Ballina Opinion Ndëshkimi i Ben Blushit si komplotist

Ndëshkimi i Ben Blushit si komplotist

86
0

Nga Lorenc Vangjeli

Shqipëria e errët e diktaturës kishte shumë më shumë shkrimtarë sesa gazetarë të njohur. Përmbysja e madhe e ka ndryshuar edhe këtë raport; sot në Shqipëri ka shumë më shumë gazetarë të njohur sesa shkrimtarë të tillë. Fast food-i i fjalës ka zëvendësuar kuzhinën e metaforës. Dhe ky nuk është thjesht fatalitet i kohës së çmendur ku jetojmë, nuk është thjesht klithma e stomakut që kërkon ushqimin e shpejtë të përditshëm, por është vetë koha që me fatalitetin e saj, ka ekzekutuar dhjetëra projektshkrimtarë të panjohur e ëndrra letërsie duke i vrarë Shqipërisë shumë shkrimtarë të mirë duke i konvertuar ata në gazetarë të shkëlqyer. Njëlloj si të krishterët e dikurshëm të Arbërisë së Kastriotit të lavdishëm, që duke sakrifikuar një copëzë lëkure nga trupi, u kthyen nga Kristo në Sulejman e duke festuar në vend të Krishtlindjeve, Bajramin e bekuar.

Askush nuk e di sesa romane janë groposur të gjallë në ndërgjegje njerëzore, sa poezi janë dreqosur në këmbim të prozës së mërzitshme të artikujve, sa dashuri të përjetshme janë rroposur nën rrogozin e ashpër të urrejtjes për politikën e përkohshme të ditës. Askush nuk e di sa ka kushtuar kursi i këmbimit të një libri me shumë artikuj gazetash, por gjithkush e di se, gazetat dikur dhe ekranet e televizionit sot, përkëmbehen me shumë më shumë para, pushtet të errët, vila plot diell apo makina me targa të personalizuara si të çunave të Londrës. Madje me cilindratë më të madhe se makinat e tyre, por me të njëjtin vanitet si ata.

Mes këtyre dy skajeve, diku në mes, si kufijtë mes vendeve të BE-së që ekzistojnë si ndarje, por kanë humbur si praktikë doganieri, në limbon e ndërmjetme, janë ca pak emra shqiptarësh të njohur që i bëjnë të dyja. Edhe shkrimtarin, edhe gazetarin. Madje dikush si Ben Blushi, bëjnë në ndërkohë, edhe politikanin në mes. E meqënëse ra fjala tek artizani i fjalës Ben Blushi, ai i ka bërë me kohë të pjesshme të tre këto zanate, nga të cilët, vetëm njëri prej tyre mund t’i gëzohet trashëgimisë së dikurshme para e postkomuniste. Dy të tjerët, politika, edhe pse me kravata mëndafshi dhe kostume të personalizuar, nuk ka ndonjë ndryshim domethënës nga ajo që ka lënë pas e shkuara. Në një shumicë tmerruese, kostumet e sotëm janë njëlloj me pëlhurat gri që mumifikonin ish-revolucionarët e dikurshëm të byrosë me Hoxhën mbi kokë e që nuk ishin të gjendje të kuptonin se të ishin vdekur, ndonëse ishin njëkohësisht në gjendje të kryenin nevojat fiziologjike si ushqimi e defektimi; tjetra, gazetaria, mbas vrullit idealist dhe moralist të viteve 30-të apo fillimit të viteve 90-të, është shndërruar në një kamarierllëk brutal duke u këmbyer me një pjatë dhembshurisht bosh, që i serviret interesit vetjak sot, njëlloj si prostitucionit. “Le t’ja hipin atë që paguan më parë!”. I endur mes tre zanateve, me artikuj të dikurshëm që nuk i kujton më as vetë, me akte politike që pak ja kujtojnë në Tiranë, si shkrimtar, Ben Blushi ka krijuar një kolanë vetjake librash befasues si për të kujtuar diferencën mes tyre.

