Ukrainasit kanë arritur të shkatërrojnë radarin e sistemit raketor rus S-400, që kap vlerën e qindra miliona dollarë – duke e goditur direkt me HIMARS-in amerikan.
Ushtarët ukrainas lansuan dhjetëra raketa 16 GMLRS nga sistemi raketor amerikan HIMARS, sapo detektuan radarin e këtij sistemi raketor rus.
Me konfirmimin e pakos së re ushtarake nga SHBA-të në vlerë prej 61 miliardë dollarëve, ukrainasve me gjasë u është rritur vullneti dhe kjo i ka gëzuar tej mase për faktin se prej muajsh kanë vuajtur mungesën e municionit të artilerisë.
Pamjet nga droni shfaqin sulmin mbi radarin e S-400 në një lokacion të panjohur diku në fushëbetejë.
I tërë sistemi raketor i S-400, përfshirë dy radarët, lansuesit dhe raketa kushtojnë rreth 800 milionë dollarë dhe rusët e konsideronin si më modernin duke pretenduar se është i papenterueshëm.
Por ukrainasit nuk e patën edhe aq problem të shkatërrojnë tre sisteme të tilla në javët e fundit – duke përdorur armët moderne që u janë dhënë nga vendet perëndimore.