Ballina Opinion PD është bërë për mëshirë, Apeli t’i japë fund ‘agonisë’ për vulën

PD është bërë për mëshirë, Apeli t’i japë fund ‘agonisë’ për vulën

122
0

Nga Jakin Marena

Është me të vërtetë për të ardhur keq për situatën e rëndë në të cilën është katandisur opozita kryesore shqiptare që nga 9 shtatori i vitit 2021.

Fjala është për Partinë Demokratike, e cila që me vendimin  e Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, vendim i ardhur për shkak të shpalljes së ish kryeministrit ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion madhor, minim të dëmokracisë e shantazhim të drejtësisë, është përfshirë në konflikte, është ndarë në dy a më shumë pjesë dhe praktikisht është nën kaos.

Lulzim Basha mori të gjitha vendimet e mundshme me Kuvend Kombëtar dhe me forumet e tjera drejtuese duke përjashtuar Berishën dhe mbështetësit e tij nga PD. Pavarësisht se bëri një hap pas duke u dorëhequr, por dhe duke u rizgjedhur kryetar pas një viti, PD zyrtare figuron në emrin e tij. Praktikisht institucionet shtetërore duke filluar nga KQZ dhe vazhduar me institucionet e tjera, të gjitha kërkesat apo përgjigjet i çon në adresë të Bashës.

Edhe regjistrimi në zgjedhje bëhet me firmën e Bashës, pasi PD figuron në gjykatë në emrin e Lulzim Bashës si kryetar i saj. Nesër të bëhen zgjedhje të parakohëshme, sërish PD me kryetar Bashën figuron si e regjistruar në regjistrim themeltar të partive, për të garuar në zgjedhje.

Nga ana tjetër Sali Berisha, në reagimin e tij ndaj Bashës, krijoi Foltoren dhe njësoj si Basha, bëri të gjitha përjashtimet dhe zgjedhjet e mundshme, duke organizuar Kuvendin paralel dhe institucionet e tjera drejtuese paralele. Për hir të së vërtetës grumbulloi demokratë më shumë se Basha rreth vetes, mblodhi më shumë deputetë në këto mbi dy vite rreth vetes, por ama në zgjedhje hyri në koalicion me Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe nën siglën e kësaj partie.

Ia doli ta ‘mundë’ Bashën në dy palë zgjedhje, t’i marrë edhe selinë qëndrore buzë Lanës, pas dështimit të tentativës për ‘pushtimin’ me dhunë të saj më 8 janar. Tani është akomoduar në dhe me ndihmën e Bardhit në zyrat e kësaj selie, ndërkohë që dhe Foltorja e Berishës ka bërë të gjitha përjashtimet e mundshme të Bashës dhe Alibeajt, bashkë dhe me ata që i mbështesin, tashmë së fundmi.

Të dyja palët flasin në emër të PD, e quajnë veten Partia Demokratike, përdorin afërsisht të njejtën sigël dhe vulë, megjithëse Bashës i ‘shkon’ vula juridikisht dhe në institucionet ligjore e të shtetit, ndërsa Berisha praktikisht vulën e tij në emër të PD, e ka për ‘përdorim të brendshëm’, pasi askush nuk e njeh. Eshtë grupim politik ‘në të zezë’.

Megjithëse Gazmend Bardhi i cili nga kundërshtari më i paepur i Berishës, u rikthye tek ai për të ndjekur ‘serenatat’ e tij poshtë ballkonit të pallatit, dhe është emëruar kreu i grupit të deputetëve të Rithemelimit, deklaron se është kryetar i grupit parlamentar të PD, të gjitha vendimet me firmën dhe me vulën e PD së Berishës i ka për përdorim të brendshëm dhe i njihen ‘vende vende’ nganjëherë. Si ai i fundit kur revokon vendimin e përjashtimit të deputetëve të PD nga grupi parlamentar, mes të cilëve dhe Berishën.

