Ballina Rajoni Ambasada amerikane në Sarajevë i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Vuçiçit: Prona është...

Ambasada amerikane në Sarajevë i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Vuçiçit: Prona është e shtetit

103
0

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë u është përgjigjur të martën pyetjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në lidhje me çështjen e pronës shtetërore në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se është e qartë se prona shtetërore i përket shtetit.

Më herët të martën, Vuçiç e akuzoi Ambasadën amerikane në Sarajevë se ka shkaktuar “krizë” në Bosnje e Hercegovinë (BeH) duke pretenduar se prona shtetërore nuk u takon entiteteve por shtetit.

“Si, ku dhe prej kur shkruhet diku se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve”, shkroi Vuçiç në llogarinë e vet në Instagram.

Ambasada amerikane iu përgjigj pa humbur kohë duke thënë se nuk ka nevojë të rishikohet historia ligjore e dokumentuar mirë, e as vendimet gjyqësore në lidhje me pronën shtetërore në BeH.

“Siç tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në një fjalim në shkurt 2024: ‘Ka një mënyrë për të folur për pronën duke folur për të në institucionet përkatëse. Por pikënisja është ende e qartë: prona i përket shtetit’”, tha Ambasada Amerikane në Sarajevë.

O’Brien tha në shkurt se në vitin 2001 BeH nënshkroi Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e cila u ratifikua nga Asambleja Parlamentare e BeH dhe ia atribuoi pronën shtetërore BeH-së, e jo entiteteve të saj.

Bosnje e Hercegovina përbëhet nga federata boshnjako-kroate dhe nga Republika Sërpska, nën një qeveri të dobët qendrore.

Bosnje e Hercegovina nuk ka ligj për pronën shtetërore tash e 20 vjet për shkak të mungesës së konsensusit politik.

Entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, është përpjekur vazhdimisht të zbatojë një ligj pronësie që synon transferimin e pronës shtetërore të Bosnjës te Republika Sërpska, pavarësisht se kjo është jokushtetuese.