Viti 2023 ka shënuar rritje të ankesave nga bizneset për parregullsi në tenderat publikë, por në rënie të fortë ka ardhur numri i padive në gjykata. Është ky konkluzioni i raportit të punës së Komisionit të Prokurimit Publik për vitin e shkuar.
Gazetarja Ola Xama theksoi dje në një media se vala e ankesave dhe një vlerësim i plotë mbi tenderat e fituar të bëjnë të mendosh fitues të paracaktuar. Kjo sipas saj lë automatikisht jashtë garës kompanitë e vogla dhe investitorët e huaj.
“Një kompani që ka fituar një kontratë publike është më e predispozuar të fitojë sërish. Kjo përjashton kompanitë start-up. Kjo demoralizon operatorët e rinj që të hyjnë në treg dhe ul konkurrencën. Si ka mundësi që njësia e shqyrtimit të ankesave gjithmonë shprehet si Komisioni i vlerësimit të Ofertave. Duke qenë autoritet kontraktor të krijohet ideja se tenderat janë të paracaktuar. Kur shkohet në Komisionin e Prokurimit publik, shumë kompani mund të marrin të drejtën. Dekurajohen operatorët që të ankimojnë. Kjo ka bërë që të mos ketë valë ankesash. Shkalla tjetër është gjykata administrative. Që vendimi të marrë formë të prerë duhet të ketë vendim të gjykatës së apelit dhe ne në këtë pikë i dimë vonesat. Ka qytetarë që presin me vit”, tha gazetarja.
Më tej Xama shpjegoi disa nga strategjitë që ndiqen për t’i dhënë tenderin një kompanie të caktuar. “Më e vështira për t’u kapur është paraqitja e dokumentacionit. Kompania që paracaktohet fituese i kërkohen disa kritere që i ka vetëm ajo dhe nuk i kanë konkurrentët e tjerë. Këtu ligji lejon procedurat ankimuese edhe në fazën fillestare të tenderit. Ka procedura ku paracaktohet tenderi dhe këto kërkojnë hetime administrativ. Lidhur me vlerën e tenderit më të favorizuara janë kompanitë që japin vlerën më të ulët, por ato skualifikohen për mungesë dokumentacioni. Janë disa truke që autoritetet duhet t’i konstatojnë dhe duhen marrë masa që kompanitë të jenë më të drejta. Mungesa e kompanive lidhet me konsideratën për tenderat publikë. E shohim këtë në arbitrazh. Shohim kontrata të prishura nga shteti shqiptar, që u është dhënë e drejta nga arbitrazhi”, nënvizoi Xama.