Ballina Rajoni Gara për President në Maqedoninë e Veriut: Cilët janë 9 kandidatët, mes...

Gara për President në Maqedoninë e Veriut: Cilët janë 9 kandidatët, mes tyre 2 shqiptarë?

85
0

Nga katër një ditë më parë, kandidatët për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut kanë shkuar në nëntë. Mes tyre janë gjashtë maqedonas, dy shqiptarë dhe një boshnjake.

Kandidaturën për president i pari e shpalli mjeku Velo Makrovski, i cili do të mbledhë nënshkrime si kandidat i pavarur. Më pas, javën e shkuar, e vetëshpalli kandidaturën e tij, si kandidat jo vetëm i Aleancës për Shqiptarët, por i opozitës së bashkuar shqiptare, në koalicionin “VLEN”, edhe mjeku Arben Taravari, ndonëse për të, sfidat janë jo pak, për shkak të përplasjeve brenda partive dhe çështjes për kryesimin e Aleancës, që tashmë ka përfunduar në Gjykatën e Tetovës.

Biljana Vankovska, profesoresha universitare e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike, do të jetë kandidate zyrtare e së majtës. Kryetari Dimitar Apasiev, tha se profesoresha, e shumëvlerësuar ndërkombëtarisht, është kandidatja më e mirë për president.

Një ditë më parë, ishte Ali Ahmeti që njoftoi se nga radhët e BDI, kandidati më i mirë për t’i propozuar jo vetëm shqiptarëve, por edhe maqedonasve, është Bujar Osmani, mjeku i famshëm, por njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme dhe ish zv.kryeministër në qeverinë e Kovaçevskit.

LSDM në pushtet, do të garojë në raundin e parë për president, me kreun aktual të shtetit, profesorin Stevo Pendarovski. Partia më e madhe opozitare, maqedonasja e drejtuar nga Hristjan Mickoski, do të garojë më 24 prill, me profesoreshën universitare, juristen e njohur Gordana Siljanovska-Davkova.

Nga komuniteti boshnjak, garon për herë të parë, edhe si një risi, aktivistja Mersiha Smailovic. Ajo do të jetë kandidate e Bashkimit Demokratik Boshnjak. Mersiha Smailovic është avokate dhe aktiviste civile. Në angazhimin e saj qytetar është aktive në fushën e avokaturës për të drejtat e njeriut, diskriminimin, barazinë gjinore, të drejtat e grupeve etnike etj. Punimet e saj kërkimore mbi të drejtat e refugjatëve, islamofobinë, të drejtat e grave janë botuar në disa revista vendase dhe ndërkombëtare.

Partia e vogël GROM do të garojë në raundin e 24 prillit me liderin e saj, Stevço Jakimovski.

E fundit, partia e sapoformuar, ZNAM, kandidat për president do të ketë liderin e saj, kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë që sigurisht do të ndodhë do mbahet më 8 maj, në ditën kur votohet edhe për zgjedhjet parlamentare.