Ballina Politika “Çështja Partizani”/ Gjykata e Lartë cakton datën e seancës së radhës për...

“Çështja Partizani”/ Gjykata e Lartë cakton datën e seancës së radhës për Berishën

75
0

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 9 prill për zhvillimin e seancës gjyqësore për kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për liri nga masa e “arrestit në shtëpi”, të caktuar për çështjen nën hetim të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Në orën 13:30 të kësaj date, një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Sokol Binaj do të shqyrtojë në Dhomë Këshillimi rekursin e bërë nga ish-kryeministri.

Në Gjykatën e Lartë, Berisha kërkon shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe Apelit të Posaçëm për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij në “arrest në shtëpi”.

Ish-kryeministri nën hetim për “korrupsion”, qëndron në këtë masë prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.

Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi kërkesën e tij për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend, në funksion të mandatit të tij të deputetit.

Kujtojmë se GJKKO vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “detyrim parqitje” në “arrest në shtëpi” me mbikqyrje policore, ku i ndaloi dhe kontaktet me personat e tjerë, përveç se me familjarët që qëndrojnë në të njëjtën banesë. Sipas vendimit, Berisha është i detyruar të qëndrojë në adresën e shtëpisë së tij në rrugën “Mustafa Matohiti”.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila pranoi kërkesën e dy prokurorëve të SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Vendimi është lënl në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

Deri më sot, avokatët e kryedemokratik Sali Berisha, si dhe ai vetë, i kanë konsideruar vendimet e gjykatave si të diktuar nga kryeministri Edi Rama për të goditur opozitën dhe për t’i mbyllur gojën kreut të saj.

Ndërkohë deputetët dhe simpatizantët demokratë i kanë shkuar Sali Berishës pothuajse çdo pasdite në mbështetje poshtë pallatit ku banon, teksa pritet që të mblidhen edhe ditën e sotme.

Më herët GJKKO i kishte caktuar Sali Berishës masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Megjithatë, Sali Berisha refuzoi që të paraqitej në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi ishte antikushtetues, pasi nuk ishte marrë më parë autorizim për heqjen e imuniteti ndaj tij. Por SPAK i qëndroi mendimit se masa e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” ishin të një karakteri që konsiderohen kufizime dhe jo heqje lirie. Për këtë shkak SPAK kërkoi shtrëngimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpi”.

Berisha akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të larte shteterore ose te zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim. Ish-kryeministri i ka konsideruar akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, si sulm politik, pasi sipas tij, nuk ka asnjë fakt dhe dokument që të ngrihen dyshimet mbi akuzat.

Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”. Ndërsa, për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, SPAK-u deklaron se ata kanë përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta.