Ballina Sport E bujshme! Lewis Hamilton te Ferrari në vitin 2025, zyrtarizimi në fundjavë

E bujshme! Lewis Hamilton te Ferrari në vitin 2025, zyrtarizimi në fundjavë

107
0

Lewis Hamilton në Ferrari nga 2025? Merkato e pilotëve të Formula 1 fillon në ditën e parë të shkurtit dhe është Ferrari ai që po i trazon ujërat. Pikërisht shtatë ditë pas shpalljes së rinovimit shumëvjeçar të kontratës së Charles Leclerc, “Corriere della Sera” zbulon se Lewis Hamilton do të zëvendësojë spanjollin Carlos Sainz.

Nga Anglia, “Autosport” shkon më tej, duke folur për negociata shumë të avancuara dhe mbyllje të marrëveshjes deri në fund të kësaj jave. Skenari është plot aspekte, pengesa për të kapërcyer dhe komplikime të mundshme, por mbi të gjitha sharm dhe logjikë.

Kontrata aktuale e Lewis Hamilton me Mercedes skadon në vitin 2025, por palët do ta mbyllin atë më herët. Britaniku është piloti më i sukseshëm në Formula 1, me 103 fitore dhe 105 “pole position”. Ai e rinovoi disa muaj më parë kontratën për 2 vite me makinën gjermane, por do të qëndrojë vetëm 1 sezon. Një lëvizje kjo që po trondit botën e Formula 1.

Nuk është hera e parë që emri i shtatë herë kampionit të botës lidhet me një negociatë me Ferrari. Kjo ka ndodhur tashmë në të kaluarën, por ajo që u jep frymë thashethemeve është mungesa e deritanishme e konfirmimit të Carlos Sainz me “kokëkuqen”, kontrata e të cilit skadon në fund të vitit 2024.

Nëse bashkëpunimi me Sainz do të ishte i destinuar të përfundonte në fund të vitit 2024, punësimi i britanikut Hamilton do të përfaqësonte një zgjedhje të profilit më të lartë dhe apelit maksimal. Edhe “Sky Sports” konfirmon largimin e Hamilton nga Mercedes, ndërkohë që pritet që zyrtarizimi të bëhet në fundjavë.