Nga Albert Z. ZHOLI
“Halili dhe Hajrija” është shënuar si Baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajrija”. “Halili dhe Hajria” është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar. Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një suitë e tërë artistësh, vunë në skenë baletin “Halili dhe Hajria”. Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut etj. Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj. Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.
Flet koreografi dhe balerini Dedin Suli: Baleti shënoi epokën e re shqiptare duke u shfaqur 300 herë.
Të vijmë te Baleti i parë kombëtar “Halili dhe Hajrija”, si u realizua?
Ky balet, me muzikë të kompozitorit Tish Daija dhe koreografi të baletmaestrit Panajot Kanaçi, u shfaq në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit më 13 janar 1963. Është i vetmi balet kombëtar ku shkrirja e elementëve stilistikë dhe leksikologjikë të vallëzimit tonë popullor, në fondin e shprehive të teknikës së kërcimit klasik, ishte parimi bazë, parim që u ndoq për ta vënë në skenë. Ky gërshetim që sapo përmenda, mund të thuhet se ka udhëhequr mendimin estetik dhe artistik të tërë koreografisë moderne shqiptare. Baleti “Halili dhe Hajrija” është shfaqur mbi 300 herë brenda e jashtë vendit. Janë disa kujtime mbresëlënëse, të cilat u shpalosën gjatë interpretimit të këtij baleti. Por unë do të ndalem në shfaqjen e dhënë në qytetin e Shkodrës. Porsa arritëm në qendër të qytetit, u vendosëm në ambientet e Hotel – Turizmit (i vjetër). Për fat tonin në një dhomë ishim unë, Faruku dhe Albert Janku. Në një ndër ditët e qëndrimit tonë në atë qytet dolëm shëtitje, me synimin ta shihnim e ta ndienim sa më afër e sa më shumë lashtësinë për të cilën është shkruar e folur. Vizitën e parë e bëmë te Kisha e Madhe, një ndër kishat më të mëdha në Ballkan. Po atë ditë, në shoqërinë tonë ishte balerina me origjinë rumune dhe e pranishme në Teatrin tonë të Baletit, Marielis Jakob. Kisha ishte e mbyllur, por me këmbënguljen tonë, administratori i kishës hapi derën kryesore. Ashtu siç ishim së bashku, të katër balerinët, vizituam këtë kishë monumentale me altarët – skulpturë, pa përjashtuar afresket me motivime nga Bibla. Mbasi vizituam pjesën e brendshme të kësaj kishe, dolëm në oborrin e saj, ku të binte në sy kambanaria me sahatin e saj punuar sipas stilit gotik. Më pas morëm rrugën për te Teatri “Migjeni”, ku dhe do të shfaqej baleti “Halili dhe Hajrija”. Gjatë rrugës na doli përpara një qytetar, për të cilin më vonë morëm vesh se rridhte nga familja e vjetër dhe fisnike Gurashi e qytetit të Shkodrës. Mbasi u prezantua me të katërt sa ishim, iu drejtua Marjelisit, duke u shprehur: “Mos jeni ju artiste filmi, sepse, në mos gabohem, ju pashë mbrëmë në një shfaqje televizive?!” I thamë personit në fjalë: “Marjelisi është balerina e parë dhe pikërisht sonte do të interpretojë një kërcim të stilit arab”. Më pas u ndamë dhe u larguam disi të çuditur nga pyetja që na bëri ai qytetar. Në mbrëmje salla e teatrit “Migjeni” ishte mbushur plot me artdashës shkodranë. Miku i rrethit tonë shoqëror, Albert Janku, do të interpretonte në rolin e Bektash Agës, rol, të cilin ai e shpalosi si nga ana plastike ashtu edhe nga ajo interpretative. Në aktin e dytë erdhi momenti i kërcimit të valles arabe, interpretuar nga balerina e mirënjohur Marielis Jakob nën shoqërimin e dy kavalierëve, të dy këta nën interpretimin e balerinëve Llaqi Nako dhe Dedin Suli. Në momentin që po kërcehej ky numër i suksesshëm, nga spektatorët erdhi një zë kumbues. Ishte zëri i qytetarit Gurashi, me të cilin u përballëm në orët e paradites. Në entuziazëm e sipër, ai shpërtheu, duke iu drejtuar balerinës Jakob: “Pastë kush me ta puthë zemrën!”. Publiku mbeti i surprizuar nga kjo thirrje. Mbas shfaqjes u ulëm në restorantin e Hotel-Turizmit. Me ne, në tavolinë ishte edhe balerina Marjelis. Në tavolinën pranë ishte ulur Gurashi, i cili porositi verë për vete dhe për ne, e mbasi erdhi porosia, ngriti gotën në drejtimin tonë në formë përshëndetjeje. Me kohë, me interesimin tim mora vesh që qytetari me mbiemrin Gurashi, kishte studiuar në Austri. Me ardhjen e pushtetit diktatorial Gurashin e burgosën si pjestar i një familjeje tregtare. Vite më pas po ky njeri pësoi krizë nervore, krizë që e shoqëroi deri në fund të jetës.
Daija Tish (1926–2003).
Lindi në Shkodër. Afrimi i tij me muzikën nisi në vitet e fëmijërisë: 6 vjeç këndonte në korin françeskan të kompozitorit Martin Gjoka e më pas ishte anëtar i orkestrës frymore të Prenk Jakovës. Që në moshë të re kompozoi disa këngë me frymë popullore, të cilat janë ende sot ndër më të njohurat në muzikën tonë, si: “Kënga e Krushqve”, “Çikë o mori çikë”, “Me lule t’bukra” etj. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956), kohë gjatë të cilës shkroi disa vepra, si “Kuarteti” për harqe në 1955; suita “Një ditë pikniku” në 1955 etj. Punoi në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës e më pas si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore (1962–1980). Me operetën “Lejlaja”në 1957 dhe operën “Pranvera” në 1960, renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive skenike. Në vitin 1963 kompozon muzikën e të parit balet shqiptar, “Halili dhe Hajrija”, me koreografi të mjeshtrit Panajot Kanaҫi. Kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore dhe dha kontribut edhe në muzikën e filmit shqiptar. Tish Daija konsiderohet një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, me këngë të tilla, si: “Erë pranverore”, “Natën vonë” etj. Së bashku me Ç. Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Është vlerësuar me tituj dhe medalje të ndryshme, ndër to edhe me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), në 2017. Ai mban titullin “Artist i Popullit”, titullin e akademikut dhe është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.