Një nga çuditë më të mëdha të viteve të drejtimit të Kombëtares shqiptare nga Edi Reja, ka qenë grumbullimi i mbrojtësit Kevin Haveri në radhët e kuqezinjve në qershorin e vitit 2022.
Mbrojtësi i majtë ishte vetëm 20-vjeçar pjesë e Riminit në Serinë D italiane dhe pakkush mendonte se një futbollist i tillë mund të gjente hapësira në radhët e Shqipërisë, për më tepër pa qenë asnjëherë më parë në listën e U21 të kuqezinjve e duke mos u grumbulluar as më vonë edhe pse 20 vjeç.
Lëvizjet e mëtejshme në karrierë të Haverit treguan se ai vendim i Rejas mbetet me të vërtetë i pashpjegueshëm. Haveri luajti edhe një sezon me RIminin në Serinë C, e më pas firmosi për Torinon, por ai nuk luajti asnjë ndeshje me këtë klub që e huazoi te Askoli dhe pastaj te Katania.
Për Haverin, gjatë merkatos së verës ka ardhur transferimi i radhës në formë huazimi te një klub i Serisë C. Ai është prezantuar si përforcimi i ri i Kampobasos dhe pritet që të paktën në këtë skuadër të jetë protagonist.
“Duket se Kampobaso është një skuadër te e cila unë kam qenë i destinuar të luaj, pasi si ngjyrat, ashtu edhe vitit i themelimit të skuadrës së qytetit të lindjes, Shkodrës, janë të njëjta me ato të Kampobasos.
Ndaj jam i lumtur dyfish. Pres me padurim të filloj. Mbërrij te kuqeblutë me synimin për të dhënë maksimumin dhe me të gjithë shokët e skuadrës të punoj për t’u dhënë kënaqësitë që meritojnë tifozëve”, ishin fjalët e Haverit pas prezantimit të Kampobaso.