Politika shkruan historinë, gazetaria është në thelb histori e shkruar në çast, kurse letërsia e krijon vetë botën e saj, në të cilën shkrimtari është zot. Letërsia është vullneti i epërm që bën bashkë apo divorcon një çift, është vendimi për kë lind e kush ka radhën për të vdekur, është krijuesi që kur nuk i pëlqen çfarë sheh rrotull, shpik një botë alternative ku fton në census cilindo që ja lyp dëshira vetjake. Apo edhe më shumë, bashkë me gjithë këto, krijon edhe një botë të kithtë të së ardhmes, banorët e të cilës ende nuk kanë lindur, por që mund të detyrohen të jetojnë pikërisht aty.

Romani i fundit në radhë, Komploti, i botimeve Pegi, ka zgjedhur këtë identikit bote të ardhshme, të cilën vetë autori, refuzon ta pranojë. E afron si mundësi, por i lutet gjithkujt që ka në dorë ta pengojë sendërtimin e saj, shmangien e ngjarjeve të këtij romani. Që të mos ndodhin vërtet.

Në libër është Shqipëria e vitit 2043, ku një sërë ngjarjesh, të lidhura me njëra-tjetrën sipas rendit shkak-pasojë dhe duke e shndërruar çdo shkak në pasojë dhe më pas, edhe pasojën e radhës e rimishëron në një shkak të ri të mbetur me barrë nga pasoja vijuese. Sërish sipas rendit: Politikanët shkruajnë historinë, gazetarët e dokumentojnë atë, kurse shkrimtari si Zoti, krijon vetë botën. Nuk është një Shqipëri më e bukur në libër. As më e fortë. As më e ndershme dhe as më e drejtë. Eshtë një Shqipëri e cila qeveriset nga afganët e bërë papritur gjysma e popullsisë në vend mbasi kishin ardhur në Shëngjinin e bukur si një grusht emigrantësh të drobitur lufte, por natyrisht të paaftë t’i bëjnë Shqipërisë ato lemeri që nuk ja kanë bërë as pushtuesit më të egër; edhe afganët u dëshmuan të paaftë ta trajtojnë Shqipërinë aq mizorisht sa e kanë trajtuar vetë shqiptarët. Anarkia dhe mbretëria e kaosit, hierarkia e përmbysur një një vend që njeh si perëndi të vetme paranë, ideologjia e gënjeshtërt dhe urrejtja edhe pa shkak që rritet si kaktus në këtë vend nën diellin e mrekullueshëm të Mesdheut, provincializmi harbut dhe harbutët që refuzojnë të mësojnë të sillen me zotnillik, turma me instikt të verbër që drejton instiktivisht vullnetin e individëve që i sheh të ndryshëm, soji më fatkeq i budallenjve që janë edhe më shumë të tillë sepse kanë fatin të mos e kuptojnë që janë budallenj, shto këtu natyrisht edhe hebrenjtë që nuk mungojnë kurrë mbas çdo teorie konspirative dhe miqësitë e mëdha me të fuqishmit e kësaj bote që kanë qenë tempujt e vetëm ku faleshin maskarenjtë e të gjitha ngjyrave që flisnin shqip që në lindje, pra, të gjitha këto bashkë me revanshin e autorit që kujton jetën e tij, janë të gjitha kanavaca dhe korniza e një pikture të ashpër të Shqipërisë së dy dekadave më pas, që Ben Blushi, e skicon bardh e zi faqe pas faqeje në libër.

