Ballina Dossier Baroni Franz Nopça, themelues i gjeologjisë shqiptare

Baroni Franz Nopça, themelues i gjeologjisë shqiptare

90
0

Nga Prof. Shyqeri Aliaj dhe prof. Dëfrim Shkupi

Baroni Franz Nopça ka lindur në Hatseg-Hungari (tashti pjesë e Rumanisë Perendimore), më 3 Maj 1877. Ai rridhte nga një familje aristokrate dhe duke qenë i pasur, nuk ka patur nevojë te jetë i punësuar. Kjo pavarësi e ka ndihmuar të ndjekë një karierë shkencore të frytshme. Babai i tij Elek Nopça ishte Anëtar i Parlamentit Hungarez. Shkollën e mesme e kreu në Thereseanum në Vjenë (Austri), dhe më pas ndoqi Universitetin e Vjenës në vitin 1898. Kontaktin e parë me Paleontolgjinë e Vertebrorëve e pati në vitin 1895. Motra e tij e vogël Ilona zbuloi disa eshtra zvaranikësh ne tokat e pronave të familjes, afër Szentpetertalva-s. Në Universitetin e Vjenës Nopça kontaktoi me Prof. Eduard Suess, të cilit ia tregoi fosilet e gjetura të dinosaurit. Prof Suess e inkurajoi t’i studjojë. Duke ndjekur këshillat e tij, ai nisi të studjojë Gjeologjinë në Universitetin e Vjenës në vitin 1903. Nopça fitoi Doktoranturën, të fokusuar në rilevimin gjeologjik të zonës rreth pronave të familjes së tij. Më 20 Nëntor 1906, Nopça u njoh me djaloshin shqiptar 18 vjeçar Bajazit Elmas Doda në Bukuresht. U miqësua me të dhe e mori si sekretar të tij. Nopça e theu traditën që ndiqnin në përgjithësi fëmijët e fisnikëve. Ai nuk vazhdoi studimet e larta për Drejtësi, Ekonomi apo Bujqësi, por për Shkencat e Natyrës. Ai pati fatin të mësonte gjeologjinë me prof. Eduard Suess. Franz Nopça ishte një njeri me inteligjencë dhe kreativitet të lartë.

Studimet e tij për tektonikën, gjeologjinë, biologjinë evolucionare, paleobiogjeografinë dhe dimorfizmin seksual provuan aftësitë e tij për zbulimin dhe zgjidhjen e problemeve shkencore, në një rrugë që binte në sy. Në vitin 1899, Nopça bëri udhëtimin e parë në Shqipëri, ku u mrekullua për të gjithë jetën e tij të mëvonshme. Franz Nopça ka botuar 158 artikuj (101 artikuj për Paleontologjinë). Këto punime kanë patur për temë Paleobiologjinë dhe Taksonominë e Tetrapodeve (veçanërisht të Dinozaurëve), si dhe gjithashtu për Breshkat dhe Pterozauret, Teorinë Evolucionare, Paleofiziologjinë , Arkeologjinë, Etnologjinë, Paleohistologjinë, Gjeologjinë dhe Gjeografinë e Shqipërisë. Studimet e para të Nopçës ishin mbi paleobiologjinë dhe sistematikën e dinozaureve (42 artikuj), gjithashtu ai shkruajti dhe për arkozaurët e tjerë (5 artikuj për krokodilët dhe 4 artikuj për Pterozaurët ), 11 artikuj për lepidozaurët, 4 artikuj për teraspidet, 7 artikuj për breshkat, një artikull për ihtizaurët dhe një artikull për amfibët. Kontributi kryesor i Nopçës në Paleontologji (Paleobiologji) është se ai konsiderohet si një nga shkencëtarët e parë që provoi metodën “To put flesh onto bones“ (Të fusësh mish në kocka). Në këtë kohë, kur kolegët e tij interesoheshin vetëm të mblidhnin fosile, Franz Nopça konsiderohet si babai i Paleobiologjisë. Franz Nopça kishte një interesim dhe audiencë ndërkombëtare. Në vitin 1920, atij i ofruan antarësimin në Shërbimin Gjeologjik të Rumanisë, po ai e refuzoi. Në vitin 1925, Nopça bëhet Drejtor i Shërbimit Gjeologjik të Hungarisë, por në vitin 1929 ai u dorëhoq për t’ju kushtuar tërësisht kërkimeve të tij shkencore, deri në fundin e jetës së tij më 25 Prill 1933, duke kryer vetvrasje, pas një depresioni të thellë. Studimet e Nopçës për Taksonominë e Zvaranikëve, të përfshira në 50 artikuj, si dhe studimet mbi marrëdhëniet filogjenetike midis Zvaranikëve, u kryen paralelisht me studimet e Paleontologut të famshëm Friedrich Freiher von Huene, nga Universiteti i Tubingenit Gjermani. Bashkëpunimi dhe korrespondenca midis tyre ka vijuar për 25 vjet rrjesht, duke realizuar edhe projekte të përbashkëta.

