Ballina Bota Rusia në qendër të debatit politik në Shtetet e Bashkuara

Rusia në qendër të debatit politik në Shtetet e Bashkuara

142
0

Vdekja e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexey Navalny, e ka vendosur Rusinë në qendër të debatit politik amerikan dhe ka shtuar trysninë ndaj ligjvënësve republikanëve për të mbështetur një tjetër paketë ndihme për Ukrainën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, demokrati Joe Biden, i cili po kandidon për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe sfiduesi i tij kryesor, republikani Donald Trump, kanë qëndrime të kundërta ndërsa afrohen zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Presidenti rus dhe kundërshtari i tij i vdekur në burg janë vënë në qendër të debatit zgjedhor amerikan. Vdekja e opozitarit Alexey Navalny në një burg rus ka thelluar edhe më tej retorikën politike amerikane lidhur me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe ka nxjerrë në pah dallimet e qarta mes Presidentit Joe Biden dhe kundërshtarit të tij republikan, Donald Trump.

Presidenti Biden ka kërcënuar me sanksione të ashpra dhe ka fajësuar Moskën për vdekjen e opozitarit Navalny. Zyrtarët rusë kanë thënë se vdekja e tij ishte e papritur.

“Putini është përgjegjës. Nëse ka dhënë apo jo urdhrin, ai është përgjegjës për rrethanat në të cilat e vuri atë njeri (Navalny-n). Kjo tregon se kush është ai. Nuk mund të tolerohet dhe do të ketë pasoja”, tha Presidenti Biden.

Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat, por nga ana tjetër i ka mohuar nënës së Navalny-it qasjen tek trupi i tij.

Ndërkohë, zoti Trump dhe Partia Republikane kanë mbajtur një qëndrim tjetër. Kandidati Trump është shprehur se nuk do ta mbështeste NATO-n aq fuqishëm sa Presidenti Biden. Gjatë një diskutimi në rrjetin Fox News, ai e cilësoi veten viktimë të persekutimit politik, sikurse Navalny.

“Është e tmerrshme, por po ndodh edhe në vendin tonë. Po kthehemi në një vend komunist në shumë drejtime. Unë jam kandidati kryesor dhe kurrë më parë nuk janë ngritur padi. Jam paditur katër herë dhe kam tetë ose nëntë gjyqe, dhe ju e dini se pse, për shkak të faktit që jam në politikë”, tha zoti Trump.

Ai ishte i paqartë se si do t’i jepte fund agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, por tha se po të kishte qenë president, Putini nuk do ta kishte sulmuar kurrë Ukrainën.

Republikanët kanë ngritur pyetjen se pse duhet të vazhdojnë të japin ndihma për Ukrainën. Ditët e fundit, forcat ruse morën një qytet të rëndësishëm ukrainas. Shtëpia e Bardhë e përdori këtë fakt si arsye se pse Kievi ka nevojë për ndihmë urgjente.

Disa republikanë kanë bindjen se do të miratohet paketa e bllokuar e ndihmave prej 95 miliardë dollarësh, me pjesën më të madhe të saj për Ukrainën.

Reagimi i ngadaltë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara sigurisht që dëmton Ukrainën. Kjo është arsyeja se pse nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë. Pse nuk po bëjmë diçka?”, tha ligjvënësi republikan, Brian Fitzpatrick.

Ndërkohë, lufta ka marrë një rëndësi më të madhe, thotë për Zërin e Amerikës Peter Pomerantsev, gazetar, autor dhe bashkëpunëtor i lartë në Universitetin Johns Hopkins.

“Ka të bëjë me Amerikën. A do të vazhdojë Amerika të luajë rolin e një fuqie që i mban premtimet, që i respekton aleancat dhe që është e aftë të tregojë forcën e saj? Apo ka ardhur fundi i fuqisë serioze të Amerikës? Kjo është pyetja. Nuk ka të bëjë më me Rusinë apo Ukrainën”.

Moskën dhe Uashingtonin i ndan një distancë prej 8000 kilometrash. Por ndërsa afrojnë zgjedhjet amerikane të nëntorit, fatet e dy kryeqyteteve janë më të ndërthurura se kurrë./VOA