Ballina Dossier Gjyqet ndaj nomeklaturës komuniste, dënimi i Ramiz Alisë e Adil Çarçanit për...

Gjyqet ndaj nomeklaturës komuniste, dënimi i Ramiz Alisë e Adil Çarçanit për një sërë krimesh: Vrasjet në kufi, internimet dhe lufta ndaj fesë

89
0

Gjyqi më voluminoz i fillimeve të demokracisë ka qenë ai ndaj 10 ish-zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, përfshi ish-Presidentin Ramiz Alia, ish-kryeministrin Adil Çarçani si dhe ish-ministra të tjerë.

Një sërë akuza për vrasje në kufi, për dhunim të besimit fetar, për internim dëbime masive, për ekzekutime pa gjyq e për represion sistematik ndaj qytetarëve në adresë Ramiz Alisë dhe krerëve të tjerë të regjimit komunist, në fund të procesit gjyqësor të vitit ‘94, konvertohet në dënimin për shpërdorim të rregullit të detyrës.

Ish-liderët komunist u kryqëzuan fillimisht për nxitjen e dhunimit ndaj fesë dhe lirisë së besimit fetar. Ramiz Alia ish-presidenti i fundit i regjimit diktatorial, u akuzua si protagonisti kryesor i fushatës shfarrosëse të institucioneve të kultit që nisi në rrethin e Durrësit në fillimin e vitit ‘67.

Trupi gjykues fajësoi për këtë “episod krimi”, siç cilësohet në dosjen e procesit, Rita Markon, ish-Sekretarin e Parë të Partisë të Durrësit si dhe Adil Çarçanin e Manush Myftiun ish anëtar të Byrosë Politike dhe pjestarë të Këshillit të Ministrave.

Në vendim del edhe ballafaqimi i fuksionarëve të lartë me faktet e dëshmitë rrëqethëse për vrasjet në kufi me urdhrat e fshehtë të tyre në fillimin e viteve ‘90.

Në botimin nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë “Gjyqet ndaj nomeklaturës komuniste 1993-1996” publikohet vendimi i plotë:

Vendimi

VENDIM “NË EMËR TË LIGJIT”. Gjykata e Rrethit Tiranë e përbërë prej: Andi Çeliku Kryetar i trupit gjykues; Barije Bitincka Anëtarë; Arben Kostandini Anëtarë; asistuar nga sekretaret gjyqësore Entela Haxhiaj e Gentiana Skëndo, me pjesëmarrjen e prokurorit Neshat Fana, në datat 21.5.1994, 22.5.1994, 27.5.1994, 28.5.1994, 29.5.1994, 3.6.1994, 4.6.1994, 5.6.1994, 7.6.1994, 8.6.1994, 11.6.1994, 12.6.1994, 18.6.1994, 23.6.1994, 28.6.1994, 2.7.1994 mori në shqyrtim në seanca gjyqësore me dyer të hapura

çështjen penale me nr.705 Akti, që i përket të pandehurve:

1) ADIL ÇARÇANI i biri i Hakiut dhe i Sabrijes, dtl.1922, lindur në Fushë-Bardhë

të Gjirokastrës dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i mbyllur në banesë pa rojë (mbrojtur nga avokati Riza Icka).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve e me dëm ekonomik në vlerën 484.778 të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal, si dhe për veprën e shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 107–13 të Kodit Penal.

2) MANUSH MYFTIU i biri i Hydaiut dhe i Hatijes, dtl.1919, lindur në Vlorë

dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë të pambaruar, i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i arrestuar më datë 31.8.1991, në Rep. 313 Tiranë (mbrojtur nga avokat Zamir Stefani).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me

pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve, të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal, si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në

bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 107–13 të Kodit Penal.

3) RAMIZ ALIA i biri i Taipit dhe i Sabies, dtl.1925, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i ve, i padënuar, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i mbyllur në banesë me rojë më datë 12.9.1992, më pas i arrestuar në Rep. 313 Tiranë (mbrojtur nga avokat Kleanthi Koçi).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve e me dëm ekonomik në vlerën 484,778 lekë, të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal, si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 107–13 të Kodit Penal.

4) RITA MARKO i biri i Sterjos dhe i Parashqevisë, dtl.1920, lindur në Korçë e

banues në Tiranë, me arsim të lartë të pambaruar; i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i arrestuar më datë 4.12.1991 në Rep. 313 Tiranë (mbrojtur nga avokat Ilir Selenica).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me

pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve, të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal, si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 107–13 të Kodit Penal.

5) SIMON STEFANI i biri i Muçit dhe i Varvarës, dtl.1929, lindur në Përmet dhe

banues në Tiranë, me arsim të lartë, i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i arrestuar më datë 8.7.1992 në Rep. 313 Tiranë (i mbrojtur nga avokat Roland Përmeti dhe Pirro Stefani).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me

pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve e në dëm të jetës së disa personave të vrarë në kufi, të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal, si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 107–13 të Kodit Penal.

6) HEKURAN ISAI i biri i Selmanit dhe i Zegjines, dtl.1933, lindur në Peqin dhe

banues në Tiranë, me arsim të lartë, i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i arrestuar më datë 28.9.1991 në Rep. 313 Tiranë (mbrojtur nga avokat Ilir Selenica).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me

pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuar nga nenet 107–13 të Kodit Penal.

7) Aranit Çela i biri i Hysniut dhe i Eminesë, dtl.1923, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i arrestuar më datë 8.1.1993 në Rep. 313 Tiranë (mbrojtur nga avokat Arben Vani).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me

pasojë shkeljen e paligjshme të lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal.

8) RRAPI MINO i biri i Jovanit dhe i Sofijes, dtl.1934, lindur në Bubullimë të

Lushnjës dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i arrestuar më datë 18.10.1993 në Rep. 313 Tiranë (mbrojtur nga avokat Arqile Lole).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me

pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve, të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal.

9) ZYLYFTAR RAMIZI i biri i Qazimit dhe i Xhevos, dtl.1934, lindur në Aranitas

të rrethit Fier dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i arrestuar më datë 18.10.1993 në Rep. 313 Tiranë (mbrojtur nga avokat Luan Beri).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me

pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve, të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal.

10) VEIZ HADËRI i biri i Shemos dhe i Fekos, dtl.1949, lindur në Rexhinë të

Tepelenës dhe banues në Sarandë, me arsim të lartë, i martuar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i arrestuar më datë 30.12.1993 në Rep. 313 Tiranë (mbrojtur nga avokat Vladimir Bineri).

AKUZUAR: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë veprime poshtëruese ndaj shtetasve të vrarë në kufi; të parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal.

Gjykata, pasi dëgjoi të pandehurit, dëshmitarët, ekspertët, administroi provat

shkresore, pasi dëgjoi përfaqësuesin e akuzës, i cili në prezencën e tij kërkoi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Manush Myftiu për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së shtetasve, parashikuar nga nenet 106–13 dhe 107–13 të Kodit Penal dhe dënimin respektivisht me nga 5 vjet heqje lirie me kusht, në bashkim të dënimeve përfundimisht të dënohet me 5 vjet heqje lirie me kusht për 5 vjet kohë.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Adil Çarçani për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së shtetasve, parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit

Penal dhe 107–13 të Kodit Penal dhe dënimin respektivisht me nga 5 vjet heqje lirie me kusht, në bashkim të dënimeve përfundimisht të dënohet me 5 vjet heqje lirie me kusht për 5 vjet kohë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Ramiz Alia për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së shtetasve, parashikuar nga nenet 106–13 dhe 107–13 të Kodit Penal dhe dënimin respektivisht me 8 vjet dhe 5 vjet heqje lirie, në bashkim të

dënimeve përfundimisht të dënohet me 10 vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Rita Marko për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së shtetasve, parashikuar nga nenet 106–13 dhe 107–13 të Kodit Penal dhe dënimin respektivisht me 8 vjet dhe 5 vjet heqje lirie, në bashkim të dënimeve përfundimisht të dënohet me 10 vjet heqje lirie.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Simon Stefani për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së shtetasve, parashikuar nga nenet 106–13 dhe 107–13 të Kodit Penal dhe dënimin respektivisht me 6 vjet dhe 4 vjet heqje lirie, në bashkim të dënimeve përfundimisht të dënohet me 8 vjet heqje lirie.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Hekuran Isai për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së shtetasve, parashikuar nga nenet 106–13 dhe 107–13 të Kodit Penal dhe dënimin respektivisht me 6 vjet dhe 3 vjet heqje lirie, në bashkim të dënimeve përfundimisht të dënohet me 6 vjet heqje lirie.

Pranimin e padisë civile të ngritur nga organi i Prokurorisë për këta të pandehur në bazë të nenit 155 të Kodit të Procedurës Penale.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aranit Çela për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 vjet heqje lirie.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Zylyftar Ramizi për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Rrapi Mino për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga nenet 106–13 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 vjet heqje lirie.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Veiz Hadëri për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet heqje lirie.

Pasi dëgjoi të pandehurit dhe avokatët e tyre, të cilët në fjalën e fundit kërkuan

pafajësi, shqyrtoi e bisedoi çështjen në tërësi:

Pranë kësaj gjykate, më datë 22.4.1994, nga organi i Prokurorisë së Rrethit Tiranë ka ardhur për shqyrtim e gjykim dosja hetimore Nr. 3 në ngarkim të të pandehurve Manush Myftiu, Adil Çarçani, Ramiz Alia, Rita Marko, Simon Stefani, Hekuran Isai, Aranit Çela, Zylyftar Ramizi, Rrapi Mino e Veiz Hadëri, të akuzuar sipas akuzave të sipërpërmendura. Nga hetimi gjyqësor i kësaj çështjeje penale rezultoi e provuar si më poshtë:

Të dhjetë të pandehurit e gjykuar, në periudha të ndryshme kohore kanë pasur

funksione të ndryshme, kryesisht funksione e detyra të larta partiake e shtetërore.

Kështu, i pandehuri Manush Myftiu nga viti 1948 ka qenë i zgjedhur deputet në

Kuvendin Popullor, në vitet 1949–1951 ka kryer detyrën e kryetarit të Kontrollit të Shtetit e ministrit të Drejtësisë ad interim, si dhe të zëvendëskryeministrit. Në vitet 1958–1966 ka qenë me detyrën e zëvendëskryetarit të parë të Këshillit të Ministrave e ministër i Arsimit e Kulturës e më pas nga vitet 1976–Korrik 1990 me detyrën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave. Për rreth 30 vjet ka qenë kandidat e anëtar i Byrosë Politike të K.Q.P.P.SH-së.

I pandehuri Adil Çarçani në vitet 1949–1951 ka kryer detyrën e sekretarit të

përgjithshëm të Këshillit të Ministrave e më pas atë të ministrit të Industrisë. Nga viti 1961 ka kryer detyrën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave e për periudhën 1982–Shkurt 1991 ka qenë me detyrën e kryetarit të Këshillit të Ministrave. Për shumë legjislatura ka qenë i zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor dhe nga viti 1956, kandidat e anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së.

