Ballina Opinion Aventura groteske e Kushtetueses, si kjo gjykatë dogji 22 milionë euro fond...

Aventura groteske e Kushtetueses, si kjo gjykatë dogji 22 milionë euro fond kompensimi për qytetarët

62
0

Nga Fatos Çoçoli

Gjykata Kushtetuese, ose “Kushtetuesja”, sikurse e thërrasim në të folurit e perditshëm, shihet prej nesh si ruajtësja e Kushtetutës. Kur më shumë se tre muaj më parë, më 9 nëntor 2023, kjo gjykatë vendosi pranimin e kërkesës-ankesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, lidhur me zbatimin e ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të gjithë ne menduam se Kushtetuesja jonë kishte një shqetësim dhe rezerva të mëdha dhe serioze ndaj këtij ligji, në raport me Kushtetutën, dhe se do të vendoste në ndihmë të interesave tona.

Si u dogjën 2.3 miliardë lekë fond

Kushtetuesja e kaloi këtë ankesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për gjykim të saj, si dhe pezulloi për një kohë të pacaktuar zbatimin e ndryshimeve në ligjin Nr. 77/2022 për pronat, që u miratua ne nëntor 2022, deri në marrjen e vendimit të saj.

Si qytetarë, pritëm tre muaj e gjysmë për këtë vendim të uruar. Ligji nr. 77/2022 është shumë i rëndësishëm për qytetarin. Janë me mijëra prej nesh ata që i kanë dosjet e tyre të pronës në gjykatë të shkallës së parë. Me këtë ligj, ata fituan të drejtën t’i tërheqin nga gjykata dhe t’i risillnin  në Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

Tabela 1. Përfitimet e qytetarëve nga Ligji N.77/2022
·Ligji lidh vendimet për kthim prone me fondin fizik apo financiar të gatshëm për kompensim·I shkëput qytetarët nga kalvari i gjatë dhe i kushtueshëm i gjyqeve për kthimin e pronës
·Shtyhet afati i kërkesave për njohje pronësie deri në 31 dhjetor 2024. Deri në atë datë, do të shyrtohen 9 mijë kërkesa për kompensim fizik ose financiar të pronës
·Kthimi pa kufizim i pronës së lirë. Nëse statusi i pronës truall rezulton i lirë, pra pronë shtet, pronarit i kthehet automatikisht toka, nëse është truall
· Për toka të zëna nga ndërtime informale, apo ndërtime publike, pronari kompensohet me fonde nga Kadastra.

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) trajton vetëm ato kërkesa që kanë qenë të patrajtuara ditën kur skadoi ligji i vitit 2015, por jo kërkesa për njohje pronësie dhe ato për të cilat ka një vendim

Me ligjin nr. 77/2022 dhe me dy Vendime të Këshillit të Ministrave, që i siguronin paratë, Agjencia e Trajtimit të Pronave kishte filluar me kompensimet financiare të qytetarëve-pronarë dhe kishte në dispozicion 60 milionë euro çdo vit për ta! Nuk ishin shumë, për kasaphanën e pronave tek ne, por as edhe nuk ishin pak, për të nisur kthimi i së drejtës së shenjtë të pronës private tek ne.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pezulloi procesin e trajtimit të 7,000 dosjeve të patrajtuara, duke vënë në pikëpyetje një nga proceset më të rëndësishme të shtetit shqiptar, atë të restaurimit të së drejtës së pronës private, përmes kompensimit të pjesshëm financiar,  të përshëndetur nga Bashkimi Evropian  dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Ligji Nr.77/2022 garantonte rivlerësimin e vendimeve dhe procesit të kompensimit, duke sjellë publikimin e 3,876 vendimeve për njohjen e të drejtës së kompensimit.

Tabela 2. Shifrat e pronave të patrajtuara dhe ligji Nr. 77/2022
·         Nga viti 2015 kur doli ligji, janë 26,300 vendime për kthim dhe kompensim prone, pa faturë financiare (të pakompensuara)
·         Fatura financiare e vendimeve të patrajtuara, e përllogaritur nga Ministria e Drejtësisë, është 101 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë euro
·         Qeveria vendos në dispozicion 60 milionë euro çdo vit, për të kompensuar pronarët

Pezullimi i ligjit solli vonesa dhe shtyrje të zgjidhjes përfundimtare të procesit të kompensimit për qindra dhe mijëra qytetarë, duke djegur fondin e vitit 2023, të caktuar nga qeveria, prej më shumë se 2.3 miliardë lekësh ose 22 milionë eurosh.

