Ballina Kulturë ‘OTELLO’ i Blushit botohet në Kinë, kritikja Chen Fenghua: Shkrimtar me përmasa...

‘OTELLO’ i Blushit botohet në Kinë, kritikja Chen Fenghua: Shkrimtar me përmasa botërore

95
0

Nga Chen Fenghua *

“Otello, Arapi i Vlorës”, është një vepër përfaqësuese e shkrimtarit të njohur bashkëkohor Ben Blushi, me të cilën ai ka merituar çmimin “Shkrimtari më i mirë për vitin 2009” në edicionin e 12 të Panairit Ndërkombëtar të Librit si dhe “Çmimin Evropian të Letërsisë për vitin 2014.”

Në të njëjtën kohë “Otello, Arapi i Vlorës”, së bashku me dy romane të tjerë të tij, “Të jetosh në Ishull” dhe “Shqipëria, 2011”, përbëjnë triptikun e serisë së romaneve të Blushit, të cilët jo vetëm që kanë ngjallur debate të zjarrta në Shqipëri, duke e bërë atë një shkrimtar bestseller të paparë në 20 vitet e fundit, por gjithashtu i kanë befasuar lexuesit me temat e mprehta që trajtojnë, stilin e veçantë dhe gjuhën e pasur e të bukur, duke ia dalë me sukses ti bëjë ata sërish të interesuar për letërsinë, nga e cila kishin filluar të largohen gradualisht. Për më tepër, shumë kritikë e konsiderojnë Blushin, këtë figurë me ndikimin të fuqishëm në shumë fusha, dhe fenomenin kulturor që ka ngjallur triptiku i tij, si “një ngjarje të madhe letrare”, me shpresën që në një të ardhme jo të largët, Shqipëria të prodhojë një shkrimtar të përmasave botërore.

Dhe për të plotësuar varguan e lëvdatave ndaj tij, vlen të theksohet se duke filluar nga vitet 90 të shekullit 20, Blushi, i cili e nis karrierën e tij në shtypin e shkruar, për tu hedhur më pas në politikë dhe për të rikthyer përsëri vitet e fundit në median televizive, nuk ka pushuar asnjëherë së shkruari letërsi, duke prodhuar shpesh vepra të shkëlqyera. Këto tre romane të tij rikthyen interesin e lexuesve shqiptarë për letërsinë si dhe zgjuan botën e përgjumur letrare të periudhës pas viteve 90-të.
Ben Blushi ka lindur më 1 janar 1969 në Tiranë, në një familje letrarësh. Gjyshi i tij, Dhimitër Shuteriqi ka qenë poet dhe studiues i njohur, ndërsa babai Kiço Blushi, shkrimtar dhe një skenaristët më të njohur të viteve 60 deri vitet 80, periudhës së artë të filmit shqiptar. Pas përfundimit të studimeve për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Histori- Filologjisë, Blushifilloi punë si gazetar në gazetën e pavarur “Koha Jonë”, më pas kryeredaktor i saj. Në vitin 2001 u fut në politikë, ka qenë ministër i arsimit dhe shkencës, prefekt i Qarkut të Korçës, këshilltar i kryeministrit, Zëvendësministër i jshtëm, është zgjedhur deputet disa herë.

Në fakt ka qenë përkatësia e tij si gazetar, politikan dhe personalitet i medias, që e ka pajisur Blushin me një përvojë të pasur jetësore dhe dimensionin e mendimit, që i ushqeu në vazhdimësi lidhjen e thellë me letërsinë, që e ka frymëzuar dhe ndezur pasionin gjatë gjithë jetës së tij si shkrimtar, dhe e ka ndihmuar që duke përdorur mbretërinë ideale të letërsisë, të trajtojë tema të larmishme dhe të shprehë e përcjellë ide e ndjenja të thella.