I pandehuri Ramiz Alia nga viti 1948 ka qenë anëtar i KQ të PPSH-së e më pas

nga viti 1956–1985, kandidat e anëtar i Byrosë Politike të i KQ të PPSH-së. Për periudhën 1961–1985 ka qenë sekretar i KQ të PPSH-së; nga 1985–1991 ka kryer detyrën e sekretarit të parë të i KQ të PPSH-së. Gjithashtu, veç qenies deputet në disa legjislatura dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, nga viti 1982 deri 29.4.1991 ka qenë dhe me detyrën e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

I pandehuri Rita Marko nga viti 1956–1990 ka qenë kandidat e anëtar i Byrosë

Politike të i KQ të PPSH-së, deputet për shumë legjislatura të Kuvendit Popullor, nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, anëtar i Qeverisë e sekretar i KQ të PPSH-së etj.

I pandehuri Simon Stefani në vitet 1979–1989 ka qenë i zgjedhur deputet në

Kuvendin Popullor e në të njëjtën kohë anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, e për një periudhë të caktuar dhe sekretar i KQ të PPSH-së. Nga marsi i vitit 1989 deri në korrik 1990, ka kryer detyrën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave dhe të ministrit të Punëve të Brendshme.

I pandehuri Hekuran Isai nga viti 1976 deri në vitin 1990 ka qenë zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor dhe njëkohësisht anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së. Nga janari 1982 deri në shkurt 1989, si dhe korrik 1990 deri shkurt 1991 ka kryer detyrën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave dhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme.

I pandehuri Aranit Çela për vitet 1954–1958 dhe 1966–1990 ka kryer detyrën e

Kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndërsa në vitet 1958–1966 ka qenë me detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës.

I pandehuri Rrapi Mino nga viti 1977 deri në fillim të vitit 1992 ka kryer detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës.

I pandehuri Zylyftar Ramizi nga nëntori 1982 deri korrik 1990, veç qenies anëtar i KQ të PPSH-së, ka kryer dhe detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, me varësi e kontroll të drejtpërdrejtë ish-Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit.

I pandehuri Veiz Hadëri për vitet 1984–dhjetor 1990 ka qenë me detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit Sarandë.

Pra, del qartë se të pandehurit Ramiz Alia, Manush Myftiu, Adil Çarçani, Rita

Marko, e për një periudhë më të shkurtër të pandehurit Simon Stefani e Hekuran Isai kanë qenë të veshur vazhdimisht dhe në të njëjtën kohë me pushtet legjislativ, ekzekutiv e partiak. Ndërsa të pandehurit Aranit Çela e Rrapi Mino për një kohë të gjatë kanë drejtuar organet më të larta të pushtetit gjyqësor dhe kontrollit të zbatimit të ligjshmërisë.

U provua se me vendimin Nr. 524 datë 9.10.1951 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, janë deklaruar fajtorë 13 persona në lidhje me incidentin e ndodhur në Ambasadën Sovjetike më datë 19.2.1951, interpretuar si akt terrorist e krim i rëndë kundër popullit dhe shtetit.

Në bazë të provave të administruara nga Gjykata, si dosja penale Nr. 2771,

procesverbali i datës 20.2.1951 i mbledhjes së Byrosë Politike, procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë të datave 2.3.1951 dhe 8.3.1951, shkresat Nr. 7/130, 7/131, 7/132, 7/133, 7/134 datë 2.3.1951, vendimi Nr. 64 datë 10.8.1991 i Plenumit të Gjykatës së Lartë, shpjegimet e dëshmitarëve Siri Çarçani, Vangjel Kocani, Rasim Dedja, Vangjel Kote, Qemal Çeka, rezultoi se ngjarja e datës 19.2.1951 në Ambasadën Sovjetike ka shërbyer si pretekst edhe

për eliminimin e 22 intelektualëve të pushkatuar me këtë rast më 20.2.1951. Ndaj këtyre personave nuk është zbatuar asnjë procedurë ligjore dhe u janë mohuar të gjitha të drejtat e njohura me ligj dhe kushtetutë. Kështu, këta persona janë hetuar pa filluar çështja penale, pa procesverbale të pyetjes së tyre nga persona jokompetentë, nuk janë marrë të pandehur; nuk u është komunikuar akuza, pasi siç rezultoi, ajo është përpiluar më pas; nuk janë gjykuar, pasi siç rezultoi, gjyqi është zhvilluar më datë 27.2.1951, pas pushkatimit të tyre.

Këto shkelje të rënda e të tjera të evidentuara nga Plenumi i Gjykatës së Lartë

bënë që me vendimin Nr. 64 datë 10.8.1991, ky Plenum të prishte vendimin Nr. 64 datë 27.2.1951 të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe të pushonte gjykimi në ngarkim të personave të dënuar.

Për të gjitha këto janë vënë në dijeni edhe të pandehurit Adil Çarçani e Manush

Myftiu, të cilët në mbledhjen e Qeverisë, datë 2.3.1951, janë informuar nga Mehmet Shehu për masat e marra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe pushkatimet e tyre.

Gjithashtu duke qenë prezentë në mbledhjen e Qeverisë më datë 8.3.1951,

me cilësinë e anëtarëve të Qeverisë, këta të pandehur kanë shqyrtuar dhe marrë vendim për miratimin e projektdekretit nr.1223 “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”. Ky dekret, në

fakt, është firmosur më 26.2.1951 nga kryeministri Enver Hoxha për të justifikuar gjyqin, ndonëse formal, të zhvilluar më 27.2.1951 pa praninë e prokurorit dhe të avokatëve, në të vërtetë edhe pa praninë e të gjykuarve.

Ndërkohë Kushtetuta e vitit 1950, në nenin 22 të saj, ndër të tjera sanksionon se “asnjëri nuk mund të dënohet për një faj, pa vendim të gjykatës kompetente e pa u dëgjuar e thirrur që të mbrohet sipas përshkrimeve të ligjit”. Për rrjedhojë, askush nuk mund të ekzekutohet pa vendim të gjykatës kompetente.

Me veprime që binin në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës,

i pandehuri Adil Çarçani, me detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë deri në 5.3.1951, me një urdhër gojor të kryeministrit Enver Hoxha, ka lëshuar shkresat nr.7/130, 7/131, 7/132, 7/133, 7/134 datë 2.3.1951, me të cilat dërgohen nëpër disa qytete 18 familje të dëbuara nga Tirana, të të pushkatuarve pa gjyq, të quajtur nga ky i pandehur si familje reaksionarësh dhe nën “kujdesin” që “t’u gjendet punë sa për të siguruar bukën e gojës”. Këto shkresa nuk rezulton të jenë nxjerrë mbi bazën e ndonjë vendimi të Komisionit të Posaçëm të Dëbimeve dhe në kundërshtim me kriteret e dekretligjit nr.649 datë 10.1.1949 “Mbi zbatimin e dënimeve të dëbimit dhe të konfiskimit si masë administrative”, në nenin 4 të së cilit thuhet ndër të tjera: “Dëbimi zbatohet me vendim të arsyetuar të një komisioni të veçantë të formuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme”. Pra, del e qartë se ky i pandehur ka kryer një veprim gjatë ushtrimit të detyrës së tij, për të cilin nuk ishte aspak

kompetent. Gjithashtu i emëruar me detyrën e ministrit të Drejtësisë ad interim me dekretin nr.1235 datë 5.3.1951, i pandehuri Manush Myftiu duke qenë në dijeni të plotë të situatës, nuk ka reaguar me mjetet ligjore, ndonëse ligji ia njihte një detyrim për të kontrolluar zbatimin e drejtë të ligjeve, p.sh., duke i propozuar kryetarit të Gjykatës së Lartë ushtrimin e kërkesës për mbrojtje ligjshmërie, kundër vendimeve të padrejta.

Si i pandehuri Manush Myftiu, edhe i pandehuri Adil Çarçani, i emëruar më 5.3.1951 Ministër i Industrisë, si anëtarë qeverie, me veprimet dhe mosveprimet e mësipërme të paligjshme, të kryera këto me dashje në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrave

të larta shtetërore që kryenin, kanë sjellë si pasojë që për dhjetëra vjet, pjesëtarët e familjeve të të pushkatuarve pa gjyq të jetojnë në kushte të vështira jetese dhe pune dhe me të drejta të kufizuara, si dhe mbulimin e një krimi të tillë për vite me radhë. Gjithashtu kjo vepër e kryer nga të pandehurit ka për objekt marrëdhëniet që janë vendosur për të siguruar veprimtarinë

normale të aparatit shtetëror me anën e të cilit sigurohet ndër të tjera mbrojtja e interesave shoqërorë dhe të drejtave e interesave të ligjshme të shtetasve.

Në këtë prizëm, qëndrimi i këtyre të pandehurve bie ndesh me nenet 62 e 63 të

Kushtetutës së vitit 1950, sipas të cilave “Qeverisë i lind detyrimi që, në zbatim të kushtetutës dhe të ligjeve, të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave të shtetasve”.

Kështu, përgjegjësia e të pandehurve Adil Çarçani dhe Manush Myftiu rrjedh dhe nga përmbajtja e nenit 67 të Kushtetutës së vitit 1950, sipas të cilit: “Anëtarët e Qeverisë janë përgjegjës penalisht për shkeljen e kushtetutës dhe të ligjeve në lidhje me ushtrimin e funksioneve të tyre”.

Me të drejtë nga ana e prokurorit të seancës nuk u akuzua përfundimisht për këtë episod i pandehuri Rita Marko. Siç u vërtetua në seancë gjyqësore, ky i pandehur është kthyer në Shqipëri nga Bashkimi Sovjetik ku ishte për kurim më 28.2.1951, pra, pas ngjarjes në fjalë dhe me dekretin e datës 5.3.1951 është shkarkuar si anëtar i Qeverisë. Kështu, më datë 8.3.1951, kur është shqyrtuar dhe projektdekreti nr.1223, ky i pandehur nuk ka qenë anëtar i Qeverisë. Në këto kushte i pandehuri Rita Marko nuk mund të jetë subjekt i këtij episodi, i veprës penale të shpërdorimit të detyrës, vepër për të cilën ai akuzohet e rrjedhimisht nuk duhet të përgjigjet për këtë episod.

Nga hetimi gjyqësor rezultoi se veprimtaria e Sigurimit të Shtetit është rregulluar me “Platformat e punës operative të Organeve të Punëve të Brendshme”, të miratuara nga Byroja Politike e K.Q.P.P.SH-së në vitet 1954, 1958, 1964, 1977, 1985, 1989 së bashku me anekset shtesë të tyre, për të cilat të pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Rita Marko kanë dhënë aprovimin e tyre që nga viti 1958, i pandehuri Hekuran Isai nga viti 1977 dhe i pandehuri Simon Stefani që nga viti 1985.

