Tregu i qirasë financiare (lizingut) u rrit me ritme më të shpejta vitin e kaluar. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i qirasë financiare në fund të vitit 2023 arriti vlerën e 11.2 miliardë lekëve, ose rreth 108 milionë euro.
Vlera e portofolit u rrit me 7.7% krahasuar me vitin 2022. Qiraja financiare është një produkt i fokusuar kryesisht në financimin e mjeteve të transportit të bizneseve dhe individëve dhe në një pjesë më të vogël në financimin e pajisjeve dhe linjave të prodhimit të bizneseve. Portofoli i qirasë financiare, sipas produkteve, dominohet nga financimet për mjete transporti personale (42%) dhe mjete transporti pune (29%).
Në vitet e fundit, kompanitë e lizingut po shtojnë vëmendjen edhe në financimin e pajisjeve për prodhimin e energjisë së rinovueshme, sidomos të paneleve diellore. Tregu i lizingut, ashtu si ai i produkteve të tjera financiare, ka ndjekur rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në periudhën pas pandemisë. Një nga aktivitetet ku lizingu ka peshë të rëndësishme është financimi i blerjes së automjeteve për dhënien e tyre me qira, kryesisht për përdorim nga turistët. Turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të po shënojnë një rritje të shpejtë dhe kjo rritje po i jep efektet e veta zinxhir edhe në sektorët financiarë të lidhur me të. Turizmi gjithashtu ka rritur kërkesën për taksi dhe flotat e reja janë të orientuara drejt automjeteve elektrike.
Blerja e tyre përbënin gjithashtu një kontigjent të rëndësishëm të kërkesës për financime me lizing. Efekti i tërthortë i turizmit shtrihet edhe në sektorët e distribucionit dhe tregtisë, që kanë zgjeruar flotat e tyre të automjeteve. Një segment tjetër në rritje është edhe ai i shërbimeve mjekësore, ku blerja ose rinovimi i pajisjeve po financohet në një masë të madhe me qira financiare.