Ballina Dossier Historia e “terroristit” nga Kavaja, gjyqi ndaj tij: Juve gjarpërinjve ju duhej...

Historia e “terroristit” nga Kavaja, gjyqi ndaj tij: Juve gjarpërinjve ju duhej shtypur koka që në djep!

57
0

Publikohen disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.

Pas arrestimit të Bardhit, thashethemet shkonin e vinin nëpër qytet nga njerëz të ndryshëm. Ato ishin fjalë me ngjyrim romantik, aventuresk dhe aspak nuk i afroheshin së vërtetës. Disa pëshpëritnin që; në vitin 1967, kur Enver Hoxha do të bënte inaugurimin e hekurudhës Rrogozhinë – Fier, Bardhi do të hidhte trenin në erë! (Gjë që nuk doli e vërtetë!).

Gënjeshtra me bisht! Kishte të tjerë që thoshin se Bardhi na qenkej agjent amerikan! Kishte dhe nga ata që thonin se atë e kishin kapur në kufi, kur po përpiqej të arratisej jashtë shtetit, në Australi, tek i ati. (Bardhin e arrestuan në punë!)

Qarkullonin edhe shumë e shumë fjalë të tjera, që po na çmendnin. Bardhin e mbajtën tre muaj në hetuesi, pastaj na lajmëruan se do të dilte në gjyq. Nuk kisha shumë që kisha lindur fëmijën dhe isha e sëmurë, por ashtu shkova dhe e dëgjova gjyqin e tij. Gjyqtari Gaqo Sheshi, lexoi akuzën, e cila për ne nuk ishte e re, sepse e patëm dëgjuar në “gjyqin” e lagjes. Prokurori këtë radhë, ishte Rrapi Mino, një komunist i tërbuar ky, një njeri që vetë kishte prishur një familje dhe kishte lënë fëmijën me një prind! Ai ishte si një gjarpër helmues, që nëna e kishte lindur vetëm për të bërë keq. Tek ai njeri jo vetëm goja, por dhe gishtat i flisnin për vdekje. Ishte i pamëshirshëm, i gatshëm të jepte dhe pushkatimin.

Në fillim ai e pyeti Bardhin, ftohtë:

“Bardhi Cara”, – u përgjigj im shoq.

“Sa vjeç je”, – bëri pyetjen e dytë.

“29 vjeç jam”, – qe përgjigjja.

“Një djalë katër vjeç e di, por nuk e di se me çfarë jam shtuar”! – foli Bardhi, duke ngritur supet.

“Je shtuar me një vajzë, je bërë me dy fëmijë, – foli ashpër prokurori, – po mjerë ata që nuk e dinë se çfarë babai kanë! Le që edhe ata, si ti do të përfundojnë”!

Prokurori po tregohej shumë “largpamës”, për të dy fëmijët e mi, të cilët, njëri ishte katër vjeç, kurse tjetri i porsalindur! Kurse ky prokuror dallkauk, donte të dukej si orakull, duke parashikuar që fëmijët tanë, do të vepronin si i ati! Prandaj shumë prej tyre, hëngrën kokën e vet më vonë…! Tamam si ajo kafsha, që han këlyshët e saj! Ai foli prapë me ton arrogant: “Shumë jeni rritur, ju duhej shtypur koka që në djep, juve gjarpërinjve, që vetëm vrer villni, për Partinë tonë, e cila po ju ushqen me bukë, domethënë”!

Pastaj nisën të thërrisnin “dëshmitarët”, të cilët ishin spiunët servilë të tyre, që, kur flisnin, ngatërroheshin me veten, sepse fjalët e tyre, nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, ato ishin kontradiktore, nuk përputheshin shpifjet e tyre me datat, ditët, muajt dhe vendet. Ndryshe fliste njëri e, ndryshe tjetri. Avokati i Bardhit, ishte Kujtim Sina. Mbaroi gjyqi shumë shpejt, sepse çorba ishte gatuar me kohë, nëpër zyrat e hetuesisë dhe, me gjithë kundërshtimet e Bardhit, ai u dënua me 16 vjet burg, si; “armik i betuar i komunizmit”(!?)