Në legjislacionin në fuqi të këtyre periudhave kohore, si dhe në statutin e vitit 1946 e në Kushtetutat e viteve 1950, 1976, është sanksionuar parimi se “Kushtetuta është ligj themeltar i shtetit dhe zbatimi i përpiktë dhe i njëllojtë i saj dhe i ligjeve është i detyrueshëm për të gjithë veprimtarinë e organeve shtetërore dhe i gjithë hallkave të tjera”. Kjo qartëson faktin se e gjithë veprimtaria shtetërore duhej të bazohej vetëm në normat kushtetuese dhe

në ligjet e nxjerra vetëm në bazë e për zbatim të kushtetutës. Për sa më sipër rezultoi se në drejtime të veçanta të ushtrimit të veprimtarisë shtetërore, ky detyrim është shkelur. Kështu, veprimtaria e Organeve të Sigurimit të Shtetit nëpërmjet platformës së punës operative të Organeve të Punëve të Brendshme, nuk është bazuar në normat juridike kushtetuese. Të këtij

karakteri janë dhe udhëzimet e Byrosë Politike datë 12.2.1985 “Për thellimin e mëtejshëm të udhëheqjes dhe kontrollit të partisë në veprimtarinë e Organeve të Punëve të Brendshme”, e nënshkruar nga i pandehuri Ramiz Alia, projektshtesë “Për disa ndryshime të kapitullit të 7 të platformës së vitit 1985”, të miratuar gjithashtu nga i pandehuri Ramiz Alia.

Ish-Organet e Sigurimit të Shtetit ndonëse bënin pjesë në strukturën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nën vartësi e kontroll të drejtpërdrejtë të Këshillit të Ministrave, nuk e ushtronin veprimtarinë e tyre si hallkat e tjera të administratës shtetërore por nën kontrollin e Organeve partiake dhe nën të ashtuquajturin “vetëkontroll”. Kështu, p.sh., në platformën e vitit 1985, në nenin 2 thuhet se “Organet e Punëve të Brendshme udhëhiqen

vazhdimisht dhe kontrollohen nga partia”, për Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë së Rrethit nuk ka asnjë kufizim konspiracioni të punës operative të Organeve të Punëve të Brendshme. “Ministria e Punëve të Brendshme jep llogari në Byronë Politike, sekretariatin e KQ të PPSH-së, plenumin e KQ të PPSH-së dhe në fund në Këshillin e Ministrave”.

Këto forma të paligjshme të ushtrimit të kësaj veprimtarie shtetërore kanë lënë shteg për arbitraritet, duke sjellë si pasojë shkeljen e mohimin e një sërë lirish dhe të drejtash themelore të shtetasve, liri dhe të drejta këto të sanksionuara në Kushtetutat e viteve 1950, 1976, si dhe ligjet e dala në bazë e për zbatim të tyre.

Në platformat e Organeve të Punëve të Brendshme, Organeve të Sigurimit u

njihet e drejta të veprojnë në kundërshtim me garancitë e shpallura në nenet 24 dhe 58 përkatësisht të Kushtetutave të viteve 1950 e 1976 dhe ligjit penal e procedural penal. P.sh., në kapitullin 7, pika 1 të platformës së vitit 1985 përcaktohet se Organet e Punëve të Brendshme kanë të drejtën “Të bëjnë kontroll sekret të korrespondencës, postë-telefonit, telegrafike të të dënuarve dhe korrespondencën e të internuarve e të dëbuarve …. kontrolli postar i korrespondencës së jashtme bëhet i përgjithshëm. Ai përfshin kontrollin e të gjithë korrespondencës e të kolive që qarkullohen nëpërmjet kanaleve postare e doganore (letra e telegrame), biseda telefonike, pako kolipostë, telekse, shirita magnetikë, kaseta, videokaseta, shtypin e botimeve të ndryshme. Kontrolli i shtypit dhe i botimeve që vijnë në vendin tonë nga jashtë dhe anasjelltas, të bëhen sipas rregullave të caktuara nga K.Q.P.P.SH-ja. Gjatë kontrollit të korrespondencës, Organet e Punëve të Brendshme kanë të drejtë

të ndalojnë e të konfiskojnë korrespondencën. Kontrolli i korrespondencës të bëhet pa lënë gjurmë ….”. Është e qartë se kjo përmbajtje e këtij akti bazë për punën e Organeve të Punëve të Brendshme nuk ka asgjë të përbashkët me Kushtetutën e kësaj periudhe, përkundrazi bie në kundërshtim flagrant me të. Kështu, në nenin 58 të Kushtetutës së vitit 1976 përcaktohet se “Fshehtësia e korrespondencës dhe e mjeteve të tjera të komunikimit nuk mund të cenohen

veçse në rastet e hetimit të një krimi, të gjendjes së jashtëzakonshme ose të luftës”; në nenin 53 të po kësaj Kushtetute sanksionohet se “Shtetasit gëzojnë lirinë e shtypit”; gjithashtu në nenin 87 të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet detyrimi ligjor se “Sekuestrimi i korrespondencës post-telegrafike bëhet nga hetuesi me miratimin e prokurorit, ose nga gjykata, dhe gjithmonë në prani të përfaqësuesit të zyrës përkatëse të PT-së”.

Si pasojë e këtyre e shkeljeve është kontrolluar e censuruar mendimi i lirë i mijëra shtetasve; konkretisht nga materialet e administruara në seancë gjyqësore rezultoi se prej krijimit të strukturave të posaçme për realizimin e kontrollit postar në rrethin e Sarandës për periudhën 1.1.1984 deri më 31.12.1984 është kontrolluar dhe sekuestruar korrespondenca

e shtetasve të ndryshëm në 308 raste. Po në këtë rreth nga procesverbalet e këqyrjes së regjistrave të Degës së Punëve të Brendshme Sarandë (procesverbale të administruara në dosje) rezulton se nga viti 1973–1983 është ushtruar kontroll në 3.899 raste. Gjithashtu nga informacionet zyrtare rezulton se është ushtruar kontroll ndaj korrespondencës së mijërave

personave dhe në mijëra raste sidomos në qytetet Tiranë, Sarandë, Vlorë etj.

Sa më sipër u vërtetua në seancë gjyqësore dhe me shpjegimet e dëshmitarëve të ndryshëm, si Maqo Çomo, Qazim Zeka, Mihallaq Ziçishti, Zvetllana Marku etj., madje dëshmitari Serjan Cacaj shpjegoi se të dënuarit letrat që i dërgonin familjeve ua dërgonin të hapura, të detyruar nga rregulla e vendosur, shkelje kjo demonstrative e parimit kushtetues të sipërcituar.

Po kështu, sa më sipër u vërtetua dhe me shpjegimet e vetë të pandehurve të cilët në pjesën më të madhe të tyre e konsideruan këtë veprim antikushtetues e antiligjor, si diçka të natyrshme e konform të gjitha normave.

Gjithashtu liria e mendimit dhe e fjalës së shtetasve (sanksionuar nën nenin 53 të Kushtetutës së vitit 1976) është cenuar edhe nëpërmjet këshillimeve dhe demaskimeve ndaj tyre, si forma të punës të parashikuara në udhëzimin “Për thellimin e mëtejshëm të udhëheqjes dhe kontrollit të Partisë në veprimtarinë e Organeve të Punëve të Brendshme”.

Me këtë udhëzim u diktohej komiteteve të Partisë në rrethe dhe Organeve të Punëve të Brendshme që të vepronin me të drejtën e subjektit ligjor për aplikimin e politikës penale, nën pretekstin e ruajtjes së njerëzve. Kështu, në udhëzim theksohej: “Për personat që zhvillojnë veprimtari armiqësore dhe mendohet të bëhet diferencimi i tyre, duke i këshilluar

ose demaskuar, Dega e Punëve të Brendshme i dërgon sekretarit të parë të Komitetit të Partisë një relacion përmbledhës, ku flitet për personin dhe veprimtarinë e tij armiqësore, duke propozuar edhe masën që mendohet të merret ndaj tij, këshillim apo demaskim.

Organizimin dhe kryerjen e këshillimit apo demaskimit të këtyre personave e bën vetë Komiteti i Partisë i Rrethit”.

Ndërkohë në nenin 73 të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet se “Gjykata,

gjyqtari i vetëm ose hetuesi, në raste të veçanta kanë të drejtë të mos fillojnë çështjen penale ose gjatë hetimit dhe gjykimit në shkallë të parë, ta pushojnë vetë kur çmojmë se rrezikshmëria e veprës së kryer dhe e personit është e vogël dhe ky tregon pendim të thellë”.

Gjithashtu në nenin 56 të Kushtetutës së vitit 1976 dhe nenin 5 të Kodit të Procedurës Penale sanksionohet se “Askush nuk mund të deklarohet fajtor pa vendim të gjykatës”.

Konkretisht nga formacionet zyrtare të administruara në seancë gjyqësore rezulton se për periudhën 1977–1990 nga ana e Komiteteve të Partisë të rretheve janë demaskuar ose këshilluar mbi 3.700 persona, kryesisht për krimin e agjitacion-propagandës, ndërsa nga Organet e Punëve të Brendshme mbi 2.170 persona. Nga rrethet me numër më të madh këshillimesh dhe demaskimesh janë Tirana, Korça, Shkodra, Durrësi etj. Nga shpjegimet e

dëshmitarit Janaq Syko, ish-instruktor në Komitetin e Partisë të Rrethit Vlorë, rezultoi se demaskimi ose këshillimi, i cili kryhej zakonisht në salla me pjesëmarrje të madhe drejtohej nga Komiteti i Partisë, nëpërmjet përfaqësuesve të vet. Në rolin e gjyqtarit dhe të prokurorit,

nga ana e përfaqësuesve të Komitetit të Partisë merrej në pyetje dhe jepte shpjegime personi që këshillohej apo demaskohej. Ky i fundit, në rolin e të pandehurit, duhej të përballonte trysninë e “dëshmitarëve”, punonjës të Organeve të Punëve të Brendshme, të cilët kishin dhënë dhe përpunuar informatat mbi të. Pasi i vërtetohej “fajësia”, personit i zgjidhej edhe

masa, këshillim ose demaskim. Kjo formë pune, veç pasojave të përmendura më sipër, sillte me vete “njollën” që u mbetej këtyre personave dhe që u përmendej në çdo aspekt të jetës, për t’i krijuar privacione. Për të mbështetur argumentin e mësipërm sjellin shembullin e vendimeve të Komisionit të Internim-Dëbimeve, ku në disa raste si motivacion për internimin apo

dëbimin e personave ka shërbyer fakti që pjesëtarë të familjes janë këshilluar apo demaskuar në periudha të ndryshme kohore. Ky fakt hedh poshtë pretendimin e të pandehurve se këto forma pune ishin për të ruajtur njerëzit dhe parandaluar krimin, pasi personat e këshilluar apo demaskuar, në rastin e vendimeve të Komisionit të Internim-Dëbimeve, janë njësuar me personat që kanë kryer veprat penale të parashikuara si kritere të dekretit për internimdëbimet. Në këto kushte, pavarësisht nga fakti që të pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Rita Marko, Hekuran Isai e Simon Stefani i mohojnë edhe këto episode të akuzës ndaj tyre, për shpërdorim detyre, ata për sa më sipër duhet të mbajnë përgjegjësi penale duke u përgjigjur për ato periudha që ka vepruar dhe Platforma e ndërtuar nga ata.