Kushtetuesja: U mbars mali dhe nuk polli as miun!

Edhe pse shkaktoi gjithë këto dëme, prapë si qytetarë pritëm me durim për tre muaj e gjysëm, që Kushtetuesja të “bënte vezën e kuqe”, duke mbrojtur me përkushtim dhe profesionalizëm Kushtetutën dhe interesat tona si qytetarë, përballë kërkesës-ankesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Pritëm që ajo të shprehej mbi shtesat për kompensimin, që qytetarët duhet të përfitonin në formën e kamatë-vonesave, për vendimet e vonuara me dekada, apo për çmimin e kompensimit, që bazohet në çmimin e tokës bujqesore të vitit 1976, kur ky çmim sot është me dhjetëra herë më i lartë! Po çfarë ndodhi pak ditë më parë? Mësojmë se Gjykata jonë Kushtetuese vendosi të mos e konsiderojë si të drejtë kërkesë-ankesën e Komunitetit Mysliman dhe t’i lërë gjërat sikurse ishin përpara saj. Pra, me fjalë të tjera, Kushtetuesja jonë u mbars, po nuk polli gjë!

Do përgjigjet Kushtetuesja për aventurën e saj groteske?

Ky vendim-mos vendim i saj tregoi se Ministria e Drejtësisë, e cila ka në juridiksionin e saj Agjencinë e Trajtimit të Pronave, qëndronte në binaret e plotë të Kushtetutës, me Ligjin Nr. 77/2022 dhe se pezullimi ishte thjesht dhe vetëm një aventurë e shëmtuar. Pezullimi u hoq dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave rinisi nga puna e pezulluar tre muaj e gjysëm më parë.

Doli dhe se Kushtetuesja jonë e nderuar iu fut për tre muaj e gjysmë një sokaku pa dalje, një aventure sa të shëmtuar, aq edhe groteske, e cila la një shije të keqe në mbarë opinionin publik të vendit. Kjo aventurë u kushtoi qytetarëve me dhjetra milionë euro dëme në procesin jetik të kompensimit të pronave të tyre të mohuara dhe të uzurpuara pa të drejtë.

Tabela 3. Format e kthimit dhe kompensimit të tokës me ligjin Nr. 77/2022
1.       Kompensim fizik brenda pronës së qytetarit ose në vend-ndodhje të tjera, pasi qytetari përfitues i vendimit të ATP të bjerë dakord
2.       Kompensim i kombinuar
3. Kompensim financiar, jo më pak se 50 miliardë lekë në vit për të gjitha rastet që do të trajtohen nga ATP brenda një viti
4. Kompensim financiar me kërkesë të veçantë
5. Raste të kompensimit të veçantë financiar me vlerë deri në 1.5 milionë Lekë. Ky kompensim jepet menjëherë për qytetarin. Janë 10,548 vendime të tilla, brenda stokut prej mbi 20 mijë vendime të patrajtuara.

E gjithë shoqëria jonë doli e goditur dhe e shokuar nga kjo kuturisje e pashoqe e Kushtetueses sonë.

Po përse veproi kështu Kushtetuesja jonë? Gojët e liga flasin se gjykatësit e saj e bllokuan enkas procesin e kompensimit financiar të qytetarëve, përmes zbatimit të Ligjit Nr. 77/2022, për të ushtruar presion për miratimin e rritjes së pagave të tyre mbi pagën referuese të Presidentit.

Si qytetarë nuk duam ta besojmë kurrë këtë. Por ngelet një qasje e shëmtuar, jo profesionale dhe të lind natyrshëm pyetja: Kush duhet të përgjigjet materialisht për vonesën tre muaj e gjysëm të procesit jetik të kompensimit financiar të qytetarëve, për pezullimin e përfitimit(qoftë dhe pjesërisht) të së drejtës së tyre të shenjtë të pronës private, aq keq të dhunuar dhe mohuar në tre dekadat e fundit? Gjykatësit e Kushtetueses do të përgjigjen, me pagat e tyre të rritura jo aq sa donin