Ballina Ekonomia “Po tallen me djersën tonë!”/ Fermerët në Fier në protestë për çmimin...

“Po tallen me djersën tonë!”/ Fermerët në Fier në protestë për çmimin e luleshtrydhes: Po e shesim me 400 lekë të vjetra

65
0

Çmimi i ulët i luleshtrydhes, ka ngritur mëngjesin e kësaj të shtune dhjetëra fermerë të qytetit të Fierit në protestë.

Të ardhur nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull, ata janë bërë bashkë pasi i gjithë investimi po u shkon dëm.

Fermerët pohojnë se për kultivuesit e luleshtrydhes ky është viti më i keq, pasi kurrë më parë nuk ka ndodhur që në këtë periudhë të vitit, çmimi të arrijë deri në 40 lekë për kilogramë, ndërkohë që hedhin poshtë zërat se prodhimi i kësaj zone nuk është bio.

“Na thonë hajdeni investoni, erdha nga emigrimi, tani çfarë të bëj, të marr familjen të iki prap në emigrim, jemi të braktisur. Në Itali e shesin më 8 euro kilogrami, këtu me 400 lekë të vjetra”, tha një tjetër fermer.

 “Edhe pse kemi luleshtrydhe bio, sa herë që duhet të çojmë jashtë, se ne kemi çuar tek Lidl, në Itali, dhe ata përsëri tek malli ynë dyshojnë, ne duam ose të na japin një drejtim, se duan mall pa mbetje, ne kemi 13.5 hektare pa mbetje, por në fund nuk trajtohemi. Ne themi se kemi mall të pastër, lë të vije kush të dojë, të bëj analizat. Për mendimin tim, këtu nuk ka një mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, çdo ditë na dalin mostrat të pastra. Në Shqipëri ka pesticide që në BE kanë dalë nga qarkullimi, se si qarkullojnë këtë ta gjejë ata që janë kompetentë”, tha fermeri Dritan Goga.

Përballë kësaj situate fermerët kanë kundërshtuar fuqishëm dhe politikat e pikave të grumbullimit, të cilat sipas tyre, po e vendosin çmimin sipas dëshirës.

Ata kanë apeluar njëzëri për të gjitha institucionet përgjegjëse që tu vijnë në ndihmë në këtë situatë të vështirë, që po i çon drejt falimentimit.

Ndërkohë edhe një tjetër fermer, ka pohuar se ditët e fundit ka ndodhur kjo situatë për shkak  të mbiprodhimit edhe në vendet fqinje të cilat për të eliminuar prodhimin shqiptar, kanë hedhin zërat që luleshtrydhet vendase janë me pesticide.

“Po tallen me djersën tonë, edhe preparatet që përdorim ne vijnë nga Gjermania, tani na thonë që del më pesticide. Është lojë e këtyre për ta shitur me shumë jashtë dhe na bllokojnë tregun vendas. Ne kemi shumë shpenzime, që nga fidani, është 11 muaj punë, presim këto 10 ditë që të vjelim dhe e kanë çuar me 400 lekë të vjetra Kg. Kam investuar nga xhepi im 30 milion lekë. Vjet ka qenë 11 mije lekë të vjetra. Unë jam minus, ambalazhi kushton. Shteti të vërë dorë në këta banditë që grumbullojnë mallin, e çojnë jashtë sa u intereson atyre”, tha një tjetër prej fermerëve.

Teksa kanë bllokuar rrugën dhe kanë hedhur poshtë produktet e tyre, fermerët kanë kërkuar që Ministria e Bujqësisë të ngrejë një komision për të verifikuar pesticidet që shiten në treg dhe nëse nuk plotësojnë kriteret, të asgjësohen.