Në veprimet e qëndrimet e të pandehurve të mësipërm duken qartë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Objekti i kësaj vepre penale, e konkretisht i këtij episodi kriminal, janë marrëdhëniet e vendosura për mbarëvajtjen e rregullt dhe funksionimin normal të aparatit shtetëror, më saktë të Organeve të Punëve të Brendshme të asaj kohe, e më gjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe për veprimtarinë normale të organeve kompetente për realizimin

e drejtësisë, gjykatave. Gjithashtu objekt i kësaj figure krimi janë dhe marrëdhëniet e vendosura për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, si dhe të rendit konstitucional.

Nga ana objektive të sipërpërmendurit veprën penale e kanë kryer me veprime e mosveprime të kundërligjshme me kushtetutën me përmbushjen e rregullt të detyrës, duke miratuar të gjithë së bashku akte me përmbajtje antikushtetuese e antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë çrregullimin e funksionimit normal të aparatit shtetëror dhe shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të anëtarëve.

Subjekt i këtij krimi janë të gjashtë këta të pandehur, të cilët për periudhat që

akuzohen kanë ushtruar funksione të larta, duke qenë të veshur me pushtet të gjithanshëm, qoftë partiak si kandidatë e anëtarë të Byrosë Politike, qoftë ekzekutiv si anëtarë Qeverie, qoftë legjislativ si deputetë në Kuvendin Popullor. Ky fakt i fundit hedh dritë edhe mbi elementin tjetër të figurës së krimit të shpërdorimit të detyrës, anën subjektive. Të pandehurit kanë vepruar me dashje për kryerjen e kësaj vepre penale, pasi me detyrat e larta që ata

kishin, me njohuritë për legjislacion (meqë ishin të veshur edhe me pushtet legjislativ) ata kanë qenë të detyruar për të parashikuar pasojën, por pasojën ata e kanë dëshiruar dhe me dashje e kanë lejuar ardhjen e saj, pasi efekti i saj do t’i mbante ata siç i mbajti për vite të tëra në pushtet.

Bashkëpunimi midis të pandehurve Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Rita Marko, Simon Stefani e Hekuran Isai, del i qartë nga fakti që në periudha të ndryshme kohore, në mënyrë kolegjiale me propozime dhe diskutime me njëri-tjetrin, kanë miratuar një akt me përmbajtje antikushtetuese e pjesë të caktuara të tij. Kjo vërtetohet me provat shkresore të administruara në seancë gjyqësore, si shkresa e letra propozuese, raporte justifikuese, tekstet e plota të Platformave të Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme, procesverbale të mbledhjeve të Byrosë Politike etj.

Për sa i përket episodeve të shpërdorimit të detyrës në ngarkim të të pandehurve Aranit Çela e Rrapi Mino, lidhur me arrestimin 14-ditor dhe ndalimet 72-orëshe të bëra nga Sigurimi i Shtetit, trupi gjykues vlerëson se këto episode duhet të bien, gjë të cilën e kërkoi edhe prokurori i seancës gjyqësore, pasi këto përbënin një të drejtë të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale në nenin 47 të tij dhe Platforma e Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme e ndërthurur me ligjin procedural penal.

Gjithashtu gjykata e çmon të drejtë qëndrimin e prokurorit ndaj akuzës së bërë të pandehurve Hekuran Isai dhe Zylyftar Ramizi për “miratimin e vendimit për tërheqjen në bashkëpunim sekret me material detyrues” të shtetasit Sali Rama, duke e konsideruar atë të pabazuar, pasi një të drejtë të tillë këtyre të pandehurve ia jepte “Platforma e Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme” dhe ata kanë vepruar në bazë e për zbatim të saj.

E pabazuar është dhe akuza për shpërdorim detyre ndaj të pandehurit Zylyftar

Ramizi për episodin e propozimit të ndryshimeve në Platformë, njohjes dhe zbatimit të saj.

Këto veprime ky i pandehur i ka kryer në zbatim të përmbushjes së rregullt të detyrës së tij, ndaj për këtë episod ai nuk duhet të përgjigjet penalisht.

Në Kushtetutën e vitit 1950, në nenin 18 të saj thuhet: “Të gjithë shtetasve u

garantohet liria e ndërgjegjes dhe e besimit, komunitetet fetare janë të lira në çështjet e tyre të besimit, si dhe në ushtrimin dhe praktikimin e jashtëm të tyre”. Me akte nënligjore të nxjerra mbi bazën e këtij parimi kushtetues, komunitetet fetare janë njohur si persona juridikë dhe e kanë zhvilluar rregullisht veprimtarinë e tyre. Rezultoi e provuar se në fillimet e vitit 1967, në bazë të qëndrimit partiak të të pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu e Rita Marko së bashku me udhëheqjen e lartë të asaj kohe, kanë pranuar dhe rënë dakord për nxitjen e dhunimit të fesë dhe lirisë së besimit fetar.

I pandehuri Ramiz Alia shpjegoi në seancë gjyqësore se “vendimi që u mor për fenë ishte qëndrim partiak”. “Nisma” e nxënësve të Durrësit ishte ideuar dhe nxitur edhe nga këta të pandehur. I pandehuri Rita Marko shpjegoi në seancë gjyqësore se këto probleme diskutoheshin në atë periudhë “lart” në Sekretariat, në një kohë që është i njohur fakti se në këtë periudhë i pandehuri Ramiz Alia ishte sekretar i KQ të PPSH-së për problemet ideologjike.

Dëshmitari Todi Lubonja shpjegoi në seancë gjyqësore se duke qenë në vitin 1967 kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, organ i KQ të PPSH-së, ishte i detyruar të pasqyronte luftën kundër fesë në faqet e gazetës që drejtonte, pasi ky (qëndrimi ndaj fesë) ishte një vendim i KQ të PPSH-së.

Gjithashtu mbi këto fakte hodhi dritë edhe dëshmia e dëshmitarit Mihallaq Ziçishti, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit Korçë, në atë kohë. Ky mekanizëm për goditjen e fesë u vu në lëvizje fillimisht në rrethin e Durrësit. Nga dëshmitë e administruara të dëshmitarëve Kujtim Kabashi e Shyqyri Mushketa rezulton se në këtë kohë janë thirrur në Komitetin e Partisë të Rrethit Durrës dhe janë orientuar për luftën kundër fesë, duke u bërë

iniciatorë dhe duke nxitur propagandën antifetare. Shtytje kësaj lëvizjeje, në këtë rreth, i ka dhënë dhe i pandehuri Ramiz Alia në vizitën e tij në këtë periudhë, duke dhënë orientimet përkatëse, të cilave u dha drejtim përfundimisht Enver Hoxha në fjalimin e 6 shkurtit 1967, i konsideruar në atë kohë si “fjalim historik”, i cili në një tjetër këndvështrim mbetet përsëri

Nëpërmjet këtij diktati partiak u arrit fillimisht në Durrës dhe më pas në rrethet e tjera të kufizohej e më vonë të mohohej tërësisht ushqimi shpirtëror i popullit, u godit ai ndikim pozitiv i komuniteteve të ndryshme fetare për kultivimin e tolerancës dhe paqes, edukimin me virtyte të popullit, si dhe vlerat kulturore e historike që mbanin me vete objektet e kultit, në një shkallë më të egër edhe persekutimi i gjithanshëm i personaliteteve të institucioneve fetare. Për faktin që ky qëndrim partiak ndaj fesë ishte një veprim antikushtetues shpjegoi dhe i pandehuri Ramiz Alia, i cili theksoi se menjëherë pas goditjes së fesë filloi puna në komisione për t’u pasqyruar në Kushtetutën e re (që doli 9 vjet më vonë, në 1976-ën) ky ndryshim në kapitullin e lirive e të drejtave themelore të shtetasve.

Ky moment tregon edhe dijeninë e plotë për shkeljen e Kushtetutës dhe dashjen nga ana e këtyre të pandehurve për të ndërmarrë në bashkëpunim me njëri-tjetrin këtë veprim antikushtetues, i sanksionuar vetëm në vitin 1976. Me dashje kanë vepruar të pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu, të cilët neni 63 i Kushtetutës së vitit 1950, si anëtarë Qeverie i ngarkonte me detyrën e mbrojtjes së lirive e të drejtave kushtetuese, por këta të pandehur

në të kundërt kanë nxjerrë akte që ndalonin aktivitetin e mëtejshëm të komuniteteve fetare dhe viteve të besimit fetar.

Pra, del e qartë ana subjektive e kësaj figure krimi, subjekte të të cilit janë i

pandehuri Ramiz Alia në atë kohë në funksionin e sekretarit të KQ të PPSH-së; i pandehuri Rita Marko, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit Durrës; të pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu, anëtarë Qeverie, e të gjithë bashkë, anëtarë të Byrosë Politike, të KQ të PPSH-së.

Ana objektive e kësaj figure krimi qëndron në veprimet e mosveprimet e

kundërligjshme në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, të kryera në bashkëpunim si anëtarë të forumit më të lartë të P.P.SH-së dhe anëtarë Qeverie nga këta të pandehur, që solli si pasojë shkeljen e lirisë së besimit.

Objekti i këtij episodi të veprës penale të shpërdorimit të detyrës janë marrëdhëniet e vendosura për mbrojtjen e rendit kushtetues në Republikën e Shqipërisë dhe lirive e të drejtave themelore të shtetasve.

Përfundimisht trupi gjykues vlerëson se të pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani,

Rita Marko e Manush Myftiu duhet të përgjigjen penalisht edhe për këtë episod të krimit të shpërdorimit të detyrës, për të cilin ata akuzohen, parashikuar kjo vepër penale nga nenet 106 e 13 të Kodit Penal.

Në nenin 16 të Kodit Penal të vitit 1952 dhe nenin 17 të Kodit Penal të vitit 1977 përcaktohet se internimi dhe dëbimi janë lloje të dënimeve penale që jepen nga gjykata dhe kundër atyre personave që kryejnë krime ose kundërvajtje penale.

Në Kushtetutat e viteve 1946, 1950 dhe 1976 sanksionohej se “asnjëri nuk mund të internohet ose dëbohet, veçse në raste të veçanta të parashikuara në ligj”.

Nga hetimi gjyqësor rezultoi se ky lloj i dënimit penal i është njohur për zbatim edhe një organizmi administrativ jashtë sistemit të organeve gjyqësore, siç ka qenë Komisioni Qendror i Internim-Dëbimeve, me dekretet e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.649 datë 10.1.1949, nr.1906 datë 2.8.1954, nr.3027 datë 12.1.1960, nr.5912 datë 26.6.1979, nr.7071 datë 15.9.1986. Të pandehurit Manush Myftiu, Hekuran Isai, Aranit Çela dhe Rrapi Mino për një kohë të gjatë kanë qenë në përbërje të këtij komisioni.

Kështu, i pandehuri Manush Myftiu ka qenë me cilësinë e kryetarit të komisionit nga viti 1977 deri në vitin 1989 për afro 12 vjet; i pandehuri Hekuran Isai ka qenë me cilësinë e nënkryetarit nga viti 1982 deri në vitin 1989, për afro 7 vjet; i pandehuri Aranit

Çela me cilësinë e anëtarit nga viti 1960 deri në vitin 1989, për afro 29 vjet; i pandehuri Rrapi Mino si anëtar i komisionit nga viti 1976 deri në vitin 1986, për gati 10 vjet.

Sipas kritereve të përcaktuara nga dekretet e sipërcituara, vendimi për internim ose dëbim, si masë administrative, mund të merrej kundër personave që paraqesin rrezikshmëri shoqërore, si dhe kundër pjesëtarëve të familjeve të të arratisurve, në qoftë se ata bashkëjetonin ose kanë qenë në ngarkim të tij.

Rezulton se Komisioni Qendror i Internim-Dëbimeve nuk e ka mbështetur punën e tij mbi bazën e ndonjë rregulloreje dhe nuk mbahej ndonjë protokoll e procesverbal për zhvillimin e mbledhjeve të tij.

Gjithashtu të dhënat e pasqyruara në propozimet për internim-dëbim nuk

verifikoheshin nëse pasqyronin realitetin ose jo. Kjo praktikë pune ka sjellë si pasojë që një sërë vendimesh të merreshin jo në bazë të kritereve ligjore, por mbi bazën e subjektivizmit e njëanshmërisë.

Për periudhën 2.8.1954 deri 26.6.1979, vendimet e komisionit janë marrë duke

pasur si bazë ligjore dekretligjin 1906 datë 2.8.1954. Nga akti i ekspertimit përkatës i datës 21.3.1994 rezultoi se vetëm për periudhën 1970–1979, 198 vendime të Komisionit Qendror të Internim-Dëbimeve kanë përsëritur disa

herë dhe për të njëjtin motivacion masën e internimit ose dëbimit. Këto vendime janë të firmosura të gjitha nga i pandehuri Aranit Çela dhe pjesërisht nga të pandehurit Manush Myftiu dhe Rrapi Mino.

Këto vendime kanë sjellë pasojë që persona e familje të caktuara të internohen e dëbohen deri dhjetëra vjet. Ky veprim ka qenë i paligjshëm, sepse dekretligji nr.1906 data 2.8.1954, nuk i jepte të drejtë Komisionit Qendror të Internim-Dëbimeve për të zgjatur me përsëritje masën e internim-dëbimit, por i referonte në afatet e përcaktuara nga nenet 21 e 22 të Kodit Penal.

Kjo e drejtë këtij komisioni i është njohur vetëm me dekretin nr.5912 datë 26.6.1979.

Në këto kushte i pandehuri Aranit Çela duhet të përgjigjet penalisht për të gjitha vendimet e këtij karakteri që nga viti 1960 deri në vitin 1979, me daljen e dekretit të ri të këtij viti, ndërsa të pandehurit Manush Myftiu dhe Rrapi Mino për vendimet që i përkasin periudhës së tyre.

Kriteret ligjore për marrjen e një vendimi nga ana e Komisionit shpeshherë janë shkelur duke i tejkaluar ose duke i bërë padrejtësisht një interpretim të zgjeruar.

Kështu, janë internuar ose dëbuar persona apo familje, sepse kishin të arrestuar ose të dënuar pjesëtarë të familjes për agjitacion e propagandë, se familja ishte me përbërje jo të mirë politike etj., pa u argumentuar në këto vendime se ku qëndronte rrezikshmëria shoqërore e këtyre shtetasve, duke u mjaftuar në mundësinë e pasqyrimit në të ardhmen të kësaj rrezikshmërie shoqërore në opinion. P.sh., me vendimin nr.12 datë 24.9.1982, të

nënshkruar nga këta katër të pandehur, janë internuar për pesë vjet kohë 29 persona nga Fieri me motivacionin “Për arsye se pjesëtari i familjes së tyre u arrestua për veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës armiqësore në grup …”. Po kështu, me vendimin nr.13 datë 27.9.1982, të firmosur nga këta të pandehur, për 10 persona nuk përmendet asnjë lloj motivacioni.

Në datë 29.9.1982 të katër të pandehurit, me vendimin nr.14, kanë vendosur

internimin e 12 personave në kohën maksimale me motivacionin se anëtarë të familjes janë arrestuar për agjitacion e propagandë.

Vendimet nr. 12 dhe nr. 14 të vitit 1982 kanë shërbyer dhe si presion ndaj organeve të drejtësisë duke iu imponuar atyre dhe paragjykuar çështjen në ngarkim të personave të arrestuar.

Gjithashtu të pabazuara janë dhe vendimet nr. 8, 10, 16, 11 të vitit 1982, të

nënshkruara nga të katër të pandehurit, mbi bazën e të cilave janë internuar padrejtësisht rreth 30 persona.

Për periudhën e viteve 1975–1876–1978–1980–1982, me motivacionin se kanë persona të afërm të arrestuar ose të dënuar për agjitacion e propagandë, me vendim të Komisionit Qendror të Internim-Dëbimeve janë internuar padrejtësisht 132 persona, si

p.sh., me vendimet nr. 11, 14, 15, 16, 18 të vitit 1975, ku janë internuar 48 persona dhe në përbërje të Komisionit ka qenë i pandehuri Aranit Çela.

Gjithashtu jashtë kritereve ligjore janë marrë edhe vendimet Nr. 5 e 10 të vitit 1978 dhe nr. 16 të vitit 1980, ku në përbërje të Komisionit kanë qenë të pandehurit Aranit Çela, Manush Myftiu e Rrapi Mino e ku janë internuar 27 persona, kryesisht se kanë të arratisur

të afërmit e tyre dhe mbajnë qëndrim jo të mirë politik.

Në këtë mënyrë, subjektivizmi ka ndjekur hap pas hapi punën e këtij komisioni, e në rastin konkret të katër të pandehurve, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës së tyre.

I pandehuri Aranit Çela shpjegoi në seancë gjyqësore se edhe në disa raste që nuk ka qenë dakord me marrjen e vendimit (kur nuk përputhej me kriteret ligjore) ai ka firmosur, pasi siç shpjegoi, edhe sikur të mos firmoste, vendimi do të merrej.

Duket qartë se ky i pandehur, me dashje, ndonëse e dinte se po firmoste një vendim të kundërligjshëm, e ka kryer një veprim të tillë. Dashja në veprimet e të pandehurve Aranit Çela e Rrapi Mino duket edhe në përmbajtjen e relacionit me nr.355 prot. datë 21.3.1990, drejtuar të pandehurit Manush Myftiu, ku thuhet: “Megjithëse Kushtetuta jonë në nenin 56 të saj lë rrugën e hapur për marrjen e masave të tilla (internimin dhe dëbimin) në rrugë administrative, kemi mendimin se dekreti nuk përputhet me frymën e përgjithshme të vetë Kushtetutës. Sipas dekretit, shtetasit mund të internohen dhe dëbohen përkatësisht nga tre muaj deri në pesë vjet, si rregull, vetëm mbi bazën e të dhënave që grumbullojnë Organet e Punëve të Brendshme, të cilat nuk kalojnë në asnjë procedurë të rregullt. Një mënyrë e tillë nuk krijon garanci për vendime të bazuara dhe të drejta”.

Po kështu, edhe i pandehuri Manush Myftiu dhe i pandehuri Hekuran Isai, veprimet e tyre i kanë kryer me dashje, siç del nga shkresa 719 datë 31.3.1990, e Këshillit të Ministrave ku bënin pjesë këta të pandehur, drejtuar K.Q.P.P.SH-së, ku thuhet: “Legjislacioni ynë i lidh masat e shtrëngimit shtetëror si me kryerjen e një akti të kundërligjshëm, ashtu edhe me ekzistencën e fajit. Siç dihet dekreti për internimin e dëbimin si masë administrative, të dyja

këto kërkesa në disa drejtime nuk i përmban”.

Subjekte të kësaj vepre penale janë të katër të pandehurit me cilësinë e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komisionit dhe detyrat përkatëse si zëvendëskryetar të Këshillit të Ministrave, ministër, kryetar i Gjykatës së Lartë e Prokuror i Përgjithshëm.

Veprën penale të pandehurit e kanë kryer me veprime të kundërligjshme në

kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, duke sjellë si pasojë internimin dhe dëbimin e një numri të konsiderueshëm njerëzish padrejtësisht. Këto veprime të pandehurit Manush Myftiu, Aranit Çela, Hekuran Isai dhe Rrapi Mino i kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë, anëtarë të Komisionit në periudha të ndryshme kohe.

Objekti i këtij episodi kriminal janë marrëdhëniet e vendosura për mbrojtjen e lirisë dhe paprekshmërisë së personit.

Në këto kushte këta të pandehur duhet të përgjigjen për shpërdorimin e detyrës me pasojë shkeljen e lirisë së shtetasve dhe garancive kushtetuese të paprekshmërisë së tyre. Sa më sipër u provua me shpjegimet e dëshmitarëve Muhamet Xhaferri, Selfo Pashaj, Musa Begaj, Spiro Sofroni, Saryhan Merdani, Mihallaq Ziçishti, Svetllana Marku, Fatbardh e Njazi Çojniku e Maqo Çomo, me vendimet e Komisionit të Internim-Dëbimeve të administruara si provë shkresore në seancë gjyqësore, akti i ekspertimit, datë 21.3.1994,

raport-propozimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe me vetë shpjegimet e të pandehurve.

I pandehuri Zylyftar Ramizi është akuzuar edhe për këtë episod të shpërdorimit të detyrës si hartues i propozimeve që i drejtoheshin Komisionit Qendror të InternimDëbimeve.Nga hetimi gjyqësor rezultoi se këto propozime vinin nga rrethet dhe sektori që mbulonte i pandehuri kishte vetëm rol përcjellës, duke i regjistruar, sistemuar dhe paraqitur propozimet Komisionit.

Në këto kushte në veprimet e të pandehurit Zylyftar Ramizi nuk vihen re elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës e për këtë arsye edhe vetë përfaqësuesi i akuzës kërkoi që ky i pandehur të mos përgjigjet penalisht për këtë episod, ndaj trupi gjykues vlerëson se ky episod i akuzës nuk duhet t’i ngarkohet atij.

Me ligjin Nr. 7380 datë 8.5.1990, “Mbi disa ndryshime në Kodin Penal” të

miratuara nga Kuvendi Popullor, vepra penale e tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes është ndryshuar duke u cilësuar si kalim i paligjshëm i kufirit. Natyrisht që ky cilësim i ri juridik bënte që kjo vepër të konsiderohej me rrezikshmëri shoqërore shumë më të vogël se dispozita e mëparshme, e rrjedhimisht edhe me një rrezikshmëri më të vogël të personit. Gjatë kësaj periudhe ishte vënë re prirja e mjaft personave për kalimin e kufirit

Me ndryshimet e ndodhura në legjislacion duhej bërë një rregullim i ri nënligjor,

detyrim ky në rastin konkret për ministrin e Punëve të Brendshme të kësaj periudhe, të pandehurin Simon Stefani. Ky i pandehur nuk e ka bërë një gjë të tillë, ndonëse këtë të drejtë dhe detyrim ligjor ia njihte dekreti nr.4650 datë 9.3.1970, si dhe neni 85 i Kushtetutës së vitit 1976, sipas të cilit “Ministrat përgjigjen për veprimtarinë e Ministrive … për çështjen që janë në kompetencën e tyre nxjerrin urdhra, rregullore e udhëzime në bazë të ligjeve”.