Me një stil të vrazhdë, pa ornamente, por me shije reportazhi, me personazhe që edhe pse të ndryshëm janë njëlloj të ngjashëm si gurët e shahut, Blushi vë bast me fantazinë e lexuesit, të cilin e sfidon që mbas çdo sajese, të verë bast se çfarë do të sajojë më pas. Duke ndjekur logjikën e Blushit, vargu i sikureve që ai i trajton fillimisht si shkaqe që nuk mundin të abortojnë pasojën e rradhës, është një ftesë për ta parë dhe të nesërmen hipotetike të vendit, si një rresht sikuresh që mund të nisnin fjala vjen, me ata 30 e kusur vezirë të mëdhenj të perandorisë osmane, që sikur t’i ishin falur klithmës së gjakut dhe jo vetë perandorisë si fe, sikur anesë së Enverit t’i kishte dhembur koka mjaftueshëm për ta shmangur të shoqin mbi vete në atë shkurt të ftohtë Gjirokastre në vitin 1908 e të mos kishte mbetur me barrë më diktatorin e ardhshëm, sikur diktatori Adolf i gjermanëve të kishte dëgjuar Rauf Ficon që të kishte pushtuar Shqipërinë dhe jo Bashkimin Sovjetik, sikur turqit të kishin pushtuar më parë Vjenën dhe të mos vinin fare në Krujë, sikur Mehmeti i shqiptarëve, ai burri me mustaqe që ishte luan me të dobëtit dhe lepurush me Hoxhën, ta kishte qëlluar Enverin në një nga pushimet e seancave të kongresit të shtatë të PPSH-së e shumë sikure të tjera që mund të vazhdojnë pafund, por pa përjashtuar sidomos njërin prej tyre: sikur Ramiz Alia, të kishte çuar Fatos Nanon të paqtohej me studentët dhe të mbante Sali Berishën për partinë e tij, atëherë me siguri, Pandi Majko do të vazhdonte të ishte sekretari i parë i rinisë socialiste në vend. Dhe më pas nuk do të ishin as Majko me flokë të bardhë dhe as afgani Mohamed me dhëmbë shkëlqyes – personazh i Blushit – ministra të mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, i pari veteran i luftës së Kosovës, i dyti, i gatshëm t’i vinte hakut nonave të serbëve.

Konvertimi i dhembshëm i çdo halle lozonjare me një xhaxha të ngrysur është i pamundur. Ashtu siç është e pamundur të imagjinohet sesi do të ishte Shqipëria sikur politika e saj në këto tre dekada e kusur pluralizëm të ishte thjesht normale. Blushi vetë i bën llogaritë e tij cinike me anormalitetin e saj. Në romanin e tij të fundmë, Komploti, ai nuk e thotë një gjë të tillë. Blushi vazhdon me sikuret e tij dhe fton në botën groteske që krijon vetë, në të cilën, në forma të ndryshme shqiptarët do të jenë të dënuar të jetojnë sa kohë që edhe ca pak individë të mençur do të vazhdojnë t’i binden instiktit të turmës, sa kohë që urrejtja do të vazhdojë të jetë instrumenti që shpjegon gjithë botën tonë të vogël dhe sa kohë që do të refuzojmë të rritemi duke refuzuar të pranojmë sa të vegjël e të parëndësishëm jemi në një botë të madhe përtej nesh. Por mbi të gjitha, nëse vazhdojmë t’i përulemi ligjësive të një bote që pranon pa mëdyshje që hallati më krenar mashkullor në Tiranë vazhdon të jetë Range Rover-i i modelit të fundit.

Shkrimtarët paralajmërojnë, por shkrimtarët nuk kanë faj kur nuk nuk i dëgjon dynjaja. Për këtë arsye, për këtë mëkat që nuk vjen prej tyre, ata duhen ndëshkuar si komplotistë edhe kur thonë të vërtetën. Në botën e gënjeshtërt, e vërteta është krim. Blushi shkroi dhe e pranoi krimin e tij. Ai duhet ndëshkuar edhe pse si shkrimtar më pak i njohur sesa si politikan dhe gazetar, e sheh veten ndihmës të Zotit, edhe vetëm pse guxoi të bëjë me hakmarrje, revansh e urrejtje të njëjtën punë që Krijuesi i Pavdekshëm e bën me dashuri!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu