Ballina Aktualitet Koçiu ndan mesazhin e mjekes pneumologe: Duhani vret përditë

Koçiu ndan mesazhin e mjekes pneumologe: Duhani vret përditë

58
0

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot mesazhin e mjekes pneumologe, Olvis Petre, e cila apelon mbi dëmet nga konsumimi i duhanit.

“Duhani vret përditë dhe dëmet shihen me kalimin e viteve”, thekson në videomesazhin e saj mjekja pranë QSR “Shefqet Ndroqi”, Olvis Petre.

Sipas saj, “pjesa më e madhe sëmundjeve të duhanit janë sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes si bronkitit kronik apo kanceri i mushkërisë, por edhe dëme të pariparueshme të mushkërisë si fibrozat pulmonare.

“Sëmundja e dytë më e rëndë dhe me impakt të madh në shoqëri është kanceri i mushkërisë. 90% e pacientëve tanë me kancerin e mushkërisë kanë historikun e tyre të duhanpirjes”, u shpreh Petre.

Sipas saj, është rritur shumë përdorimi i cigareve elektronike tek fëmijët dhe adoleshentët por edhe te gratë shtatzëna.

“Te gratë shtatzëna ka disa dëme duhani. Ka dëm te vetë rritja dhe forcimi i fëmijës, te shkaktimi i hipertensionit te nëna, por foshnjat e ekspozuara në barkun e nënës ndaj duhanit kanë predispozita më të larta që me kalimin e kohës kur rriten, të bëjnë astmë, bronkit kronik dhe sëmundje pulmonare kronike. Duhani vret përditë, dëmet nuk shihen brenda një dite apo brenda një jave e brenda një viti por me kalimin e viteve duhani bën sëmundje të rënda kronike hospitalizuese apo edhe sëmundje malinje”, u shpreh mjekja pneumologe.