Nga hetimi gjyqësor rezultoi se i pandehuri Simon Stefani nuk ka bërë një rregullim të tillë ligjor, nuk ka përpunuar asnjë rregullore të mëparshme apo të nxjerrë urdhra e udhëzime për kryerjen e detyrave të forcave të kufirit në kushtet e reja të krizës ekonomike, shoqërore, politike, si dhe të ndryshimit të legjislacionit.

Ndonëse ka pasur informacione të shumta për çka ndodhte në kufi (informacione këto të administruara në seancë gjyqësore), i pandehuri Simon Stefani ka lejuar që ruajtja e kufirit dhe në këto momente të bëhej me rregulloren e mëparshme, të miratuar me urdhrin e tij nr. 01–56 datë 5.6.1985 dhe ndryshuar me urdhrin nr. 01–10 datë 13.10.1989, i cili parashikonte dhe rregullat e hapjes së zjarrit.

Por në periudhën e nxjerrjes së këtyre akteve nënligjore është pasur parasysh

rrezikshmëria e madhe shoqërore e veprës penale të tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit. Sipas rregullores së shërbimit të kufirit të vitit 1985, hapja e zjarrit në kufi është një nga momentet më me përgjegjësi dhe merr kurdoherë karakter të mprehtë politik, sepse ka të bëjë me politikën e partisë dhe të shtetit.

I pandehuri Simon Stefani jo vetëm që nuk bëri ndryshimet e nevojshme të rregullores ekzistuese apo të urdhëronte ndalimin e hapjes së zjarrit, duke shmangur ardhjen e pasojave, por gjatë kësaj periudhe ai ka dhënë porosi që të forcohet më tepër zbatimi i rregulloreve të

mëparshme. Këto qëndrime me dashje e antiligjore të këtij të pandehuri, të kryera për shkak të detyrës, nëpërmjet përmbushjes së rregullt të saj, duken qartë në përgjigjet e shënimet

që bënte ky i pandehur në informacionet me shkrim që i dërgoheshin, në të cilat mbartej shqetësimi për zbatimin në kushtet e reja shoqërore, politike dhe legjislative të rregulloreve të mëparshme. Kështu, p.sh., shqetësimit të pasqyruar në informacionin nr.678 datë 8.6.1990 të Degës së Punëve të Brendshme Librazhd, për mënyrën e zbatimit të rregulloreve ekzistuese

dhe interpretimin e ligjit të ri, i pandehuri Simon i është përgjigjur me shënimin: “Komanda e kufirit, të gjithë kuadrot e sidomos sektori i edukimit të bëjnë përgatitje serioze dhe në bazë të problemeve që kanë dalë në reparte apo zona kufitare t’u shpjegohet ushtarëve, kuadrove, se masat e marra nga Partia e Qeveria nuk e liberalizojnë ligjin (rregulloren) për kufirin, por ato kërkojnë të forcohet, bile në këto momente duke e zbatuar pa lëshime”.

Gjithashtu në seancë gjyqësore nga shpjegimet e dëshmitarit Ismail Skeja, në atë kohë zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Kufirit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezultoi se në shtatë muajt e parë të vitit 1990, meqenëse kishte më shumë ngjarje në kufi në krahasim me periudhat para dhe pasardhëse, Komanda e Kufirit ka lëshuar disa urdhra për periudha të caktuara, për ndalimin e hapjes së zjarrit, si dhe ka bërë propozime për ndryshimin në zbatim të ligjit të ri të rregullores pranë titullarit të dikasterit.

Dashjen në veprimet e mëparshme të të pandehurit Simon Stefani, pavarësisht se në ditët e fundit të karrierës si ministër i Punëve të Brendshme, e tregon dhe telegrami i tij i datës 4.7.1990, dërguar rretheve kufitare, me të cilin anulonte urdhrin e komandantit të kufirit, datë 30 qershor 1990, për ndalimin e hapjes së zjarrit në kufi, duke urdhëruar zbatimin e kërkesave të rregulloreve të mëparshme të shërbimit të kufirit.

Sa më sipër u provuan edhe me procesverbalin e këqyrjes së dokumenteve shkresore, datë 14.2.1994, të administruara në seancë gjyqësore. Pretendimi i të pandehurit se fakti që kufiri është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe fakti i përdorimit të armës në kufi determinojnë njëri-tjetrin, nuk qëndron, pasi arma është vetëm një nga mjetet që përdoret për mbrojtjen e kufirit, e cila kërkon edhe situatën e posaçme që të përdoret. Vepra e kryer nga i pandehuri prek marrëdhëniet e vendosura për mbrojtjen e jetës së shtetasve dhe

funksionimin normal të aparatit shtetëror. Subjekt i kësaj vepre penale është i pandehuri Simon Stefani në detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, për periudhën që i përket këtij episodi të akuzës.

Pra, në veprimet e mosveprimet e këtij të pandehuri shihen qartë elementët e figurës së krimit të shpërdorimit të detyrës, e cila ka sjellë si pasojë vrasjen në kufi të 13 shtetasve dhe plagosjen e një tjetri nga periudha 23 Maj 1990 deri në datën 8 Korrik 1990, kur i pandehuri u shkarkua nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme. Kështu janë vrarë nga forcat e kufirit të rretheve Korçë, Ersekë, Librazhd, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër, shtetasit Sokol Lika, Sami Daja, Kujtim Xhaja, Bujar Osmani, Fatmir Duro, Nik Hoti, Pëllumb Pëllumbi, Artan Çemi, Muhamet Nurja, Harallamb Papuçiu, Ilia Dalla, Thoma Boda, Enver

Duka dhe është plagosur shtetasi Kristaq Lloci.

Këto pasoja shoqërisht të rrezikshme u vërtetuan në seancë gjyqësore edhe me dosjet hetimore që administroi gjykata, informacionet e prokurorive, hetuesive dhe Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, të komandës së kufirit etj. Edhe nga praktika e pasardhësit të këtij të pandehuri, ish-ministrit të Punëve të Brendshme, të pandehurit Hekuran Isai, u tregua se të paktën një qëndrim i ri i forcave të kufirit mund dhe duhej diktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (konkretisht nga titullari), pasi siç shpjegoi i pandehuri Hekuran

Isai, gjendja në kufi ishte e rënduar, ndaj mosdhënia e urdhrit për ndalimin e zjarrit do të kishte pasoja katastrofike për popullin. I pandehuri Simon Stefani është akuzuar dhe për mosdorëzimin e familjarëve të kufomave të shtetasve të vrarë në kufi, në bashkëpunim me të pandehurin Veiz Hadëri. Trupi gjykues vlerëson se edhe në këtë pikë qëndrimi i përfaqësuesit të akuzës është i drejtë dhe këta dy të pandehur nuk duhet të përgjigjen penalisht për këtë

episod të akuzës, pasi nga hetimi gjyqësor nuk rezultoi që këta dy të pandehur ta kenë kryer veprën penale në bashkëpunim. Nuk u vërtetua që për ngjarjen e Grazhdanit të Sarandës i pandehuri Simon Stefani të ketë urdhëruar që kufoma të mos u jepej familjarëve dhe gjithashtu nuk u provua që të ketë biseduar apo komunikuar me ndonjë mënyrë tjetër me të pandehurin Veiz Hadëri. Nga ana tjetër nuk u vërtetua se ky i pandehur (Veiz Hadëri)

të ketë dhënë ndonjë urdhër për varrosjen në vend të kufomave dhe mosdhënien e tyre familjarëve. Përfundimisht, për këtë episod të akuzës, të pandehurit Simon Stefani dhe Veiz Hadëri nuk duhet të përgjigjen penalisht.

Megjithatë i pandehuri Veiz Hadëri akuzohet edhe për një episod tjetër të

shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që kishte funksionin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Sarandë.

Në muajin qershor 1985, në afërsi të Ksamilit dhe në Gjirin e Manastirit, janë gjetur kufoma të shtetasve Sotiraq Nasto e Jorgji Sholla nga Narta e rrethit të Vlorës. Nga ana e të pandehurit Veiz Hadëri janë urdhëruar ekuipazhe të motoskafit të shërbimit kufitar t’i vendosnin në bashet e motoskafit dhe t’i shëtisnin përgjatë bregdetit të qytetit të Sarandës, me sinjale alarmi të ndezura.

Pretendimi i të pandehurit se ky veprim është bërë me qëllim identifikimin e

kufomave bie poshtë: Së pari, me faktin që afër vendit të ngjarjes është gjetur një çantë me dokumentet e identifikimit të Sotiraq Nastos dhe, së dyti, me faktin që demonstrimi i kufomave është bërë në një distancë 180–200 m larg bregut, gjë që bënte të mundur vetëm arritjen e qëllimit të vërtetë të këtij të pandehuri dhe jo identifikimin e kufomës. Me këto veprime të paligjshme, antihumane e në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, i pandehuri Veiz Hadëri ka arritur të ushtrojë për një kohë relativisht të gjatë një presion dhe terror psikologjik në popull dhe nga ana tjetër indinjatë tek të gjithë banorët e qytetit dhe pushues. Ky fakt u kristalizua nga trupi gjykues edhe gjatë pyetjes si dëshmitar të njërit prej pjesëtarëve të ekuipazhit të motoskafëve, i cili u shpreh: “Na vjen turp të dalim në Sarandë”. Gjithashtu në vazhdën e këtyre veprimeve të paligjshme në vitin 1989, nga ana e forcave të kufirit, të cilat ishin në vartësi të të pandehurit Veiz Hadëri, janë kryer imitime të të vrarëve në kufi nën pretekstin e stërvitjes, duke ekspozuar para popullit persona gjoja të vrarë në kufi, të mbështjellë me çarçafë, të lyer me bojë të kuqe. Këto veprime shoqëroheshin një natë më parë me fishekzjarrë, të shtëna e sirena, për të krijuar në qytet imazhin e alarmit dhe të gjendjes së gatishmërisë. Në këto kushte është e qartë se këto veprime nuk kishin qëllim stërvitjen e forcave të kufirit, por “stërvitjen” e popullit me ndjenjën e frikës dhe të panikut. Sa më sipër u provua në seancë gjyqësore me shpjegimet e vetë të pandehurit Veiz Hadëri, i cili tregoi në ç’rrethana kanë ndodhur ngjarjet e mësipërme, por këto veprime ai dhe avokati i tij mbrojtës i quajtën normale e që nuk përbëjnë vepër penale, shpjegimet e dëshmitarëve Reiz Maksuti, Mitat Bala, Luan Zani e Sokrat Jorgji, efektivë të motoskafëve të forcave të kufirit bregdetar, si dhe pjesërisht dëshmitari Ilirjan Cicaj. Gjithashtu në dëshminë

e tij, dëshmitari Ismail Skeja, ish-zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, hodhi poshtë pretendimet se imitimi konkret i bërë nga forcat e kufirit Sarandë ishin në programin e punës stërvitore, pasi ai shpjegoi se një formë të tillë ai nuk e kishte hasur ndonjëherë, madje shprehu habi për hollësitë që u treguan nga prokurori

lidhur me imitimin e ushtarëve të mbështjellë me çarçafë, të lyer me bojë të kuqe. Duket qartë se këto forma “stërvitjeje” ishin iniciativë e të pandehurit Veiz Hadëri, të pamiratuara e të panjohura nga dikasteri.