Nuk është e vështirë të shihet se në veprën “Otello, Arapi i Vlorës”, Blushi ka përdorur me guxim “shishen e vjetër” të tragjedisë me famë botërore “Otello” të Shekspirit , duke futur në të “verën e tij të re”. Në këtë shishe me “verë të re”, përmes përballjes mes Venedikut dhe Vlorës, ringjallet tabloja e jetës reale të rajonit të Mesdheut të para më shumë 600 viteve. Vlora është mbretëri e shqiptareve, që ndodhet në brigjet lindore të Mesdhut, kryezoti i saj Balshaj II, nga njëra anë është plot ambicie për të zgjeruar zotërimet e tij ,duke dalë madje edhe kundër vëllait të tij; nga ana tjetër i duhej të përballej me vërshimin e ushtrisë turke në jug të vendit. Por pas vdekjes së tij në fushë të betejës gjatë përleshjes me turqit, gruaja e tij Komita, megjithëse e frikësuar tej mase, nuk dëshironte ti nënshtrohej armikut, kështu që pasi mori në dorë drejtimin e mbretërisë, e martoi vajzën e vet Rugina, me princin serb Zharkoviç, të quajtur Kasi, me qëllim lidhjen e aleancës me të dhe rezistencës së përbashkët ndaj turqve të fuqishëm. Në këtë kohë, mbretëria e Venedikut në brigjet perëndimore të Mesdheut dhe principatat e tjera italiane, megjithëse të pasura e të fuqishme, e ndjenë rrezikun gjithnjë në rritje nga një armik i fortë, por megjithatë në fund zgjodhën të qëndrojnë indiferentë, duke e lënë të vetme Vlorën si dhe gjithë Shqipërinë në përballjen me pushtuesit e rinj.
Duke qenë një shkrimtar që preferon së tepërmi temat historike, Blushi përshkruan me mprehtësi këtë periudhë kritike të ndryshimeve të mëdha, për të cilën është shkruar shumë pak. Tregtari Venecian Contarini, ky rrëfyes i besueshëm i asaj periudhe, përshkruan plot gjallëri procesin dramatik të ndarjes së Venedikut dhe Vlorës. Në rrëfimin historik të tij, Venediku, i aftë në llogari, përshkruhet si hëna e ftohtë, ndërsa Vlora , në pritje të një oferte të mirë, përshkruhet i ngrohtë si dielli. Dielli dhe hëna janë të destinuar të mos bashkëjetojnë në një qiell, fundi tragjik i braktisjes së Vlorës nga Evropa, duket i pashmangshëm, dhe për këtë shkak, në vorbullën e historisë përfshihen edhe disa figura të tjera, përfshirë familjen Contarini.

Në këtë vepër Blushi ka derdhur një fantazi të jashtëzakonshme tek personazhi kryesor, Otello, duke bërë që kjo figurë e vogël modeste, të lërë gjurmët e tij në një faqe të rëndësishme të historisë së Venedikut dhe Vlorës, dhe kështu Otello shndërrohet në shkruesin e dytë të besueshëm të kohës. Dhe më interesantja është se ai aspiron të bëhet “Otello” i vërtetë, por që për fat të keq, pikërisht jeta e tij në mënyrë të pamëshirshme, kthehet në pengesën më të madhe të kësaj aspirate. Në të njëjtën kohë, historia tragjike e tij ndërlidhet me gëzimet dhe hidhërimet e personazheve të tjerë, duke shpalosur si shkëlqimin, romantizmin dhe ftohtësinë e Venedikut, por duke zbuluar edhe egërsinë, ashpërsinë dhe thjeshtësinë e Vlorës, dhe të gjitha këtë ndikuan thellësisht tek ai dhe ndryshimin shpirtëror të tij.

Po kështu në “pijen e re” të kësaj shisheje, Blushi ka krijuar me kujdes edhe disa role të vogla por plot gjallëri e kolorit, të tillë si udhëtarin e madh të famshëm në rrethin shoqëror të grave, gjyshin e ContarinitMarcoPolo, gjyshen e Contarinit me prejardhje nga Vlora dhe që vazhdonte të ngjante si e gjallë brenda kornizës së pikturës varur në mur, turku Hamit i etur për pushtet, si në burgun e errët e të pistë ashtu edhe në fushëbetejën e përgjakshme, Stefani, mjeku i njohur i qytetit të Vlorës, i fiksuar pas të vërtetës, por ​që arrinte të ekzistonte mes racionales dhe paragjykimeve, Komita, mbretëresha tradicionale, kokëfortë dhe kryelartë, Kasi, princi serb i dhënë pas qejfeve të momentit, trimi Adrea, zemërbujar e i drejtë, etj. Të gjithë këto mund të quhen “personazhe të mrekullueshme dublues”, ekzistenca e të cilëve e nxit Otellon në kërkim të vetvetes, që jeta plot ulje e ngritje, të fitojë hapësira më të gjera historike dhe gjeografike.

Në këtë mënyrë, ai jeton për dashurinë dhe figura e vdekjes pas humbjes së dashurisë, bëhet më bindëse e emocionuese.
Sigurisht, duke qenë huazim nga drama e Shekspirit, “Otello, Arapi i Vlorës” ka sfondin e një romani dashurie. Në kohën kur Evropa ndodhej në udhëkryqin e ndryshimeve të mëdha historike dhe po shndërrohej në një botë të zhytur thellë në konflikte interesash, Otello i cili dukej edhe më i vogël e i pafuqishëm, sigurisht që e kishte të pamundur të kontrollonte jetën e tij të mbushur me vrasje. Po kështu edhe Desdemona zemërmirë, nuk arrin të shpëtojë nga tradhtitë familjare dhe vuajtjet emocionale, ndërsa Jago zemërlig e djallëzor, nxjerr edhe më tepër pah anën e errët të karakterit të njeriut, si xhelozinë, intrigat etj…Kjo e bën “Otello, Arapi i Vlorës”, një roman plot ndjenja ekzotike dhe që të zgjon imagjinatën. Gjerësia në kohë dhe hapësirë e zhvillimit të ngjarjeve, ngjajnë me një kaleidoskop shumëngjyrësh dhe multi-dimmensional, në të cilën dashuri të të gjitha llojeve ndërthuren në jetën dhe vdekjen e individëve, në lulëzimin dhe rrënimin e familjeve, në mbijetesën apo shuarjen e vendit. Megjithatë, ndërtimi nga Blushi i rrugëtimit të Otellos në kërkim të dashurisë, nuk synon aspak të zbërthejë një histori dashurie shekspiriane, duke i dhënë kështu asaj një “kuptim të ri” përtej “shishes së vjetër”. Qëllimi i tij është që nëpërmjet romanit të depërtojë në histori, të shkruajë historinë dhe të projektojë Shqipërinë e sotme, madje gjithë botën, duke përdorur Vlorën e shekujve 14-15.

