Ballina Aktualitet BIRN: Bregdeti ‘i panjohur’ i Durrësit fton për eksplorim zhytësit amatorë

BIRN: Bregdeti ‘i panjohur’ i Durrësit fton për eksplorim zhytësit amatorë

27
0

Bregdeti i Durrësit njihet më së shumti për brezin e gjerë të rërës kurative dhe ujërat e cekët. Por në një segment prej disa kilometrash, i cili nis përballë qytetit dhe i drejtohet pjesës veriore drejt Kepit të Palit, natyra ka shënuar një kapriço që kombinon rërën me shkëmbinjtë dhe peizazhi detar merr një pamje krejt tjetër. Plazhi i Kallmit u jep mundësinë pushuesve që të zhyten dhe të eksplorojnë florën e pasur nënujore. Sabri Mullaliu i ka kaluar të 80-at dhe bashkë me pasionin e vjetër për notin, ka zbuluar në këtë bregdet kënaqësinë e shëtitjeve të gjata ujore. Ndonëse jeton në Australi, Mullaliu vjen çdo vit në Durrës për të shijuar bregdetin e tij.

“Dhjetë vjet më parë, një shok i hershëm notar dhe gjimnast, më foli për notimin si një opsion për të njohur brigjet e panjohura të qytetit tonë,” kujton Sabriu.
“Mjafton një maskë me tubin përkatës dhe nuk duhet asgjë tjetër,” shton ai.
Plazhi i Kallmit në veri të Durrësit u hap për publikun në fillim të viteve ’90, pasi gjatë regjimit komunist ishte i bllokuar nga repartet ushtarake. Bregdeti në këtë territor është i përbërë prej gurësh dhe pllakash dhe u eksplorua fillimisht nga zhytësit amatorë.

Në vitin 1997, bregdeti u dëmtua nga keqbërësit që peshkonin me dinamit dhe u desh një kohë e gjatë që situata të kthehej në normalitet. Kjo periudhë shkaktoi pasoja edhe për objektet arkeologjike të konservuara nën ujë. Rikthimi i tokave në pronësinë e familjeve pronare në kodrat e Kallmit dhe bashkëpunimi me organet e rendit rivendosi edhe rregullat për kujdesin ndaj kësaj pjese të bregdetit, që tashmë njihet si “Riviera e Durrësit”. Tom Fishta, një tjetër sportist dhe frekuentues i këtij plazhi, realizon në ditë distancën ujore prej 2.5 deri në 3 kilometra.
“Shumë kënaqësi ndjej kur shoh tufa peshqish, të cilët lëvizin para syve tanë të pashqetësuar, ashtu siç i gëzohem fushave të gjelbërta me poseidonia nën ujë,” tha Fishta, i cili kërkon të mësojë gjithçka rreth “brigjeve të panjohura” të qytetit të tij.

“Kemi folur me shumë notarë të rinj, për “zbulimin tonë nënujor” në thellësi prej 2-4 metra dhe tashmë me grupe, apo individualisht ka nga ata që po e ndjekin shembullin tonë”.
Sipas Tomit, vizita ujore vijon deri në Bishtin e Pallës apo Kepin e Palit, si i thonë në harta. “E vetmja ndërprerje bëhet pranë portit të karburanteve dhe atij tregtar që po ndërtohet,” shton ai. Në majën e Kepit të Palit, komanda e Forcave Detare parashikon krijimin e një parku nënujor për të pasionuarit e zhytjeve. Sipas ish-komandatit të Forcës Detare, Artur Meçollari, plani parashikonte projektin e vizitave nënujore turistike të zhytësve në thellësi 14 metra, duke krijuar edhe sinjalistikën për sigurinë lundrimore në Bishtin e Pallës.

“Njëlloj si në zonën pranë Sarandës, ne kishim parashikuar mbytjen e dy anijeve ushtarake jashtë funksionit, dragamina dhe gjuajtësi i vogël,” thotë Meçollari, sipas së cilit anijet do të mbeteshin përfundimisht në thellësinë prej 18 – 22 metra.
Por “gjuajtësi i vogël” u mbyt në portin e Shëngjinit, duke bllokuar edhe lundrimin drejt Bisht Pallës për anijen dragaminë. Meçollari e sheh mjaft interesante idenë e shëtitjeve në bregdetin e Kallmit, që nuk përbën rreziqe nga lëvizja e anijeve dhe barkave për njerëzit e pasionuar.
“Kjo mund të bëhet edhe në Kepin e Rodonit, në veri të gjirit të Lalzit, ku karakteristikat e bregdetit janë të ngjashme,” shtoi ai, duke theksuar marrjen e masave në lëvizjen e mjeteve me motor.
Në plazhin e Currilave, aty ku numri i pushuesve po rritet dukshëm për shkak të vapës, Kiço Koçi nuk i ndahet asnjë ditë detit.

58-vjeçari durrsak herë pas herë përdor pushkën e detit dhe disa dhjetra metra larg bregut, nxjerr mbi ujë peshq të freskët për tavolinën e miqve.
“Por kënaqësia që të jep peisazhi nënujor nuk krahasohet me asgjë tjetër,” thotë Kiço Koçi.
“Do ta shëtis edhe unë bregun e Kallmit me qetësi, jo siç kam bërë deri tani me merakun e gjuetisë,” shtoi ai.
Sabri Mullaliu këshillon që përveç maskës dhe tubit të frymëmarrjes, zhytësit amatorë të përdorin edhe lopatat e gomës për ta bërë notimin më të shpejtë dhe cilësor.
“Kjo është një ftesë e hapur edhe për turistët vendas dhe të huaj të të gjjitha moshave, që mund të njohin kështu një peizazh tjetër të Durrësit,” përfundoi ai.