Përfundimisht, duke parë se ekzistojnë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës si më poshtë, i pandehuri Veiz Hadëri duhet të përgjigjet penalisht për këtë krim.

Nga ana objektive krimi është kryer me veprime të paligjshme, të cilat vinin në

kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës. Nga këto veprime ka ardhur si pasojë poshtërimi i dinjitetit të personit dhe përhapja e panikut, frikës e pasigurisë në popull.

Objekti i kësaj figure krimi janë marrëdhëniet e vendosura për ruajtjen e rendit shoqëror në përgjithësi e dinjitetin e personit në veçanti, si dhe funksionimin normal të aparatit shtetëror e konkretisht Degës së Rendit Publik Sarandë.

I pandehuri Veiz Hadëri, me detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Sarandë, është subjekt i kësaj vepre penale.

Nga ana subjektive i pandehuri i ka kryer veprimet me dashje të plotë, pasi ai kishte të gjitha mundësitë të parashikonte pasojat që sillnin veprime të tilla, por ai me qëllim ka epruar për ardhjen e tyre pasi i ka dëshiruar ato.

Më datë 22.5.1984, në Kampin e Riedukimit nr.311 Qafë-Bari, shpërtheu revolta e të dënuarve, pasi një nga të dënuarit nuk kishte realizuar normën dhe për këtë Komanda kërkonte që ai të dilte të punonte edhe në turnin pasardhës. Për këtë revoltë, Komanda e Repartit 311 ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe mbi këtë bazë, i urdhëruar nga i pandehuri Hekuran Isai për të verifikuar gjendjen, është nisur për në Qafë-Bari me helikopter i pandehuri Zylyftar Ramizi së bashku me tre policë shoqërues. Gjithashtu ai ka urdhëruar të nisen për në Qafë-Bari edhe forcat e Repartit 326 Tiranë nëpërmjet rrugës

tokësore. Me të mbërritur në Qafë-Bari, ndonëse gjendja ka qenë e qetësuar, i pandehuri Zylyftar ka kërkuar shpjegime, ka veçuar “problematikët” dhe duke nxjerrë jashtë kampit policët efektivë të Repartit nr.311, ka urdhëruar forcat e Repartit nr.326 Tiranë të ushtrojnë dhunë mbi të dënuarit. Si pasojë e kësaj dhune, veç të tjerëve ka pësuar dëmtime të rënda dhe i dënuari Sandër Sokoli në pjesën e kokës, gjoksit, si dhe thyerjen e disa brinjëve.

Ky i dënuar së bashku me të dënuarit Dalip Zhaboli, Drago Vujosheviç, Hajredin Fratari, Nuredin Skrapari, Lazër Shkëmbi etj, me urdhër të të pandehurit Zylyftar Ramizi janë transportuar me një automjet 7 vendësh për në Degën e Punëve të Brendshme Pukë. Gjatë udhëtimit i dënuari Sandër Sokoli ka vdekur. Atë natë është njoftuar dhe mjeku ligjor, dëshmitari Pandush Gliozheni, i cili i imponuar dhe nën presionin e të pandehurit Zylyftar Ramizi ka lëshuar aktin e ekspertimit mjekoligjor Nr. 12 datë 25.5.1984, ku si konkluzion

për shkaktimin e vdekjes ka vënë atë të ndalimit të zemrës, gjë e cila kërkohej edhe nga i pandehuri Zylyftar. Në të vërtetë, siç shpjegoi edhe dëshmitari Pandush Gliozheni, viktima në pjesën frontale të majtë të fytyrës kishte ekimoza dhe hematoma të shumta; gjatë hapjes së pjesës torakale, në anën e majtë të të kafazit të kraharorit ka konstatuar thyerjen e dy-tre brinjëve.

Sa më sipër u vërtetua në seancë gjyqësore me shpjegimet e dëshmitarëve Riza Musollari, Fiqiri Çakalli, Pandush Gliozheni, Dalip Zhaboli, Dedë Miri, me materialet e dosjes hetimore nr.56 të Hetuesisë së Rrethit Pukë dhe provat e tjera të marra e të administruara në seancë gjyqësore.

Në këto kushte i pandehuri Zylyftar Ramizi ka konsumuar tërësisht elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës nëpërmjet mospërmbushjes së rregullt të saj, duke dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës fizike ndaj të dënuarve në Qafën e Barit në vitin 1984, veprime që kanë sjellë pasoja kriminale të vdekjes së shtetasit Sandër Sokoli. Gjithashtu këta elementë të kësaj figure krimi duken qartë edhe në veprimet që ka bërë ky i pandehur për mbulimin e shkaqeve të vërteta të ardhjes së këtyre pasojave kriminale.

Marrëdhëniet e prekura nga kjo vepër penale janë ato të vendosura për ruajtjen e jetës dhe të shëndetit të shtetasve. I pandehuri Zylyftar Ramizi është subjekt i kësaj figure krimi, pasi urdhrin për ushtrimin e dhunës dhe veprimet e tjera i ka kryer duke qenë në detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme.

Nga ana subjektive vepra është kryer me dashje, pasi ky i pandehur i ka pasur të gjitha mundësitë dhe ka qenë i detyruar të parashikojë pasojat që mund të vinin nga ushtrimi i dhunës ndaj të dënuarve, nga persona të specializuar në këtë detyrë. Gjithashtu dashje në veprimet e këtij të pandehuri tregon edhe fakti që ai është përpjekur të mbulojë (dhe për një farë kohe ia ka arritur qëllimit), shkakun e vërtetë të vdekjes së shtetasit Sandër Sokoli.

Të pandehurit Manush Myftiu, Adil Çarçani, Ramiz Alia, Rita Marko, Simon

Stefani, Hekuran Isai akuzohen edhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve nëpërmjet krijimit të privilegjeve të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 107 e 13 të Kodit Penal. Nga provat e administruara në seancë gjyqësore rezulton se trajtimi i udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit është bërë kryesisht me vendimet e Byrosë Politike nr.28/11 datë 23.8.1956, nr.163 datë 15.6.1961, nr.352 datë 5.11.1963, nr. 242 datë

27.7.1964, nr. 172 datë 1.12.1966, nr. 39 datë 23.3.1976, nr.1 datë 5.1.1983.

Këto vendime janë miratuar e nënshkruar nga të pandehurit e mësipërm sipas

periudhave të qenies së tyre anëtarë të Byrosë Politike.

Këta të pandehur kanë gëzuar të drejtën të pushonin në vende të veçanta të

administruara nga Drejtoria e Pritjes, e cila kishte në administrim dhjetëra vila luksoze në vendet më piktoreske të Shqipërisë. Për kohën që këta të pandehur pushonin në këto vila, shpenzimet i përballonte shteti, ndërsa kur pushonin familjarët e tyre paguanin qira deri në tre dhoma dhe shpenzimet e tjera njësoheshin me ato të punonjësve.

Gjithashtu të pandehurit jetonin në një “bllok” vilash, në objekte me sipërfaqe të tepruara në krahasim me përbërjen familjare të tyre. Në periudha të ndryshme kohe këtyre vilave u bëheshin rikonstruksione e shtesa të objekteve gjithmonë sipas kërkesave të tyre.

Këta të pandehur nuk paguanin shpenzimet faktike për qira, dritë, ujë e ngrohje, pasi 50% dhe 70% të tyre përballoheshin nga shteti dhe asnjëherë këta të pandehur nuk duhet të paguanin më shumë se 250 lekë në muaj, në një kohë që me vendimin e Qeverisë të datës 30.10.1980, të gjithë shtetasit ishin të detyruar të paguanin vlerën reale të shpenzimeve të mësipërme.

Rezultoi se disa nga të pandehurit gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre kanë qenë edhe anëtarë Qeverie, dhe ndërkohë që ata merrnin vendime për shtetasit për të paguar vlerën reale të shpenzimeve, nga ana tjetër për veten e tyre këto marrëdhënie me shtetin i rregullonin nëpërmjet vendimeve të Byrosë Politike, të cilat siç doli më sipër i favorizonin ata tej masës.

Rezultoi gjithashtu se këta të pandehur gëzonin një trajtim mjekësor të veçantë, i cili realizohej në klinikën speciale ku ata trajtoheshin me ilaçe e barna falas, si dhe me punime stomatologjike në ar i cili tërhiqej nga thesari i shtetit, përsëri falas për këta të pandehur.

Në banesat e tyre shërbenin një numër i konsiderueshëm njerëzish e gjithashtu banesat ishin të pajisura me orendi e mobilie, shpenzimet për të cilat i mbulonte shteti.

Këta të pandehur përveç favoreve që i krijonin vendimet e Byrosë Politike, me

veprimet e tyre kanë krijuar praktika të cilat dilnin jashtë këtyre vendimeve që kishin marrë në Byronë Politike. Kështu, në shumë raste kur të pandehurit ose familjarët e tyre kanë shkuar jashtë shtetit për vizita mjekësore kanë marrë me vete pa pagesë vlera materiale si dhurata për mjekët e huaj (kryesisht artikuj artistikë), vlera e të cilave ka kaluar padrejtësisht në shpenzimet e shtetit.

Për këtë problem i pandehuri Adil Çarçani, në formë urdhri ka nxjerrë shkresën

sekrete Nr. 237 datë 19.2.1971, dërguar për zbatim Drejtorisë së Pritjes. Pra, vetëm mbi këtë bazë, pa u mbështetur në asnjë akt ligjor apo nënligjor, janë lëshuar një sërë autorizimesh nga të pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu me të cilat për vete dhe të pandehurit e tjerë siguronin dhuratat që siç thamë i paguante shteti. Nga hetimi gjyqësor rezultoi se këtë praktikë nuk e kanë ndjekur të pandehurit Hekuran Isai dhe Simon Stefani.

Megjithëse për të pandehurit e akuzuar dhe për familjet e tyre funksiononin linja të posaçme prodhimi ushqimor dhe industrial, përsëri këta të pandehur kërkesat e tyre dhe të familjarëve preferonin t’i plotësonin nëpërmjet porosive që i jepnin Drejtorisë së Pritjes ose blerjes së tyre kur dilnin jashtë shtetit me valutë të huaj. Për më tepër, pas këtyre blerjeve, mallrat vlerësoheshin me çmime favorizuese dhe jo në bazë të konvertimit të valutës së

tërhequr e të shpenzuar. Ndërkohë vendimi i Këshillit të Ministrave nr.227 datë 17.9.1975, ndalonte blerjen me valutë në dorë të mallrave, përveç rasteve të veçanta.

Pa asnjë bazë ligjore e nënligjore të pandehurve u janë mbuluar nga shteti deri edhe shpenzimet e vogla ditore në vleftën prej 3 lekë në ditë; po kështu, ata kanë përfituar edhe një kuotë shtesë për kohën e pushimeve në masën 3.2 lekë në ditë.

Nga këto veprime duket qartë se këta të pandehur kanë krijuar për veten e familjarët e tyre privilegje, duke bërë një jetë me një standard shumë më të lartë e të pakrahasueshëm me atë të popullit. Gjithashtu këto veprimet bien ndesh edhe me parimet kushtetuese.