Pas tre-katër ditësh atë e dërguan në burgun e Tiranës, (Kaushi te 313-ta), ku ishte qendra e shpërndarjes së të burgosurve nëpër “kampe”, (jo kampe pushimi!) siç i quanin burgjet në atë kohë, në të gjithë Shqipërinë. Kurse pas një jave, Bardhin e transferuan në “kampin” e Skrofotinës, afër Panajasë, në Vlorë, ku nxirrnin kripë.

Dënimi i mbeti 15 vjet! Njeriu nuk e gjen dot kurrë të drejtën, të vërtetën ashtu si është, në një shtet me diktaturë. Në kushtet që ishim ne, ashtu si gjithë shqiptarët, ishte e kotë të nisnim për ta kërkuar të drejtën tonë, do të lodheshim shumë dhe më kot, sepse këtë të drejtë, nuk kishim për ta gjetur kurrë.

Regjimi komunist i Enver Hoxhës, përdorte presione e premtime të shumta, për të imponuar “vullnetin”, që t’i të dorëzoheshe. Por unë isha deri në vdekje, për të mos rënë në kthetrat e tyre. Monedha ka dy anë: kur e hedh përpjetë, fiton ose humbet, vetëm gjethja e zverdhur dridhet, e bie poshtë, edhe kur fryn erë e lehtë. Këto presione, nisën fill pas dënimit të burrit tim, duke më kërkuar me ngulm, që ta ndaja.

Më çuan të punoja tek duhani, por edhe aty i’u duk punë e privilegjuar. Më larguan dhe prej aty! Të mendosh, që isha 22-23 vjeçe, me dy fëmijë të vegjël; duhej çdo ditë të shkoja të punoja në kooperativë bujqësore, 4-5 orë larg shtëpisë, (në atë kohë ishte ligji të shkoje çdo 3 orë tek fëmija, deri sa të bëhej 1 vjeç!)

Me gjithë këto vështirësi që po më sillnin, ata nuk hoqën dorë nga presionet, për të më ndarë nga burri. Në ndërmarrje, kishim një shefe kuadri, “shoqen” Marika Leka, kurse nga Komiteti Ekzekutiv i qytetit, ishte kryetare një farë Kristina Aleksi. Të dyja më ishin qepur e, s’më ndaheshin, kohë pas kohe.

Kështu, erdhi një çast, kur kalova në depresion. Kur më lajmëronin të shkoja në Komitet, m’u bë fiksim, të flisja me vete, duke mërmëritur; “Nuk e ndaj, nuk e ndaj”! duke ecur në rrugë. Një herë tjetër, më thonë që më kërkon kryetarja e Komitetit.

U nisa për atje; për të shkuar te godina e Komitetit, ndodheshin dy rrugë paralele, ku njëra të çonte tek porta e fushës së sportit, tjetra te Komiteti. Mirëpo isha hutuar krejt dhe gabimisht mora rrugën drejt fushës së sportit. Ecja dhe sytë dritë nuk më bënin, nuk pashë fare, që kisha arritur tek porta e hekurit, e cila ishte e mbyllur.

Vetëm u shkunda, kur i rashë hekurit me kokë, e ndjeva shumë dhimbje, sepse isha me nxitim, se mos po më kalonte ora, kur do më priste kryetarja. Atëherë erdha në vete, sikur u zgjova nga një kllapi, që më kishte mbërthyer me thonj. Në ballë, nga goditja, m’u bë një gungë e madhe. Nuk shkova atë ditë në Komitet.

U ktheva në shtëpinë time, që herë pas here, mezi e gjeja; aty ma lidhën ballin, më vunë një pesë lekëshe metalik, që mos më enjteje, e më vonë, vendi aty m’u nxi. Të nesërmen, kur shkova në punë, shefja e kuadrit më shigjetoi me sy, e më tha: – “Po ti, përse nuk shkove tek kryetarja, dje”?! Unë ia tregova ngatërresën e rrugëve, por ajo as që ma vari fare.

Më vështroi me dyshim, pastaj më tha me ton indiferent: – “Shko sot në orën 10.00, se të pret kryetarja”! Koka po më plaste nga dhimbja, balli më ishte ënjtur, nga stresi mendime ogurzeza të shumta më godisnin si çekanë në kokë e nuk po orientohesha dot.

Kisha pesëqind halle mbi supe dhe nuk i jepja dot më dum, ose fesall (zgjidhje,) si i thonë fjalës. Në orën 10.00, u nisa të shkoja në Komitetin Ekzekutiv, por përsëri e ngatërrova rrugën dhe mora atë që të çonte për në Tiranë. Kisha arritur tek ura e Sheqit, në të dalë të Fierit. Për fatin tim të mirë, se kush e di ku do të kisha shkuar, disa fqinj, bashkë me ta edhe babai im, kishin zënë radhë, për të blerë domate.

Tek ura e Sheqit ka qenë një barakë, ferma e Sheqit, prodhonte domate për eksport, aty bëhej seleksionimi dhe ato kokrra që ishin jashtë standardit, i binin aty dhe i shisnin për banorët. Më përpara merrnin punonjësit që punonin aty, pastaj shkonin edhe nga qyteti. Radha duhej të zihej nga ora 12 e natës, zgjatej e zgjatej, në mëngjes, kurse shitja e tyre, bëhej në orën një, apo dy të drekës!

Njëra prej komshijeve, si duket më njohu, e i tha babait tim, me zë të ulët, duke i treguar me kokë nga unë: – “O Petro! Shiko pak Sofijen tënde, se diçka po flet me vete…! Pyete një herë se ku po shkon”?! Kishim gjashtë vjet pa folur, që kur mora Bardhin për burrë dhe arrestimi i tij, bëri që të gjithë njerëzit e mi, kur më shihnin, të ndërronin rrugën.

Kishin frikë, ruheshin nga unë, sepse isha e “infektuar” nga sëmundja e lebrozës, (lufta e klasave.) Arsyetoja e u jepja të drejtë në heshtje, ndonëse më vriste në shpirt, qëndrimi i tyre, por nuk doja t’ju bëja keq atyre njerëzve.

Babai m’u afrua me ndrojtje, më zuri nga krahu e më tha: “Sofije, moj bijë! Ku po shkon kështu”? Unë, si u largova pak nga ai, si të ishte i huaj për mua, i thashë: “Mos më prek mua! Shko prek çupën tënde! Në Komitet, tek Kristina po shkoj”!

“Po nuk është këtej Kristina, moj bijë! Ke gabuar rrugën”! – më tha ai, me ton gati vajtues.

“Po ku është? – e pyeta unë e nervozuar.- Nuk e ndaj jo, nuk e ndaj”!

“Jo, jo, qetësohu, bijë, nuk do ta ndash! Qetësohu”! – më foli im atë sy përlotur, se, duke më parë në atë gjendje, vetë ai e diti, se çfarë ndjeu. Të tjerët aty, më shikonin në heshtje e, me keqardhje. Lotët e babait, rrëshqitën nga sytë e, u shpërndanë nëpër faqet e fishkura. Më pyeti me zë të dridhur:

“Ku e ke vrarë ballin? Jam babai yt, dëgjon? Hajde të çoj unë te Kristina. E bindur, s’di se si, shkova pas babait, si manare, (pa u kujtuar që ai njeri ishte babai im.) Ai më çoi në shtëpinë e tij, nga që shtëpia e prindërve të mi, ishte më afër, rreth 20 – 25 minuta larg, nga ura e Sheqit.

Kurse e imja, ishte shumë larg. Më bënë një filxhan kafe shqeto, e piva atë siç isha, e ulur në një shilte, dhe nga dhimbjet e tmerrshme të kokës, nga lodhja fizike, shpirtërore, humba në kllapi. Sytë m’u mbyllën, por kjo zgjati vetëm pesë-gjashtë minuta, sepse u çova me trishtim e frikë dhe pyeta e trembur:

“Jo, jo, nuk vjen sot Kristina”! – më tha babi. – “Po ti, ku do të shkosh tashti? Në punë apo në shtëpi”? Hodha sytë nëpër faqet e mureve, në tavan e, nuk po orientohesha dot.

“Në shtëpi, – i thashë, sikur po flisja me vete, – por nuk e di se ku është. E di ti”?

“E di, si nuk e di! Hajde të përcjell unë”! – më foli me ton të ngrohtë babai. Shihja nënën time që qante me dënesë. Unë sikur isha në një botë tjetër, në ato çaste dhe për mua ata të, sikur ishin njerëz të huaj. Jo vetëm prindërit e mi, por as vetë s’e dija kush isha, vetëm te Kristina, më rrinte mendja. Ndihesha e mbyllur në një botë errësire, ashtu si arra, brenda lëvozhgës së vet. U nisëm me babanë për në shtëpi, duke kaluar nëpër disa rrugica.

Pas gjashtë vjet e gjysëm, ja ku kisha hyrë në shtëpinë e prindërve, ku kisha lindur e, u bëra gjashtëmbëdhjetë vjeçe! Por kisha hyrë në atë derë, pa vetëdije, si e huaj, gjithmonë me mendimin, se isha futur në Komitet. Mendja ime nuk funksiononte mirë, isha bërë skllave e fiksimeve. Merrni vesh, apo jo?! Nuk njoha prindërit e mi, që t’i përqafoja! Gjendja ime shëndetësore, nuk ishte aspak e mirë.

Po mbytesha në dallgët e fiksimeve, që më shfaqeshin orë e çast, vend e pa vend. Kunati im, më çoi tek mjeku i ndërmarrjes, i cili më dha raport mjekësor, tre e nga tre, deri në nëntë ditë, pushim. Më pas, dhjetë ditë, m’i dha komisioni, me rekomandimin për tek neurologu. Fieri atëherë, nuk kishte neurolog, kështu që na duhej të shkonim në Vlorë. Nuk di përse Fieri, varej nga Vlora?!

Të nesërmen u nisëm e shkuam në Vlorë me kunatin dhe, kur mbërritëm në spital, kunati çuditërisht, më kërkoi leje e hyri i pari tek mjeku. Më pas më thirrën mua, për vizitë. Doktori, i cili ishte një mesoburrë i qetë, nisi të më bëjë disa pyetje:

“Si e ke emrin”? – më tha me mirësjellje.

“E kam…”, – i thashë unë e hutuar e, s’dita ç’të them më tej. Isha futur në një siklet të madh, sa s’më kujtohej, as emri im.

“Më quajnë…”, – mërmërita nëpër dhëmbë, e asgjë më tepër.

“Sa vjeçe je? – më pyeti me këmbëngulje mjeku, disi nervoz.

“Jam” – belbëzova unë, por nuk po më kujtohej asnjë gjë dhe shikoja kunatin, për ndihmë.

“Sa fëmijë ke”? – më pyeti mjeku, pa m’i ndarë sytë.

“Dy kam”! – i thashë, gati në mënyrë mekanike, si robot.

“Çfarë janë”? – qe pyetja tjetër rutinë, e mjekut.

“E di Xhevdeti”! – thashë unë, e mërzitur. Mjeku nuk u mërzit nga toni im, përkundrazi, sikur po miqësohej me mua dhe më tha:

“Me që je myzeqare, a mund të më ndihmosh nënën time? Ajo i ka qef zogjtë dhe ka zier dhjetë kokrra vezë, por nuk di të shtrojë klloçkën. Di ta shtrosh ti”?

“Di, – i thashë unë, e gjallëruar, – ia shtroj unë”, – por nuk e kapa në ato çaste, që vezët e ziera, nuk nxjerrin zogj.

