të Ukrainës në Krimenë e pushtuar përkohësisht. Dhe ky është vetëm fillimi,” tha Budanov për gazetën franceze “Le Monde”.
Shefi i inteligjencës së Ukrainës përmendi gjithashtu se Moska po krijon një bazë detare në bregun e Detit të Zi të Gjeorgjisë në Abkhazi pas sulmit të Kievit ndaj bazës së flotës ruse në Sevastopol.
“Rusëve iu desh të zhvendosnin shpejt gjithçka në juglindje,” tha ai.
Budanov është një nga zyrtarët më të shquar ukrainas, i cili parashikoi saktë se Putin do të sulmonte disa muaj para fillimit të luftës. Sot, ai është një nga zyrtarët ushtarakë më të rëndësishëm në Kiev dhe jep shpesh informacione për luftën.