Në nenin 14 të Kushtetutës së vitit 1950 nuk njihet asnjë privilegj për shkak të origjinës, pozitës, pasurisë ose shkallës së kulturës, ndërsa në nenin 40 të Kushtetutës së vitit 1976 sanksionohet se nuk njihet asnjë kufizim apo privilegj në të drejtat dhe detyrat e shtetasve për arsye pozite shoqërore.

Po kështu, Kodi Penal i vitit 1977, i nxjerrë në bazë e për zbatim të Kushtetutës, në nenin 107 të tij parashikon si vepër penale shkeljen e barazisë së shtetasve, vepër kjo të cilën të pandehurit e kanë konsumuar plotësisht nëpërmjet krijimit të privilegjeve.

Lidhur me padinë civile të ngritur në këtë gjykim nga ana e përfaqësuesit të akuzës, gjykata vlerëson se ajo duhet pranuar pjesërisht, pasi për disa zëra disa nga të pandehurit nuk mund të përgjigjen civilisht në bazë të nenit 155 të Kodit të Procedurës Penale.

Trupi gjykues vlerëson se i pandehuri Simon Stefani nuk duhet të përgjigjet civilisht për vlerën 12.158 lekë të dhuratave të vëna në ngarkim të tij, pasi siç thamë më lart nuk rezulton që t’i ketë marrë ato.

Gjithashtu duke u mbështetur në vendimin nr.32 datë 18.3.1994 të Gjykatës së

Kasacionit, trupi gjykues vlerëson se duhet të zbritet edhe vlera e pagave të personelit në familjet e të pandehurve, si dhe e ushqimit të personelit, 7 lekë në ditë. Për zërin e amortizimit të orendive e pajisjeve shtëpiake, të pandehurit duhet të përgjigjen civilisht vetëm për periudhën 1986 deri në gusht 1990, pasi norma e amortizimit është e llogaritur mbi bazën e urdhrit të përbashkët të Komisionit të Planit të Shtetit dhe Ministrisë së Financave nr.997 dhe 1288 të vitit 1985, i cili merrte fuqi ligjore më 1.1.1986. Po kështu,

trupi gjykues vlerëson se ata të pandehur që kanë kryer shpenzime në rast fatkeqësish nuk duhet të përgjigjen civilisht për këto shpenzime.

Përfundimisht, duke u bazuar në aktin e ekspertimit kontabël, të gjashtë të

pandehurit duhet të përgjigjen civilisht për shumat përkatëse, sipas pasqyrës përmbledhëse që i bashkëngjitet këtij vendimi.

Përfundimisht, të gjithë të pandehurit duhen deklaruar fajtorë për veprat penale që akuzohen për ato episode të argumentuara në këtë vendim. Këto episode karakterizohen nga një mendim unik kriminal, veprime të njëjta, duke përbërë kështu një vepër penale të vetme.

Trupi gjykues vlerëson se ndodhemi përpara një krimi vazhdues që ka sjellë pasoja sistematike e të qëndrueshme, të kryera nga subjekte me detyra të larta të përhershme partiake e shtetërore.

Në llojin e masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar

shoqërore të veprave penale të kryera nga të pandehurit, pasi ato prekin marrëdhënie të rëndësishme shoqërore të mbrojtura nga Kushtetuta e Ligji Penal, rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurve, pasojat e veprimtarisë së tyre kriminale, faktin që të pandehurit kanë kryer disa vepra penale, kryerja e tyre në bashkëpunim, faktin që veprat penale janë kryer nga persona me detyra të rëndësishme shtetërore e shoqërore, të parashikuara këto të fundit

si rrethana rënduese nga neni 31/b dhe 31/d të Kodit Penal.

Gjithashtu gjykata ka parasysh moshën e të pandehurve, gjendjen e rëndë

shëndetësore të disa prej të pandehurve, vërtetuar kjo me aktet e ekspertimit të administruara në seancë gjyqësore, e sidomos gjendjen shëndetësore aktualisht tepër të rënduar, gjë që u pasqyrua në seancë gjyqësore, të të pandehurve Manush Myftiu dhe Adil Çarçani, për të cilët gjykata vlerëson se dënimi duhet t’u jepet me një kohë prove për një afat që gjykata do ta shohë të arsyeshme, duke urdhëruar kështu pezullimin e ekzekutimit të vendimit.

Në zbatim të nenit 51 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Manush Myftiu duhet t’i ndryshojë edhe masa e sigurimit, duke u zgjedhur një masë më e përshtatshme për të deri në marrjen formë të prerë të këtij vendimi.

Gjykata, në bazë të nenit 149 e 150 të Kodit të Procedurës Penale,

Deklarimin fajtor të të pandehurit MANUSH MYFTIU për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Manush Myftiu e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Në bazë të nenit 38 të Kodit Penal (të ndryshuar) urdhëron pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi duke ia dhënë dënimin e mbetur me kohën e provës për 5 (pesë) vjet, me kusht që brenda këtij afati të mos kryejë asnjë vepër penale tjetër po kaq të rëndë ose më të rëndë.

Ndryshimin e masës së sigurimit për këtë të pandehur nga “arrest” në mbyllje në shtëpi pa rojë, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të saj.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 424.464 lekë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit ADIL ÇARÇANI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurin Adil Çarçani e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Në bazë të nenit 38 të Kodit Penal (të ndryshuar) urdhëron pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi duke ia dhënë dënimin e mbetur me kohën e provës për 5 (pesë) vjet, me kusht që brenda këtij afati të mos kryejë asnjë vepër penale tjetër po kaq të rëndë ose më të rëndë.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 667.727 lekë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit RAMIZ ALIA për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 8 (tetë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Përfundimisht në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Ramiz Alia e dënon me 9 (nëntë) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 12.9.1992.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 1.174.167 lekë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit RITA MARKO për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Rita Marko e dënon me 8 (tetë) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 4.12.1991.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 275.873 lekë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit SIMON STEFANI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve e në dëm të jetës së disa personave të vrarë në kufi, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Simon Stefani e dënon me 8 (tetë) vjet heqje lirie, duke filluar vuajtja e dënimit nga data 8 korrik 1992.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 188.869 lekë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit HEKURAN ISAI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Hekuran Isai e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 28.9.1991.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 413.082 lekë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit ARANIT ÇELA për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje lirie, duke filluar vuajtja e dënimit nga data 8.1.1993.

Deklarimin fajtor të të pandehurit ZYLYFTAR RAMIZI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në dëm të jetës së personit dhe në bazë të nenit 106 të Kodit Penal e dënon me 6 (gjashtë) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 18.10.1993.

Deklarimin fajtor të të pandehurit RRAPIMINO për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 18.10.1993.

Deklarimin fajtor të të pandehurit VEIZ HADËRI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës dhe në bazë të nenit 106 të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 31.12.1993.

Kundër vendimit lejohet ankim ose protestë në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat tre ditë pas shpalljes së vendimit.

U shpall sot më datë 2.7.1994.

Kundër këtij vendimi është bërë ankim dhe aktet i janë dërguar për shqyrtim Gjykatës së Apelit Tiranë që me vendimin Nr. 378 datë 5.9.1994 ka

Lënien në fuqi të vendimit gjyqësor nr.505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë për të pandehurin Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Simon Stefani, Rapi Mino, Zylyftar Ramizi e Veiz Hadëri.
Lënien në fuqi të vendimit gjyqësor nr.505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë për sa i përket cilësimit ligjor, fajësisë dhe masës së dënimit për akuzën e parashikuar nga neni 106 të Kodit Penal në ngarkim të presidentit Ramiz Alia.

Lënien në fuqi të këtij vendimi, kualifikimit ligjor, fajësisë për sa i përket veprës

penale të shkeljes së barazisë së shtetasve, duke ndryshuar masën e dënimit në ngarkim të të pandehurit Ramiz Alia nga 5 (pesë) vjet heqje lirie në 2 (dy) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 35 Kodit Penal të

pandehurin Ramiz Alia e dënon me një dënim të vetëm 8 (tetë) vjet heqje lirie.

Vuajtja e dënimit fillon nga data 12.9.1992.

Lënien në fuqi të vendimit Nr. 505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë për sa i përket cilësimit ligjor, fajësisë, masës së dënimit për akuzën e parashikuar nga neni 107–13 të Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit Rita Marko.

Lënien në fuqi të vendimit gjyqësor për kualifikimin ligjor dhe fajësinë për sa i

përket veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve në bazë të nenit 106–13, 31/b e d të Kodit Penal, duke ndryshuar masën e dënimit nga 7 vjet heqje lirie në 6 vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 3 të Kodit Penal të

pandehurin Rita Marko e dënon me një dënim të vetëm me 6 (gjashtë) vjet heqje lirie.

Vuajtja e dënimit fillon nga data 4.12.1991.

Lënien në fuqi të vendimit gjyqësor me nr.505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së

Rrethit Tiranë për sa i përket kualifikimit ligjor dhe fajësisë së veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e të drejtave themelore të shtetasve në bazë të

nenit 106–13, 31/b e d të Kodit Penal, duke e ndryshuar këtë vendim për sa i përket masës së dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Aranit Çela me 5 (pesë) vjet heqje

lirie. Vuajtja e dënimit fillon nga 8.1.1993.

Lënien në fuqi të vendimit nr.505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë për sa i përket padisë civile.

Kundër këtij vendimi është bërë ankim dhe aktet i janë dërguar për shqyrtim Gjykatës Kasacionit Tiranë që me vendimin Nr.208 datë 30.11.1994 ka

a) Lënien në fuqi të vendimit Nr.378 datë 17.9.1994 të Gjykatës së Apelit Tiranë lidhur me fajësinë dhe kualifikimin e veprave për të cilat janë deklaruar fajtorë të pandehurit.
b) Ndryshimin e masave të dënimit për të pandehurit e mëposhtëm:
Ramiz Alia, sipas nenit 106, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 4 vjet heqje lirie.

Për nenin 107, 31/d të Kodit Penal e dënon me 2 vjet heqje lirie.

Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal e dënon me 5 vjet heqje lirie.

Rita Marko, në bazë të nenit 106, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 5 vjet heqje lirie. Për veprën penale të parashikuar nga neni 107, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 2 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të K.P. e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.
Simon Stefani, në bazë të nenit 106, 31/b e d të Kodit Penal e dënon me 5 vjet heqje lirie. Për veprën penale të parashikuar nga neni 107, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 2 vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal e dënon me 6 (gjashtë) vjet heqje lirie.

Hekuran Isai, në bazë të nenit 106, /31/b, d të Kodit Penal e dënon me 3 vjet heqje lirie.Për veprën penale të parashikuar nga neni 107, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 2 vjet heqje lirie.Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie.
Aranit Çela, në bazë të nenit 106, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 4 vjet heqje lirie.
Rrapi Mino, në bazë të nenit 106, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie.
Zylyftar Ramizi, në bazë të nenit 106 të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.
Veiz Hadëri, në bazë të nenit 106 të Kodit Penal e dënon me 2 (dy) vjet heqje lirie.

Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Apelit Tiranë lidhur me masën e dënimit për të pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu.

Lënien në fuqi të vendimit për sa i përket detyrimit civil.