Ballina Kulturë Rrëfimi i vuajtjeve të grave të ish Kampit të Tepelenës në një...

Rrëfimi i vuajtjeve të grave të ish Kampit të Tepelenës në një teatër dokumentar

81
0

Rrëfimet reale të viktimave që përjetuan kalvarin e vuajteve në ish kampin e internimit në Tepelenë janë sjellë përmes një teatri dokumentar që po shfaqet këto ditë në disa qytete në Shqipëri.

Aktorja e njohur shqiptare Raimonda Bulku thotë se këto rrëfime janë një mesazh i fortë për shoqërinë shqiptare që të mos i harrojë vuajtet e së shkuarës dhe qëndresën fisnike, sidomos të grave ndaj regjimit komunist.

Sajza, një vajzë që përjetoi kalvarin e vuajtjeve në ish kampin e internimit në Tepelenë, përpëlitet për të mbijetuar në dheun e zi. Zërat që vijnë në sfond janë rrëfime reale, kryesisht të grave dhe vajzave që vuajtën egërsinë e sistemit komunist në Shqipëri në kampe dhe burgje.

“Lule sajza” është një teatër dokumentar që po shfaqet këto ditë në disa qytete në Shqipëri nën interpretimin e Raimonda Bulkut , Adriana Tolka dhe Valentina Myteveli.

Regjizori i kësaj shfaqje Endri Çela thotë se ka përzgjedhur disa nga rrëfimet e dëshimtarëve që përjetuan ferrin e ish kampit të interrnimit në Tepelenë, të botura nga Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit për ti sjellë në një formë të re teatri.

“Për dy muaj unë hulumtova dhe përzgjodha nga 10 vëllimet “Zërat e kujtesës” të botuara nga Instituti i Krimeve të Komunizmit këto rrëfime që më pas i paraqita në këtë formë të re teatri. Janë histori të vëreta që tregojnë kalvarin e vuajtjeve të mëdha, sidomos të grave”, thotë ai.

Ndërsa aktorja Raimonda Bulku thotë se rrëfimet janë të dhimbshme me të vërteta e tyre therëse.

“Rrëfenjat e të internuarve herë herë paraqiten në gojë të tyre përmes dokumentarit dhe në herë herë në vetën tonë ku ne japim ngjyrat tona artistike. Është një jetë e dhimbshme, por është e vërtetë dhe shumë prekëse”, thotë ajo.

Zonjë Bulku thtoë mëtej se ardhja e kësja shfaqje në kalanë e Gjirokastrës ka domethënien e vet pasi edhe kjo kala ishte një vend vuajtjesh burgosjesh dhe interrnimi.

“Këtu kalaja ka qenë një vend i dhimbjes, i burgosjes. Kalaja ka historinë e vet të trishtuar. Gjithë atmosfera na fut në një botë tjetër, në atë botë që ne e rithemi tani përmes këtyre rrëfimeve”, thotë ajo.

Zonja Bulku thotë se ky teatër dokumentar, këtor rëfime, janë një mesazh i fortë për shoqërinë shqiptare.

“Ta mbajmë në kujtesë për të thënë që ka akoma vend për njerëz që duhet të thonë më fal për dhimbjen që u kanë shkaktuar të tjerëve, për njerëz që nuk duhen harruar vuajtjet e tyre . Këto histori duhet t`u rrëfehen brezave të tanishëm që e shkuara të mos përsëritet kurrë.”

Nën muret e rënda të kalasë rrëfimet e kanë peshën e dhimbjes edhe më të madhe. Rrëfimi i Drane Jakës që e mbajti fshehtas nga autoritetet e kampit për shtatë javë trupin e pajetë të foshnjës pranë vetes, për ta rikthyer në vendlindje e për ta varrosur sipas zakoneve përcillet plot emocion tek spektatorët.

“Jam Drane Jaka, jam gruaja që zhvarrosi djalin e vet me dëshirë. Ishte mesnatë por hëna ndriste aq fort .E kam marrë Zojën ,vajzën time 11 vjeç dhe bashkë me të kemi marrë rrugën për në fshatin Turan ku ishte kampi më parë. Aty ishte varri i djalit tim. Me një shkop kam gërmuar gjithë natën deri sa duart më janë bërë dru dhe gishtat më kullonin gjak. E kam strehuar për dy javë mes qindra të internuarve dhe dhjetëra oficerëve pa i rënë në sy askujt. Aty në faqen e jorganit deri sa më ka ardhur dita e lirimit. Edhe me disa bimë të egra që i kisha bërë ilaç ia kam lyer trupin që të mos binte erë dhe pas dy javësh kur kam mbërritur në Nikaj Mërtur kam mundur ti them Zefit : A e sheh Zef, të kam pru me të varros aty ku ke lindur.”

Autoritetet zyrare prej pesë vitesh kanë premtuar kthimin në një muze të memories për ish kampin e internimit në Tepelenë ku rreth 3000 persona vuajtën interrnimin dhe rreth 500 prej tyre humbën jetën, gjatë viteve të regjimit komunist

Por deri tani në rrënojat e kampit janë vetëm gjurmët e kazermave të degraduara dhe qiparisat që simbolizojnë jetën e 300 fëmijëvë që vdiqën nga sëmundjet dhe uria ku herë pas herë familjarët apo ata pak të mbijetuar ende gjallë shkojnë për të nderuar kujtimin e atyre që nuk jetojnë më.

Shumëve prej tyre nuk u janë gjetur as eshtrat…