Nopça u interesua shumë për Shqipërinë, në kohën kur ishte ende një krahinë e Perandorisë Otomane, që synonte pavarësinë e saj në këtë koh ë. Ai është nga të huajt e paktë që brodhi në zonat malore të Shqipërisë së Veriut. Ai shpejt mësoi gjuhën shqipe dhe disa dialekte të saj, si dhe zakonet shqiptare. Nopça ishte miqësuar me udhëheqës të Rezistencës Shqiptare, që luftonin kundër Turqve. Ai diskutonte me pasion me ata dhe i ndihmoi, duke i furnizuar me armë. Nopça ka shkruar rreth 25 artikuj për Gjeologjinë, duke përfshirë dhe Monografinë prej 700 faqesh për Gjeologjin ë Krahinore dhe Stratigrafinë e Shqipërisë. Nopça si student i Prof. Eduard Sues, ishte i trajnuar mirë në Gjeologjinë Fushore dhe i mirë informuar për Tektonikën dhe Teoritë Gjeotektonike. Ai ishte një mbështetës i teorisë së Wegenerit. Në një artikull, Nopça parashtroi dhe demonstroi mbihipjet në Shqipërinë e Veriut. Studimet e tij për Gjeologjinë Krahinore të Shqipërisë, për shumë vjet ishin një monopol virtual i tij dhe ishin pranuar nga pjesa më e madhe e kolegëve të tij. Nopça pranonte modelin nappist (mbulesor) dhe driftin kontinental. Duke bërë një përdorim të frytshëm të dy teorive, Nopça preferonte determinizmin që kultivohej nga shkolla e Kober-Shtiles, ndaj indeterminizmit të shkollës Wegener-Argang. Në artikullin e tij të fundit, ai u përpoq të zhvillojë një kuadër të Historisë së Tokës, që lidhet me punimet e Shtiles, por që nuk është pranuar nga shkolla e Wegener-Argangit. Në vitin 1907, në një nga ekspeditat e tij në malet e Shqipërisë, ai u muarr peng, bashkë me Bajazit Dodën, nga banditi Mustafa Lita. Ky bandit i kërkoi 10 mijë lira turke për ta liruar. Nopça u shpëtua nga babai i Bajazitit, i cili i erdhi në ndihmë, bashkë me 10 burra të armatosur. Në vitin 1912, Shtetet Ballkanike bashkuan forcat, për të përzënë Perandorinë Osmane. Gjatë Luftës Ballkanike, Nopça ishte në shërbim të Austro-Hungarisë. Pas fitimit të Pavarësisë, kur bëhej fjalë për një mbret në Shqipëri, Franz Nopça ofroi kandidaturën e tij, duke premtuar një ndihmë financiare për Shqipërinë, duke qenë në fjalë për t’u martuar me një vajzë shumë të pasur amerikane. Franz Nopça ka kontribuar me mbi 50 studime shkencore për Shqipërinë, mbi Linguistikën, Folklorin, Etnologjinë, Historinë e saj, si dhe mbi Kanunin (Ligjin shqiptar të Malësisë).

