Ballina Kulturë Profesorët e xhelozuan që u bë drejtor në moshën 24-vjeçare, Zhani Ciko...

Profesorët e xhelozuan që u bë drejtor në moshën 24-vjeçare, Zhani Ciko tregon shpifjen më të madhe që është thënë për të: U thirra nga organet kompetente

43
0

Ishte vetëm 24 vjeç kur u emërua drejtor Artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, në vitet 1970, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1973 kur iu ndalua dalja në skenë nga regjimi diktatorial i kohës dhe u dërgua për të punuar si mësues i thjeshtë muzike në Patos.

Zhani Ciko, i ftuar në “Quo Vadis” me moderatoren Pranvera Borakaj, tregon se si e kanë xhelozuar profesorët e mëdhenj të muzikës. Xhelozia arriti deri në atë pikë sa i prenë edhe rrogën.

Zhani Ciko: Profesorë të mëdhenj të muzikës, që ishin më të mëdhenj se unë dhe që u xhelozuan shumë, se si ky djalë i ri po merr frenat e muzikës, këta nuk thanë asnjë fjalë kur u hoqën veprat e huaja. Thanë “ne e kemi bërë karrierën tonë”. Kurse ne që kishim energji të reja, që nuk më hynte në sy karriera përpara asaj që doja të mbërrinte në Shqipëri. Këtu ka qenë dhe ndikimi i familjes time patjetër.

Jam habitur dhe më pas kur u kthyem në Liceun Artistik, ku ne bëmë një Ansambël që ishte orkestra më e mirë e Evropës e të rinjve…e gjitha kjo ishte një ambicie e madhe që nuk e di nga na erdhi. Mbase për të realizuar atë që ne në një moment nuk e realizum. Kjo ka qenë po ashtu me orkestrën e radios. Ndërkohë që unë isha me orkestrën e radios, orkestra arriti të ftohet në Itali, në sallën kryesore koncertore të Romës dhe aty koncerti të prezantohej nga Bruno Vespa nën patronazhin e Nënë Terezës.

Pranvera Borakaj: Po kur ktheheshit në Shqipëri pastaj?

Zhani Ciko: Shtoheshin xhelozitë. Kaq e madhe ishte xhelozia sa më prenë dhe rrogën. Xhelozia e njerëzve është…por njeriu duhet të jetë i fortë. Nuk është se e mira nuk triumfon.

Ai rrëfen se si është thirrur nga organet kompetente të regjimit, në një kohë kur veprat e huaja ishin të ndaluara në Shqipëri, dhe dikush, emrin e të cilit nuk preferoi ta bënte publik, kishte shpifur për të në një plenium, ku i pranishëm ishte edhe Mehmet Shehu.

Zhani Ciko: Shpifja…një nga shpifjet më të mëdha në atë kohë ishte që …në një plenium të madh, pasi kisha ikur në Patos, se kjo ishte e keqja, një muzikant i madh me emër, por që nuk u pajtua kurrë me idenë që ka edhe njerëz të tjerë me mendime, pavarësisht se nuk kanë studiuar në Moskë, por kanë studiuar në Shqipëri. Shkolla i kishim serioze dhe pastaj personi që donte punonte, pavarësisht nga gjërat që ishin pak a shumë të kufizuara.

Të gjitha këto njeriu mund t’i plotësonte. Ky deklaroi atje, në një plenium, ku ishte Mehmet Shehu i deleguar, që “Zhani Ciko ka dashur të vërë një opera amerikane në skenë.” Mendo në ato kushte kur ndaloheshin këngët, një deklaratë e tillë. Për këtë u thirra nga organet kompetente dhe unë e pranova, është e vërtetë. Por çfarë opera? Jo një opera amerikane që lavdëron imperializmin amerikan, siç quhej atëherë, por një opera që tregon të kundërtën, se si zezakët dhe një vazjë zezake e pashme, që i bie në sy disa policëve rrugaçë që e sulmojnë për ta dhunuar, merret në mbrojtje nga një zezak tjetër nga këto me krahët e prera që e fsheh në kasollen e tij. E strehon derisa ata u larguan.

Pranvera Borakaj: Cili ishte reagimi që morët?

Zhani Ciko: Ata e kuptuan që shpifja i ka këmbët e shkurtra.

Pranvera Borakaj: Po ju u ballafaquat me personin?

Zhani Ciko: Unë më vonë e mora vesh, se nuk më thonin se kush, si qysh, tek. Unë diçka dija, më kishte thënë një koleg i imi. Më tha një ditë “çpati filani që lëshoi një gjë shumë të shëmtuar atje në plenium”.