Nga Enver Robelli
Pa media të pavarura, vdes demokracia. Pa lexues dhe lexuese të gatshëm për të paguar për informata që i ofrojnë mediat e pavarura, demokracia vdes edhe më shpejt. Sepse mediat që nuk mbijetojnë nga puna e tyre dhe nga investimi i lexuesve, nuk janë të pavarura. Financohen nga grupe të interesit, nga politikanë të korruptuar apo përmes metodave joetike, duke tentuar të zgjojnë vëmendjen e publikut klikues.
Në tregun medial secili ka qejf të thotë se është i pavarur. Por dekoratën e pavarësisë mediat ia japin kryesisht vetes, nuk ka instancë që vendos për këtë, andaj duhet parë me kujdes punën e secilit medium për t’u bindur në pavarësi. Në shumë vende gjendja e mediave është dramatike. Kosova, për shembull, është vendi i vetëm në Evropë pa gazeta të shtypura. Në Maqedoninë e Veriut gazetat e shtypura mbijetojnë kryesisht falë Qeverisë, e cila është e obliguar të publikojë në gazeta të shtypura disa vendime e njoftime. Në vende si Shqipëria, gazetaria e mirëfilltë gjendet vetëm në disa qoshe periferike, pasi që mediat e mëdha ose i ka futur Qeveria nën kontroll, ose pronarët e mediave janë shndërruar edhe në ndërtimtarë që marrin tenderë nga ministritë, dhe mjetet e tyre të informimit i kanë vënë në shërbim të pushtetit.
Me vështirësi nuk përballen vetëm mediat në trevat ballkanike. Edhe në Zvicrën e pasur, sipas një analize të portalit nga Zürichu, “Republik”, një platformë që mezi mbijeton vetëm nga parapagimi që e bëjnë lexuesit, së paku dy gazetarë në javë ia kthejnë shpinën gazetarisë. Më 2023 ishin 96, në 4 muajt e parë të këtij viti – 23. Në dy dekadat e fundit në Zvicër janë zhdukur 70 gazeta, shumica lokale apo rajonale. Në mediat me shtrirje nacionale nuk raportohet ose raportohet tepër rrallë për ngjarjet lokale. Nëse nuk ka media lokale e rajonale, atëherë publiku nuk e merr vesh se çfarë ndodh në komuna e qyteza. Kjo vlen edhe për Kosovën. Mediat interesohen kryesisht për tema të nivelit nacional. Se çfarë ndodh nëpër komuna rrallëherë merret vesh. Ndoshta ndonjë komunë kryen edhe punë të dobishme, por askush s’raporton për to. Siç nuk raportohet as për skandale që nuk kanë “potencial” nacional. Me krizën e mediave është zbehur edhe krenaria e gazetarëve për profesionin dhe është rritur urrejtja populliste dhe paushall ndaj gazetarëve për shkak të disa “deleve të zeza” në treg. Kjo është fatale për cilësinë e debateve publike dhe gazetarinë në përgjithësi.
Mbi 50 studime të ndryshme tregojnë se aty ku s’ka gazetari lokale, korrupsioni dhe mungesa e transparencës janë në rritje. Në vise të tilla thellohet edhe hendeku mes të pasurve dhe të varfërve. Sipas mediumit zviceran “Republik”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 20 vjetët e fundit është mbyllur një e treta e rreth 9000 gazetave. Në periudhën e njëjtë kohore numri i gazetarëve ka rënë për gati dy të tretat. Sot çdo i pesti amerikan jeton në një “news desert”: sipas studimeve në SHBA tashmë ekzistojnë 204 shkretëtira të tilla mediale, ku nuk ka fare as gazeta, as webfaqe me informata lokale, as redaksi të transmetuesve publikë. Në 228 qarqe nga 3000 sosh së shpejti gjendja mund të jetë e ngjashme, pra të shndërrohen në shkretëtira mediale.
Një punim masteri në Gjermani tregoi së fundi se aty ku nuk ka media lokale, përkrahja për partinë radikale djathtiste Alternativa për Gjermaninë (AfD) është dukshëm më e madhe. Mungesa e mediave profesionale favorizon përhapjen e lajmeve të rrejshme, spekulimeve, popullizmit medial (sepse nuk ka vetëm popullizëm të politikanëve) dhe skandalizim të ngjarjeve periferike me qëllim të komercializimit digjital.
Pasojë e kësaj “gazetarie” është depolitizimi i shoqërisë. Në ambiente të tilla njerëzit i besojnë gati çdo gjëje. Ka njerëz që besojnë se një president i Zvicrës ka lozur në piano melodinë e një kënge patriotike shqiptare. Janë aq të bindur, saqë nëse ua tregon të vërtetën, ndihen të fyer. Politikani zviceran ka luajtur një pjesë në piano dhe dikush mbi të ia ka veshur një videomontazh të melodisë shqipe. Montazhi ka marrë botën digjitale shqiptare.
Para 4 vjetësh portale të ndryshme, por edhe njerëz të dynjasë digjitale e shpërndanë me shpejtësi rrufeje një deklaratë të cilën thuhej se e kishte dhënë Giorgio Napolitano kur ka qenë president i Italisë (2006-2015). Napolitano citohej me këto fjalë: “Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi do të kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël…”. Se ku dhe kur e ka thënë këtë Giorgio Napolitano nuk dihet. Portalet nuk e jepnin burimin. Një portal shkroi vetëm kaq: “…bëhet e ditur se (Napolitano) gëzonte respekt shumë të madh për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova”. (Vetëm nga një portal lajmi qe shpërndarë nga klikuesit gati 600 herë). Çdo lexues kureshtar do të donte të dinte se çka domethënë “bëhet e ditur”: kush e ka bërë të ditur? Kush e dha këtë haber? Ndoshta Napolitano vërtet ka thënë diçka të tillë, por pse mungon burimi i lajmit? Për aq kohë sa burim të lajmit nuk ka, jemi të prirë të besojmë se bëhet fjalë për një lajm me napolitanka, pra lajm të rrejshëm.