Ballina Ekonomia Turizmi, “deti nuk është bërë kos” dhe bumi mund të kthehet në...

Turizmi, “deti nuk është bërë kos” dhe bumi mund të kthehet në boshllëk

20
0

“Diçka po ndodh, por ende nuk po e kuptojmë”, thotë Aida Gjeçaj, eksperte dhe sipërmarrëse në fushën e turizmit.

“Ne jemi më të shtrenjtë. Në ushqim, por edhe hoteleri”, tregon Albana Nanaj, gazetare, njohëse e sektorit të turizmit.

“Çmimet e akomodimit në jug të vendit janë 70-80 euro në rastin më të mirë dhe kjo e bën Shqipërinë një vend më jo të lirë”, thotë Ferjolt Ozuni, pedagog, operator turistike.

“A është e justifikuar kjo rritje? Ne mendojmë që nuk është e justifikuar”, thotë Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar.

“Kjo është strategjikisht vetëvrasje, për ata vetë”, u shpreh më herët Edi Rama, kryeministër.

Pas një 2023-shit të mbarë, ky vit nisi me pritshmëri për të pasur edhe më shumë turistë… deri në 15 milionë të tillë. E teksa gjendemi në kulmin e të paktën sezonit masiv turistik veror, shifrat e nuk zhgënjejnë… të paktën ato të raportuara nga institucionet shtetërore. Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vetëm në qershor në vend hynë 1.2 milionë të huaj, 200 mijë pushues apo 20 për qind më tepër se një vit më parë.

Edhe më e fortë rezulton rritja, referuar gjithmonë shifrave zyrtare nëse të dhënat merren në harkun e gjashtë muajve. Në gjysmën e parë të vitit, në vend rezulton të kenë hyrë 4.5 milionë të huaj. Në raport me një vit më parë, shifrat janë zgjeruar me 1.1 milionë apo 32.4 për qind. Por numrat nuk po reflektohen edhe në terren.

“Ne prisnim më shumë këtë vit. Jemi disi të mbushur, por jo shumë më tepër se po i njëjti vit i më parë në të njëjtën kohë”, tha Aida Gjeçaj, eksperte dhe sipërmarrëse në fushën e turizmit.

Të paktën për momentin, gishti tregues i fajit i të gjithëve drejtohet te rritja abuzive e çmimeve, veçanërisht në jug të vendit.

Kjo ka bërë që ndryshe nga një vit më parë teksa kapacitetet ishin thuajse të ezauruara, këtë verë në platformat AirBNB dhe Booking mund të gjesh lehtë apartamente me qira ditore ose një dhomë në hotele në thuajse gjithë jugun e vendit.

Me gjithë shtrenjtimet, Shqipëria vijon të ofrojë çmime më të ulëta se vendet europiane, por duke u barazuar me ato të Rajonit. Sipas platformës Booking, një çift mund të akomodohet në plazhet e vendit për mesatarisht 80 euro, shifër kjo më e ulët se ajo që një turist do duhej të paguante në Itali apo Maltë, por më shtrenjtë se në Turqi.

Në raport me një vit më parë, akomodimi në hotele dhe plazh, bashkë me transportin janë shtrenjtuar mesatarisht me 20 për qind. Me 25 për qind mesatarisht janë shtrenjtuar pijet dhe ushqimet.

Shqipëria aktualisht po ofron çmime gati të njëjta me venet e rajonit e madje ato europiane. Sipas platformës Booking, një çift mund të akomodohet në plazhet e vendit për mesatarisht 80 euro, shifër kjo gati e njëjtë me konkurrentët e Malit të Zi, Turqinë e madje Greqinë.

Abuzimet në disa raste me çmimet në jug të vendit i pranon edhe kryeministri Rama, i cili ka një paralajmërim veçanërisht për operatorët në Vlorë e Sarandë.

Jo vetëm në jug, por edhe në veri të vendit nuk po reflektohet “bumi” i turizmit. Nga gati 1 milionë në janar-majin e një vit më parë, zonat e mbrojtura, përfshirë Alpet me Thethin Valbonën apo lumin e Gashit janë vizituar nga më pak se 750 vetë këtë vit.

Veç çmimeve, operatorët e drejtojnë edhe diku tjetër gishtin mbi mungesën e turistëve këtë vit.

Por edhe këtu, ato që operatorët thonë nuk përputhen me shifrat e institucioneve. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit raporton se deri në maj, vendin e kanë vizituar më shumë se 1.2 milionë pushues nga Kosova, gati 30 për qind më tepër se në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

Që edhe këto pushime verore do të ishin “të kripura”… kjo dihej.  Turizmi, ashtu si çdo sektor tjetër i nënshtrohet rregullave të tregut, kërkesës dhe ofertës. Ku kërkesa rritet, oferta shtrenjtohet. Mirëpo që “bumi” të mos kthehet në “boshllëk”, emëruesi i përbashkët ku të gjithë bashkohen është “kujdes me çmimet. /A2, Marjo Brakaj/