Synimi i romaneve të Blushit nuk është thjesht kthimi në histori dhe eksplorimi i të vërtetave historike, qëllimi i tij është që nëpërmjet veprave letrare të lidhë lexuesin me historinë, në mënyrë që ato të kenë edhe vlera reale sociale. Në romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, jetën tragjike të Otellos, Blushi e vendos nën hijen e pushtimit të afërt të Evropës nga Turqia osmane, tregon se si arrin të mbijetojë një mbretëri kaq e vogël si Shqipëria, kur fati i saj varet në fije të perit, si përpiqet për të fituar mbështetjen e Venedikut dhe Serbisë. Fiksionalizimi dhe zhvendosja e kohë e hapësirës, ngjarjeve dhe personazheve, të mundësojnë të kuptosh “paradoksin e ekzistencës së shqiptarëve”, për të cilën Blushi e vrarë aq shumë mendjen: nga njëra të kufizuar brenda një ishulli të izoluar, nuk kanë mundësi të ose nuk dëshirojnë të komunikojnë me botën e jashtme, nga ana tjetër, gëzojnë kushte të favorshme gjeografike, historike dhe gjuhësore, si vend në kryqëzimin e qytetërimeve, me plot mundësi shkëmbimesh me botën e jashtme. Pa dyshim, kjo është pikënisja ku bazohet Blushi për rindërtimin e historisë dhe kujtesës kolektive. Ai vitalizon vazhdimisht historinë në mënyrë letrare, zhvesh nga himnizimi figurat historike, duke u nisur nga historia shtron pyetje të njëpasnjëshme për realititen.
Duke përdor të kaluarën si referencë kryesore për artin, ai realizon një vështrim estetik dhe vlerësim historik dhe me këtë mesa duket synon në fund të fundit të tregojë mendimin e njerëzve bashkëkohorë për identitetit shqiptar.

Romani u shkrua nga viti 2008 deri në fillim të vitit 2009, kur në botë mbizotëronte “Obama mania” dhe Blushi e pranon se kjo ndikoi edhe tek ai që i përkiste fushës së politikës. Por ky libër me Othellon si protagonist, sigurisht nuk kufizohet vetëm në analizën e marrëdhënieve midis shoqërisë dhe racizmit në përgjithësi, por për të reflektuar mbi paragjykimet tradicionale, për të kuptuar se si Shqipëria e sotme i sheh njerëzit me ngjyrë, ose si integrohen emigrantët në Shqipëri, apo si Shqipëria integrohet në Evropë dhe një serë pytjesh e përgjigjesh të tjera. Siç thotë Blushi, “Ky roman është si një person që shikon të kaluarën nga e tashmja dhe e përjeton të kaluarën në të tashmen.” Kjo, me gjasë është shtysa e brendshme më e fuqishme e autorit. Ai i kthen veprat letrare në një urë lidhëse të së shkuarës me të tashmen, duke i lejuar lexuesit që brenda historisë të përjetojnë në histori të tashmen, Shqipërinë dhe botën aktuale.
Përveç kësaj, shumë lexues që e kanë të vështirë ta kuptojnë Shqipërinë në thellësi, “Othello, Arapi i Vlorës” do ti ndihmojë të ndiejnë edhe bukurinë e gjuhës së Blushi. Si një tregimtar tërheqës e sharmant , ai i jep çdo personazhi të gjallë metafora më të pasura, duke i bërë më kuptimplote e domethënëse batutat dhe ironitë që shfaqen herë pas here në shkrimet e tij.

Edhe në Kinë, lexuesit do të kenë mundësinë të përjetojnë magjinë e kësaj letërsie shqiptare, nëpërmjet syve të hutuar personazhit kryesor, Othellos , të mendojnë dhe të gjejnë kuptimin dhe thelbin e vërtetë të dashurisë, familjes dhe jetës, mes të çarave të letërsisë dhe historisë, të zbulojnë vellon e Venedikut dhe Vlorës, veçanërisht atë copë toke në brigjet lindore të Detit të Mesdheut, të praruar nga rrezet e diellit e të rrethuar nga ujërat blu, si dhe ato njerëz prej mishi e prej gjaku.

Shefe Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit.