Autoritetet franceze kanë deklaruar se është përfshirë në operacionin europian të zhvilluar në Belgjikë, Zvicër, Holandë, Gjermani, Itali dhe Austri kundër një organizate kriminale shqiptare që çoi të martën në arrestimin e 17 personave.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në Zvicër janë kryer tre arrestime. Organizata kriminale shqiptare e shpërbërë merrej me trafik droge dhe grabitje me armë. Aktivitetet e saj u shtrinë edhe në Zvicër. Gjatë operacionit të zhvilluar të martën në Zvicër, policia ka sekuestruar 9 kilogramë heroinë dhe 2 kilogramë kokainë.
Dy anëtarë të tjerë të bandës janë arrestuar më parë në Holandë dhe Zvicër. Ndërkohë sipas mediave italiane, nga hetimi rezultoi se organizata jo vetëm transportonte dhe shiste drogë, por bashkëpunonte edhe me një grup tjetër kriminal shqiptar për të grabitur drogën e klaneve rivale.
“Një furnizues kryesor i rrjeteve shqiptare që operojnë në Savoie dhe Haute-Savoie është në mesin e të dyshuarve të arrestuar. Ky i fundit, një shqiptar me banim në rajonin e Lionit organizonte importe të shpeshta me partnerin e tij nga Evropa Veriore. E ardhur nga Belgjika dhe Holanda, droga më pas u shpërnda në departamentet 73 dhe 74, veçanërisht në sektorin e Annecy.
Gjatë kontrolleve, policia zbuloi 3 kilogramë heroinë, 1 kilogram kokainë dhe disa dhjetëra kilogramë produkte prerëse me një çmim rishitjeje prej afro 500 mijë euro. Krahas kësaj, ata morën në dorë më shumë se 400.000 euro cash, automjete të nivelit të lartë dhe llogari bankare”, kanë deklaruar autoritetet franceze sot.
Sipas mediave italiane kjo bandë e dhunshme kishte në dispozicion një arsenal armësh zjarri dhe në të kaluarën ishte përfshirë në një atentat ndaj një rivali në Shqipëri. Po ashtu flitet për një grabitje të armatosur të një ngarkese me 395 kg marijuanë në mes të shkurtit të kryer në Bruksel.
11 prej të arrestuarve janë kapur në Belgjikë, ndërsa të tjerët në shtetet e tjera europiane ku u shtrinë kontrollet me qëllim ekstradimin në Belgjikë. Një nga të arrestuarit në Itali rezultonte në kërkim, i dënuar nga Gjykata e Arezzos me 2 vjet 10 muaj e 6 ditë burg për drogë lidhur me ngjarje të ndodhura në Civitella Val di Chiana (AR) në 2016.
Sipas hetimeve, anëtarët e organizatës kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin dhe të gjithë vijnë nga Vlora. Bëhet fjalë për një lloj mafie shqiptare, siç thonë mediat italiane, që merret me gjithçka që lidhet me kokainën, nga importi tek prerja, tek riciklimi dhe më në fund tek trafiku i armëve. Ndër veprimet që i atribuohen organizatës, ka edhe episode të dhunshme të lidhura me kriminelë të përshkruar nga prokurorët belgë si veçanërisht të rrezikshëm dhe të vendosur.
Emrat e të dyshuarve nuk janë aspak të rinj për autoritetet e zbatimit të ligjit. Në vitin 2014, krerët e bandës ishin dënuar në Francë me burgim nga 10 deri në 12 vjet, ndërsa të tjerët me role të vogla kishin marrë dënime nga 3 deri në 7 vjet. Por edhe kështu ata nuk u dekurajuan dhe përkundrazi vazhduan rrugën e tyre kriminale.
Kërkimet në Belgjikë në kuadër të operacionit kanë çuar në kapjen e 100 kg drogë të llojit kokainë dhe amfetaminë, 6 armë zjarri, kimikate, uniforma policie dhe jelekë antiplumb, 265,000 euro para cash, 20 telefona të kriptuar, automjete etj. Grupi i trafikantëve të hetuar nga Policia e Antwerp në Belgjikë ishin të specializuar në shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës që më pas transportoheshin në vende të ndryshme me mjete të pajisura me hapësira të fshehta.