Dhe në Parlament është krijuar një situatë aspak serioze ku flasin të dyja palët në emër të grupit parlamentar të PD, anipse Basha ka më pak deputetë mbështetës se Berisha, që e shpërbleu Bardhin për ‘tradhëtinë’ më të fundit në PD për lëvizjet sa në një krah në krahun tjetër. Madje dhe në konferencën e kryetarëve, paraqiten përfaqësuesit e të dy krahëve në PD, flasin në emër të PD të dyja palët, ndërkohë që mazhoranca nën argumentimin se s’futet në çështjet e brendshme të partive politike opozitare, u përgjigjet të dyja palëve. I volit kjo. Ndonëse shkresërisht vetëm Basha ka të drejtë të firmosë në emër të PD. Të paktën deri sa të marrë fund se kujt i takon vula dhe logo e kësaj partie. Po nganjëherë dhe gallata në Kuvend duhet, dhe copat e PD i ofrojnë falas këto skena, duke shkulur së qeshuri deputetët por dhe qytetarët që i shohin përmes TV.

Me një fjalë situata në PD, në të gjitha ndarjet dhe cepat e saj përmbi dy vite është kthyer në një estradë dhe barcaletë, ku nuk e merr vesh i pari të dytin, teksa kanë krijuar bindjen, aspak të gabuar, se më shumë po luftojnë njëra tjetrën për lidershipin e drejtimit të opozitës, se sa kundër kundërshtarit politik për të ardhur në pushtet. Po mbushen 12 vite në opozitë dhe gjasat janë që të paktën dhe katër vite të tjerë të qëndrojnë aty ku kanë qënë këto 12 vite. Madje siç pritet me një rezultat më të ngushtë, më pak deputetë themi, se sa në mandatin e tretë, pas zgjedhjeve të 2021.

Dhe dhënien fund të kësaj estrade në PD e ka në dorë Gjykata e Apelit, me një vendim të formës së prerë, për t’a ndarë përfundimisht se kujt i takon vula dhe logo e PD, Bashës që e ka aktualisht dhe vë firmën në emër të PD poshtë kësaj vule, apo Berishës i cili drejton Foltoren dhe grupin e deputetëve të Rithemelimit. Me drejtues të deleguar Gazment Bardhin.

Eshtë zvarritur pafund çështja e vulës, palët kanë qënë të konfliktuara nga mungesa e saj, Basha pavarësisht se është një dembel funksional, nuk ka qënë në angazhimin e duhur për t’u përfshirë maksimalisht në fushatat zgjedhore nën argumentin se nuk kërkon përçarjen më tej të partisë. Se çfarë duhet më tej për ta cilësuar të ndarë PD-në vetëm Basha mund ta shpjegojë.

Ndërsa Berisha, në dy palë zgjedhje të paktën, një në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki dhe në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit të kaluar, kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë të grupimit të tij Foltorja i ka regjistruar nën siglën e PL të Ilir Metës. I cili, parë dhe në këndin e ‘stërvitjes’ së fortë që po bën në paletër dhe në male, të jep siguri se do t’ia marrë gjysmën e kandidatëve të sigurtë për deputetë Berishës, në zgjedhjet e vitit 2025, nëse Foltorja futet në garë nën siglën e PL.

Thuhet zyrtarisht se brenda majit do të jepet vendimi përfundimtar nga Apeli, vendim që do t’i japë fund njëherë e mirë ‘betejës’ së vulës në PD dhe konfliktit mes palëve për këtë qëllim. Kushdoqoftë fituesi, me këtë vendim në dorë do të operojë në listën e regjistrit të partive politike.

Besojmë se zvarritjet do të marrin fund më vendimin e Apelit, e për pasojë do të marrë fund dhe dilema se kush e disponon vulën dhe logon e PD. Jo se do të marrë fund debati mes dy grupeve në PD, të cilat si gjithnjë do ta kontestojnë vendimin e gjykatës së Apelit dhe do justifikojnë humbjen përballë kundërshtarit politik. Me nnjë fjalë alibinë e kanë gati, kushdo merr vulën.

