Ballina Ekonomia Çfarë pritet të ndodhë me kreditë dhe depozitat pas uljes së normës...

Çfarë pritet të ndodhë me kreditë dhe depozitat pas uljes së normës bazë?

93
0

Nga Aurora Sulçe

Një muaj pasi Banka Qendrore Europiane uli normën bazë të interesit për lekun, të njëjtën lëvizje bëri edhe Banka e Shqipërisë. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë në 3% normën bazë të interesit për lekun. Thënë ndryshe, uli koston e monedhës vendase, duke e bërë më të lirë lekun. Sipas guvernatorit, ecuria pozitive e ekonomisë dhe rënia e inflacionit ishin arsyet kryesore të këtij vendimi.

Por çfarë ka ndodhur me normën bazë të interesit në këto dy vite e gjysmë kur ekonomia shqiptare dhe jo vetëm, edhe ajo botërore u përball me rritjen e ndjeshme të çmimeve, atë që ndryshe njihet si kriza e inflacionit?

Përballë një shtrenjtimi të tillë dhe si përgjigje ndaj inflacionit, në shkurt 2022 Banka e Shqipërisë filloi shtrëngimin e politikës monetare, duke e çuar normën bazë nga 0.5% që ishte edhe minimumi historik në 3.25%, me rritjen e fundit që u bë në nëntor 2023. Bashkë me uljen e të mërkurës, Banka e Shqipërisë e ka ndryshuar plot 8 herë normën bazë në këto dy vite e gjysmë.

Por a tregon ulja e normës bazë se tashmë periudha e rritjes së çmimeve ka përfunduar?

Sinjalet që vijnë nga tregjet ndërkombëtare, aty ku ne importojmë pjesën më të madhe të produkteve janë mikse dhe perspektiva e rritjes mbetet ende e pasigurt.

Në qershor, Banka Qendrore Europiane uli në  3.75% normën bazë të interesit për euron, pasi edhe në vendet europiane inflacioni shënoi rënie. Ndërkohë që Rezervat Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk e kanë ndërmarrë një lëvizje të tillë, duke pritur që situata të qartësohet më shumë.

Një panoramë e ngjashme në lidhje me çmimet është edhe në Shqipëri.

Në vendin tonë, inflacioni zbriti në maj në 2.2% dhe që prej janarit të këtij viti, është futur në një trajektore rënëse. Kjo dëshmon për një situatë më të relaksuar dhe ulja e normës bazë synon të nxisë ekonominë, e frenuar deri më tani edhe nga politika monetare shtrënguese.

Por çfarë pritet të ndodhë pas uljes së normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë? Cilat janë efektet e pritshme?

Ajo që pritet është një ulje e përgjithshme e interesave në ekonomi. Thënë ndryshe, bankat të ulin interesat e kredive të reja që do të merren në lek. Rënie do të pësojnë edhe interesat e depozitave në monedhën vendase, si dhe letrave me vlerë, bonove të thesarit dhe obligacioneve.