Ballina Rajoni “Nuk po qeverisin këtu ashtu siç duan”- Dodik pas deklaratës së Escobarit:...

“Nuk po qeverisin këtu ashtu siç duan”- Dodik pas deklaratës së Escobarit: Republika Sërpska funksionon edhe në trysni

54
0

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, tha të shtunën mbrëma se entiteti serb “ka forcë” dhe se ai mund të funksionojë edhe “nën trysni të madhe tinëzare” nga Shtetet e Bashkuara, pasi zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar theksoi të premten se ky entitet nuk ka kapacitet për t’u pavarësuar.

“Ata frikësohen se nuk po qeverisin këtu ashtu siç duan, dhe pikërisht këtu Republika Sërpska e tregon fuqinë e saj. Ata po përpiqen të shkatërrojnë Marrëveshjen e Dejtonit për paqen, dhe për këtë na fajësojnë ne. Prandaj Republika Sërpska ka forcë”, tha Dodik në rrjetin social X.

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të premten se nuk mendon se Republika Sërpska ka forcë të ndahet nga Bosnja, me gjithë kërcënimet e Dodikut për ta bërë një gjë të tillë.

“Ndonëse kërcënimet e Dodikut shkaktojnë dëm, nuk mendoj që një entitet i varfër me 750.000 njerëz, që është në borxhe në rritje, do të ketë kapacitet për të sfiduar NATO-n apo për të shpallur pavarësinë, dhe për të qenë i qëndrueshëm”, tha Escobar për Radion Evropa e Lirë.