Por ama, përfundimisht do të zgjidhet: Vulën zyrtare të PD do ta ketë pjesa e Bashës, e deklaruar pro SHBA-së, BE, Britanisë së Madhe dhe në mbështetje të fortë të SPAK dhe drejtësisë së re, apo Foltorja e drejtuar nga Berisha i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e me një orientim të fortë kundër aleatëve tanë, si dhe kundër SPAK të cilin e sulmon çdo ditë, duke e cilësuar ‘organizatë terroriste’, ndërsa prokurorët e gjyqtarët e posaçëm i akuzon si pjesë e krimit, si të kapur nga Rama. Gjykata e Apelit, në respekt të ligjit duhet t’i japë fund këtij konflikti brenda PD sa më shpejt. Se po i humb jo vetëm serioziteti por dhe kuptimi opozitës dhe më gjëeë të gjithë politikës. I cila në vend që të shkojë tek elektorati, ka mbetur në derë të gjykatës.

E themi se duhet të marrë fund zvarritja për zgjidhjen e çështjes së vulës dhe logos së PD, pasi zgjedhjet parlamentare janë në prag, dhe praktikisht kemi hyrë në vitin zgjedhor, ku partitë politike duhet të hartojnë strategjinë e kërkimit të votës në çdo cep të vendit. Ende nuk dihet nëse PD e Bashës do regjistrohet si forca opozitare me këtë emër në KQZ dhe do të kërkojë votën në elektorat në emër të PD, apo Foltorja e Berishës. E cila ka përdorur deri më tani si ‘komerdare shpëtimi’ PL-në e Ilir Metës për të hyrë në garën zgjedhore me kandidatët e saj.

Nëse vijon një situatë e tillë, pa një vendim Apeli për vulën e logon e PD, do të jetë shumë e vështirë të gjenden kandidatë për të garuar në emër të një partie apo grupimi politik të papërcaktuar definitivisht në bazë të ligjit. Askush nuk vë në ‘bast’ kredecialet e veta për të garuar në këtë lloj mënyrë, pa pasur siguri se do jetë përfaqësues real i atij grupimi që i ka bërë ftesën për të garuar në emër të tij.

Nga ana tjetër zvarritja e vendimit për vulën do të sjellë zhgënjimin e mëtejshëm të demokratëve e mbështetësve të tyre. Ka pasur aq shumë bojkot në zgjedhjet e fundit nga ana e demokratëve, flitet për 250 mijë votues që nuk kanë shkuar në kutitë e votimit, aq sa dhe i deleguari i Berishës për reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi, si një ndër kërkesat kryesore të Foltores ka paraqitur atë të futjes në ligj të votimit me detyrim të qytetarëve. Nga frika e thellimit të bojkotit, që praktikisht e tkurrin më tej jo vetëm PD e Bashës por më shumë Foltoren e Berishës, duke e dërguar këtë formacion politik të ndarë në dy pjesë, drejt shuarjes.

Për më tepër që një gjendje e tillë ku të dyja copat e PD flasin në emër të PD, por vetëm Basha ka të drejtën e vulës, derisa Apeli të vendosë përfundimisht për destinacionin dhe ‘pronësinë’ e saj, demotivon votuesin opozitar. I cili nuk di për kë të votojë. Demotivimi reflektohet tek vota, e cila sipas gjasave rrezikon të mos hidhet. Pasi një parti politike që të marrë votën duhet të ngjallë besim. Se çfarë besimi ngjallin tek votuesi dy copat e PD njëra me vulë dhe tjetra pa vulë por që pretendojnë ta marrë në Apel, dhe me një Ilir Metë afër që pret Berishën të garojë nën siglën e PL për t’i ‘hequr skalpin’, vetëm një Zot e di.

Eshtë koha që Apeli t’i japë fund të paktën problemit të vulës dhe logos së PD, ta lërë tek Basha apo ta çojë tek Berisha. Pjesa tjetër dihet, sërish në opozitë do të jenë e sigurtë dhe katër vite të tjera. Mazhoranca socialiste tani po punon për mandatin e pestë, që ta fitojë në zgjedhjet e vitit 2029. Fitoren në vitin 2025 e ka të garantuar. Megjithëse po punon fort për ta thelluar si rezultat fitues, për ta pasur si mbështetje për reformat integruese. Por Apeli t’i japë fund ‘agonisë’ së PD për çështjen e vulës. Ta marrë dhe si akt mëshire për opozitën.