Ballina Kulturë Burka e Medeas, nata e dytë e festivalit MEDIUMS

Burka e Medeas, nata e dytë e festivalit MEDIUMS

41
0

“Burka e Medeas” është shfaqja e dytë e festivalit të Teatrit Bashkëkohor (MEDIUMS), një ngjarje kulturore që mbledh artistë trupa teatrore, kuratorë festivalesh e kritikë ndërkombëtare e kombëtare.

‘Burka e Medeas’ nga dramaturgu grek Andreas Flourakis dhe me regji të drejtorit artistik të Teatrit Thesali Kyriaki Spanou dhe me interpretim nga Marsela Lena, u shfaq mbrëmë në ambjentet e COD . Është një ripërpunim i historisë së Medeas, i transferuar në një kontekst bashkëkohor. “Burka” do të thotë çdo identitet i veçantë i imponuar ndaj grave.

Pse të rishikoni një mit grek, një personazh nga drama greke, si Medea dhe t’i shtoni asaj një Burqa?  Çfarë do të thotë që një gruaje me origjinë, kulturë apo fe të ndryshme t’i kërkohet të braktisë “identitetin” e saj në mënyrë që të duket si dikush tjetër në botën perëndimore? Cili është ky presion “i paaftë” për homogjenitet?

Shfaqja ndjek Medean dhe vrasjet e saj, duke eksploruar itinerarin që nga edukimi i saj “mashkullor” nga babai i saj mbretëror deri te braktisja e saj nga i shoqi në një vend të huaj dhe cenueshmëria e saj në një vend që e përbuz atë, megjithëse dëshiron ta ndryshojë.

Patriarkati e ka shtyrë drejt vrasjeve, por në një gjest të vetëdijes, ajo përpiqet t’i shpëtojë vrasjes së “pritur” të fëmijëve të saj me dorën e saj.  Ajo aspiron të jetë Medea e parë që nuk vret fëmijët e saj… ajo i lë ata të përballen vetë me rreziqet e jetës. Ajo mund të jetë një vrasëse e krijuar nga një shoqëri patriarkale, por është e vendosur të shpëtojë të ardhmen që po lind.

Pas suksesit të shfaqjes së parë “Të prezantoj Shqipërinë”, Burka e Medeas është shfaqja e dytë e festivalit MEDIUMS që zhvillohet për herë të parë në Tiranë.

Festivali i Teatrit Bashkëkohor me producentë aktoren Ema Andrea është një platformë që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe interesin për artin teatror në Tiranë përmes shfaqjeve bashkëkohore ndërkombëtare, të nxisë dialog professional, të edukojë audiencën në nivel artistik dhe estetik.