Ballina Kulturë Gjuha e mprehur e vështruesit të shqetësuar

Gjuha e mprehur e vështruesit të shqetësuar

34
0

Nga Adem Abdullahu

Sulejman Mehazi është një nga krijuesit e brezit më të ri, i cili herë pas here di t’i befasojë me vargjet e tij, jo vetëm lexuesit, por edhe ata të cilët angazhohen gjatë leximit të poezisë.
Përmbledhja poetike në dorëshkrim e titulluar “DHEMBJE DASHURIE”, për një rreth më të afërt të autorit edhe është pritur, sepse herë – herë ka botuar nëpër revista kulturore e artistike dhe ka lexuar nëpër mbrëmje të shumta letrare.
Mirëpo, megjithatë, në këtë përmbledhje të ndarë në tre cikle, ka zgjedhur poezitë më të arrira për mendimin tim dhe poezitë që i ka konsideruar si poezi vetëm të tij, e të cilat kanë vlerë të konsiderueshme.
Se është kështu, mjafton të ndalemi te cikli i parë, te poezia “Mashtrimi i vetvetes”. Këtu poeti (krijuesi artistik) tregon peshën e dhembjes së kohës, të nxitur nga ambienti injorant dhe pseudointelektual dhe pamundësinë që dikuj t’i tregojë e ti drejtohet. Më tej shprehet “Duan erë, furtunë e bubullimë, / vetëm me erë e bubullimë duan të më shërojnë”. Për të shpërthyer mllefin e mbledhur në shpirtin e tij të vrullshëm, thotë: “Duan të kem shpirtin e të mallkuarve / të shoqërohem me djallin / dhe pas kësaj vjen (e konstaton) me këto vargje: “rëndë, rëndë është të zbulosh se si vetveten e mashtrojnë me duhmën e kësaj bukurie”.
Pra, poeti me gjuhën e tij të mprehtë dhe me dozën e një vrojtuesi të shqetësuar, me keqardhje vjen në përfundim se edhe ajo bukuri që ekziston, më shumë është falëse sesa origjinale.
Poeti, gjithnjë është i trazuar dhe përsëri konstaton se njerëzit “me shpirtin e trazuar / me kokën e zhubrosur / me hijen e zezë të trupi / me hapat e ngadalshëm…/ shkelin fatin e jetës së tyre.
Kur të ndalemi e të lexojmë poezinë “Kërkoj përgjigje”, do të vijmë në përfundim se autori shumë thellë është zhitur dhe nxjerr në shesh ato gjëra të cilat, pasi të lexohet disa herë poezia, lexuesi fillon të depërtojë e të meditojë. Në këtë poezi, poeti na rrëfen se “violina vajton / gëzimet e njerëzve…

Autorin e ngulfat gjendja e pakuptimtë e kaotike në shoqëri, gjendje, kur nuk dihet “A thua gëzohet / a thua hidhërohet / jeta me ne … Ai sheh se jeta është është një heshtje, pastaj një qeshje, pak më pastaj një bisedë, pastaj përsëri lot, pak më vonë dolli, dhe duke mos mundur të japë konstatimin, parashtron pyetjen “a thua jeta është gëzim / a gëzimi jetë…?! Këto vargje të shtynë të meditosh dhe varësisht nga horizonti i njohurive dhe këndvështrimi personal të japish përgjigjen.
Te poezia “Tryezë e shpirtit” për mendimin tim, poeti e arrinë kulmin dhe e vulos fatin e tij si poet dhe si njeri intelektual dhe human me plot kuptim. Se kjo është poezi që të befason me thellësinë e saj kuptimore do të shprehemi me vargjet e poetit: “Nxora tryezën e shpirtit / për t’u ulur të shikoj / shkretëtirën e trupit tim/. Këtu ai tregon dhe përfundon se trupi pa shpirtin (në kuptimin e pasurisë shpirtëror) është një shkretëtirë, ku nuk funksionojnë as damarët, as zemra. Këtu orvatet t’ia bëjë me dije lexuesit se po s’e bashkove “…tryezën e shpirtit në trup, / pët t’mos u ndarë kurrë / do të dukesh sikur trung i tharë nga era e furtuna, i ftohtë si ngrica, sikur një ú zjarri i tharë… Herë – herë duket se poeti të pamundurën e bën të mundur. Kështu ndodh te poezia “Paradoks” e cila përmes dy vargjeve, aq sa i ka, arrinë të thotë shumë, ja si shprehet: “Me këmbët e mia / shkela hijen e trupit tim/. Kështu siç është, duket se është një diçka e pamundur, por kur të merret si simbol, tregon se njeriu, po ashtu edhe kolektivi, me këmbët dhe duart e veta, si dhe me kokën e vet dhe veprimet, bëjnë atë që tjetri s’arrinë t’ia bëjë dot, pra e vetshkelin vetveten. Kjo është njëra ndër mundësitë e të kuptuarit të kësaj poezie, sepse ka mundësi të kuptohet edhe ndryshe. Për këtë lirisht mund të themi se shumë poezi të Sulejman Mehazit, mund të kuptohen, varësisht nga rrafshi njohës dhe intelektual i lexuesit. Prandaj mund të përfundojmë se këtu qëndron mjeshtria e krijuesit (poetit).

