Shqipëria është një nga kandidatet kryesore për të organizuar ndeshjet finale të Kampionatit Europian 2027 për ekipet kombëtare U-21.
Duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen, FSHF do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21.
Në lidhje me këtë ka folur edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, i cili tha se opsioni i parë ka qenë Kosova, por ishte e parealizueshme, për shkak të infrastrukturës. Gjithashtu ai zbuloi edhe arsyen pse u zgjodh Serbia.
“Po patjetër që opsioni i parë ka qenë Kosova. Duke qenë se Kosova nuk plotëson kriteret dhe ne gjithashtu nuk i plotësojmë për ta organizuar vetëm, atëherë ne pamë aplikuesit që ishin: Shqipëria, Serbia,Turqia dhe Belgjika. Dy të tjerët nuk kishin interes të bashkoheshin me ne. Kandidati i vetëm mbetej Serbia. Ne kemi interesa sepse organizojmë një event madhor në Shqipëri dhe ekipi ynë kualifikohet automatikisht në Euro 2027”, deklaroi Duka për “Express”.