Ballina Ekonomia Sipërmarrës nga Arabia Saudite interes për investime në turizëm, Gonxhja: Kemi potencial...

Sipërmarrës nga Arabia Saudite interes për investime në turizëm, Gonxhja: Kemi potencial në energji e teknologji

120
0

Në kuadër të programit “Vision 2030” Shqipëria mirëpriti sot 50 sipërmarrës nga Arabia Saudite, të cilët e shohin vendin tonë të përshtatshëm për investime.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, gjatë takimit të mbajtur bëri të ditur se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë për të tërhequr investimet e huaja.

“Shqipëria ka bërë një sërë hapash përpara në drejtim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes për të tërhequr investitorët e huaj. Vendi ynë ofron një sërë mundësish në sektorë të ndryshëm për investitorët e huaj që kërkojnë të përfitojnë nga potenciali i vendit tonë. Nga turizmi dhe energjia te bujqësia, prodhimi dhe teknologjia, Shqipëria paraqet një terren pjellor për investime dhe rritje”, tha ministri.

Sektori ynë i turizmit, me bregdetin e tij mahnitës, plazhet e pacenuara dhe vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vijoi Gonxhja, ka një potencial të jashtëzakonshëm për të tërhequr vizitorë nga e gjithë bota.

Më tej, Gonxhja theksoi se sektori energjetik është premtues për investitorët e interesuar për energjinë e rinovueshme.

“Me burime të bollshme natyrore si hidroenergjia, dielli dhe era, Shqipëria ka potencialin të bëhet një qendër për prodhimin e energjisë së pastër. Qeveria ka punuar për të tërhequr investime në projektet e energjisë së rinovueshme, duke ofruar stimuj të tillë si ulje taksash dhe procese të thjeshta të lejeve”, u shpreh ministri.

Ministri Gonxhja u shpreh më tej se dhe zhvillimi i teknologjisë së informacionit mbetet një pikë e rëndësishme edhe në rajon.

“Shqipëria po shfaqet si një qendër për teknologjinë dhe inovacionin në rajon. Me një numër në rritje të start up-eve, një fuqi punëtore të re dhe të arsimuar dhe mbështetjen e qeverisë për sipërmarrjen, Shqipëria ofron mundësi për investime në kompani teknologjike, kërkime dhe zhvillime dhe qendra inovacioni”, deklaroi Gonxhja.

Aktualisht në vendin tonë operojnë me aktivitetet e tyre 55 kompani nga Arabia Saudite, ndërsa në vitin 2023 volumi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve llogaritet rreth 45 milionë euro.