“Meqë do të vish në shtëpinë time, – vijoi ai me provokimet e tij, – gruan s’e kam aty, po deshe, ndihmoje pak nënën time, se është plakë, që të mbushë ujin, sepse banojmë në katin e pestë. Nuk na vjen uji lart. Do të mbushim ujë në katin e parë. Shoshën dhe koshin i kam”.

“Jo, nuk mbushet uji me shoshë”! – i thashë si e trembur.

“Po me çfarë”! – pyeti mjeku.

“Me kova dhe kosh, mbushet”! – i thashë unë.

Mjeku më pyeste dhe shënonte (+) (-) në bllokun e tij. Mendimet e mija, sikur u ftilluan disi

“Jo, jo me kosh!- i thashë menjëherë, sepse u kujtova shpejt, që edhe koshi nuk mbante ujë. Si përfundim, mjeku neurolog më dha tre muaj pushim. Ishte korriku i vitit 1967. Mbarova pushimin tremuajsh e, fillova punë, disi më e qetësuar. Por prapë filluan ngacmimet, thirrjet, provokimet e, unë u hallakata prapë. Kunati, më çoi përsëri tek mjeku i ndërmarrjes, ku mora tri here, tri ditë pushim.

Më pas, 10 ditë të tjera, e më dhanë prapë rekomandim, për tek neurologu. Atyre të spitalit, u vinte shumë keq për mua dhe donin të më ndihmonin. Këtë herë kunati, më çoi në Durrës, tek doktor Vokopola, në shtator të ’67-ës.

Ky, pasi bëri vizitën, më dha tre muaj pushime prapë, ilaçe e, i tha kunatit: “Le të pijë nga tri, katër, ose pesë cigare në ditë”. Kunati vuri buzën në gaz lehtas e. i tha: – “O doktor, jemi nga Kavaja ne, jo nga Fieri. Në shtëpi kam gjyshen, nënën, si do të pijë cigare kjo para tyre? Ku është respekti”?!

Doktori më tha të prisja jashtë, sa të mbushte recetën. Nuk e di se çfarë i foli ai kunatit. Me ne, ishte dhe goca e tezes së Bardhit, e martuar në Durrës, me Isuf Xhymertin, një njeri xhanan, i mrekullueshëm, më të mirë nënat nuk bëjnë. Zimja, kështu quhej ajo, ishte shumë e dashur, mikpritëse e me zemër shumë të madhe.

Ajo erdhi me ne, tek doktori. Kur po shkonim në shtëpinë e saj e, kaluam afër një dyqani, ajo shpejt hyri brenda dhe bleu një stekë cigaresh “Partizani”, që ishin të modës në atë kohë. Sapo zbritëm e hymë në shtëpinë e saj, Zimja, hapi një paketë dhe tha fare çiltër: – “Ta ndezim nga një edhe ne, për qefin tonë”! – dhe më zgjati mua një cigare. Një e ndezi vetë, (as ajo nuk e pinte cigaren), por unë e kuptova që këtë veprim, e bëri për mua. Po më vinte turp, në atë situatë dhe kundërshtova:

“E di që nuk e pi, por do ta pimë nga një bashkë”! tha ajo, duke ngulur këmbë dhe e ndezëm. Tamam si macja që pi uthull! Në moshën 22 vjeçare, kisha filluar cigaren! Të gjitha këto, fare nuk më kujtoheshin, por pas shumë vitesh, aty nga viti 1992-‘93, në një natë dimri, duke kujtuar jetën tonë, se çfarë kishim kaluar, kunati, si një përrallë, e tregoi këtë histori. Të gjithë qeshnin, me “bëmat” e mia, që jeta m’i kishte bërë peshqesh dhe talleshin, duke bërë shaka me mua, kështu e ashtu.

“Bobo, mirë që paskemi qenë të vegjël”! – thanë fëmijët duke qeshur, –  se ti na paske turpëruar fare”! – dhe më puthnin e më përqafonin, se donin të më hiqnin vëmendjen, duke më thënë; “Ti, je nëna më e mirë në botë”, dhe vazhdonin të qeshnin.