Ballina Ekonomia Shqiptarët, turizëm në vendet fqinje – Rriten ndjeshëm kontratat e sigurimeve për...

Shqiptarët, turizëm në vendet fqinje – Rriten ndjeshëm kontratat e sigurimeve për kartonin jeshil dhe sigurimin kufitar

82
0

Prej rreth një viti Shqipëria po përjeton një “boom” të vërtetë në sektorin e turizmit. Rekordet e hyrjes së turistëve të huaj po “thyhen” muaj pas muaji dhe vetëm në tre muajt e parë Shqipërinë e vizituan rreth 1,5 milionë turistë.

Por, paralelisht me këtë trend, po regjistrohet edhe një numër i lartë shqiptarësh që largohen nga vendi për pushime ditore. Sipas të dhënave të INSTAT të përpunuara nga SCAN TV, mbi 1,7 milionë shtetas kanë dalë nga pikat kufitare.

Një pjesë e madhe e tyre kanë preferuar të përdorin automjetet me destinacion vendet fqinje. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) konfirmon se në tremujorin e parë të vitit Produkti Karton Jeshil pati një rritje prej 1.28% të vëllimit të primeve të shkruara bruto.

Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 23.11% krahasuar me periudhën janar-mars 2023. Edhe produkti Sigurim Kufitar, regjistroi  një rritje 8.91% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-mars 2023, shoqëruar me rritje prej 12.82% edhe të numrit të kontratave.

Ndërkohë që rritje ka shënuar për këtë viti gjithë portofoli i sigurimit të detyrueshëm të automjeteve. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik arritën rreth 3,016 milionë lekë, ose 9.82% më shumë se në periudhën janar-mars 2023.

Produkti MTPL e brendshme regjistroi rritje 11.42% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, shoqëruar edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 11.11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, nga të dhënat e AMF vërehet se kompanitë kanë paguar më shumë dëme. Kështu, pagesat e dëmeve në janar-mars 2024 u rritën me 23.88% krahasuar me vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,358 milionë lekë, apo 68.06% të totalit.