Te poezia “Do të çmendem”, poeti fjalën “çmendem” e përdor në kuptimin “çmendem për të mirë” dhe këtu ndoshta është një shprehje jo e qëlluar sa duhet, por me një lexim të vëmendshëm, lehtë hetohet ajo, ja si thotë: “Për dritën … / për natën … me hënë /për poezinë që digjet / nga vrulli i kulluar në shpirt / do të çmendem/.
Te poezia “Ngrihu shpirti im”, kuptojmë se poetin dhe rrethin e tij e mundon “thyerja e shpirtit” dhe parrugëdalja, andaj shpëtimin e kërkon në qiell, sepse vetëm shpirti është (gjëja) që nuk mund të përlyhet dhe të nëpërkëmbet. Prandaj ai shprehet “Ngrihu shpirti im i thyer / largohu / fluturo lart me qiej / në pafundësi / , sepse vetëm njeriu shpirtërisht i fuqishëm mund t’i bëj ballë zallamahisë dhe të largohet nga e keqja, të fluturojë në kaltërsi.
Poezia “Pa emër”, na e bën me dije se “Buzët e lules së kuqe (janë) / emër i dhembjes (së poetit), kurse “ … sytë e zjarrtë” pavdekshmëria e tij.
Vargjet e poezisë “Pa ty”, të përkujtojnë netët e gjata në vetmi, net kur mungon e dashura dhe më kot mundohet të dalë në botë tjetër. Pra, poeti rrugëdaljen e gjen te konstatimi tronditës, ku thotë: ”Pa ty nata më duket më e gjatë se një jetë”. Autori dashurinë nuk e kupton si të tjerët, ai thotë “Mos më thuaj… se sonte prej djegies buzët / do të shkrumosen… Dashurinë e kupton si diçka të madhërishme dhe të shenjtë dhe shprehet: “Po sonte…/ zemrat i shkulëm në pjesë dhe i bëmë dashuri/. Të dashurën e quan “Hënë”, e cila i ndriçon natën, ia zvogëlon dhembjet dhe ia shuan etjen. Dashurinë e kupton si diçka shumë të fuqishme, prandaj edhe përdor shprehjet “Vetëm ai që ka kaluar një kopsht të dendur të hithrave / e në mes të hithrave të gjendet gjarpërusha (e dashura) e di ç’është dashuria/.

Në ciklin “Erotikon”, përveç poezive të tjera, mjaftë të arrira, janë poezitë “Dhembje dashurie”, “Dielli qan”, “Ishulli i panjohur”, “Jam i ri”. Te poezia “Të më lënë”, tregon një gjendie momentale të poetit, e cila dallon nga poezitë tjera.
Poezia “Fjalët e të ndjerit baba”, me të cilën hapet cikli “Përkushtime”, tregon urtinë popullore, e cila përcillej brez pas brezi, në mënyrë gojore dhe mbamendore, e cila kishte porosi jetike, ku thotë: “Kurrë mos prit nga të huajt / ata nuk të japin hak/. Te poezia “Çmenduri”, duket sikur djalli është brenda njeriut, por ai “nuk do të mund ta përmbys botën para se të humbet vet”.
Poezia që i kushtohet Rexhep Vokës, “Katër dëshira”, të përkujton përsëritjen e situatave historike kombëtare dhe fytyrat prijëse gjatë kohëve, këtë e shohim përmes vargjeve “…kur hiri i së kaluarës / fillon të shprushet përsëri /, për të përfunduar me vargun që i vë vulën aspiratës së popullit për pavarësi e liri: “Ti ngele simbol i katër dëshirave të mëdha/.
Autori i librit “Dhembje dashurie”, Sulejman Mehazi, si duket gjithnjë, pas konstatimeve të hidhura hap shtigje dhe kërkon rrugëdalje, madje duke dalur nga realiteti i hidhur, ngjitet lartë, ku shprehet: “si ndonjë shqiponjë / fluturoj drejt / kaltërisë së qiellit / i zbehur / i lodhur / i raskapitur / … kërkoj diellin e tokës sime/.
Ciklin e tretë poeti e përmbyll me dy poezi tronditëse: “Popullit” dhe “Lutje”, ku për popullin i drejtohet Zotit, si i Vetmi Fuqiplotë dhe drejtues i gjërave.