Në kohën e tij, ai konsiderohej si një nga ekspertet më në zë për Shqipërinë. Përveç botimeve të shumta, Nopça la pas mijëra faqe dorëshkrime, skica, shënime, të cilat u mblodhën nga Mitat bej Frashëri. Këto materiale u konfiskuan nga regjimi komunist dhe u bënë material kryesor për studime të mëtejshme albanologjike. Monografia e tij “Geographie und Geologie Nordalbaniens“ (Gjeografia dhe Gjeologjia e Shqipërisë së Veriut) është vepra e tij kryesore, që hodhi bazat e zhvillimit të Gjeologjisë Moderne Shqiptare. Në këtë vepër, Nopça në zonën e Malësisë së Madhe ka realizuar dhe përshkruar 15 itinerare gjeologjike, në zonën e Malësisë së Vogël ka përshkruar 15 itinerare gjeologjike, në zonën e Cukalit ka përshkruar 16 itinerare gjeologjike, në zonën e Shkëmbinjëve Eruptivë ka përshkruar 20 itinerare gjeologjike dhe në zonë n e Vargjeve Kodrinore-Fushore-Bregdetare (Kustenkette) ka përshkruar 20 itinerare gjeologjike, që përfshijnë Ungrej, Livadhet e Oroshit, Laçin, Milotin, Vaun e Dejës, Shkodrën, Ndërfushën, Gomsiqen, Rencin, Dajçin, Koplikun, Pulajn, Berdicën, Troshanin, Rrëshenin, etj. Në kapitujt e Stratigrafisë, Nopça ka përshkruar depozitimet Terciare, të Kretakut, Jurasikut,Triasikut dhe të Permo-Karbonit. Nopça paraqet edhe Tektonikën e Shqipërisë së Veriut. Pjesën që zënë Malësia e Madhe dhe Malësia e Vogël, ai e quan Pllaka e Shqipërisë së Veriut (sot njihet me emrin Zona e Alpeve Shqiptare), zonën e Cukalit, zonën Mirdita dhe zonën e vargjeve Kodrinore-Fushore-Bregdetare (Kustenkette). Mendimet e Nopçës për Tektonikën e Shqipërisë kanë qëndruar për një shekull të tërë dhe janë aktuale edhe në ditët tona. Ndarja në zona tektonike e territorit shqiptar ruhet edhe sot. Ai përcaktoi zonat Korabi, Mirdita, Cukali, Pllakën e Shqipërisë së Veriut dhe vargjet litorale, që përbëjnë pjesën bregdetare të Shqipërisë. Më me hollësi, këto të dhëna janë paraqitur nga Shyqyri Aliaj dhe Dëfrim Shkupi, në artikullin e titulluar “Nopca’s Thought on Tectonics of Albania“(në shqip, “Mendimet e Nopçës për Tektonikën e Shqipërisë”, botuar në Revistën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Nr 9, 2000. Një kontribut të veçantë Nopca dha për problemin e Adrias. Ai tregoi se deti Adriatik është një kraton i zhytur, një pykë e kratonit Afrikan.

Në vitet e fundit të jetës, Nopça pati probleme financiare. Ai i shiti Muzeumit të Shkencave të Natyrës të Londrës koleksionin e tij të fosileve, po prapë nuk i përballoi problemet e shumta financiare. Duke kaluar në një depresion të thellë, ai në fillim qëlloi mikun e tij Bajazit Dodën dhe më pas vrau veten. Në letrën që kishte lënë, Nopça justifikohej se nuk donte të linte mikun e tij Bajazit të kalonte një jetë në mjerim. Franz Nopça është një personalitet i shquar, që ka dhënë kontribute të mëdha për shumë fusha të shkencës shqiptare. Për nder të tij, shpesh janë organizuar konferenca shkencore, për të gjithë aspektet e veprimtarisë shkencore të tij.