Ballina Kosovë Humbi jetën në Valbonë si pasojë e rrëzimit nga shkëmbi, Shërbimi Kërkim-Shpëtimit...

Humbi jetën në Valbonë si pasojë e rrëzimit nga shkëmbi, Shërbimi Kërkim-Shpëtimit të Kosovës ‘masakron’ Shqipërinë

38
0

Alpinisti nga Podujeva humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e së premtes në Luginën e Valbonës, në zonën e njohur si “Maja e Thatë”.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, ku në reagimin e tyre kanë fajësuar shtetin shqiptar se nuk kanë ofruar një helikopter. ShKShMK thotë se tërheqja e viktimës u vonua dhe se evakuimi i alpinistëve të ngujuar në faqen shkëmbore të majës së Thatë ka zgjatur gjatë tërë natës.

Pasi janë njoftuar për bllokimin e shtetasve nga Kosova, në reagimin e tyre, thuhet se “pa humbur kohë është kërkuar nga institucionet shqiptare mbështetje nga ajri me helikopter, por përgjigja ka qenë negative për arsye teknike.”

REAGIMI I PLOTË:

Me datën 26.07.2024 rreth orës 17:00 ShKShMK ka pranuar thirrje urgjente për ndihmë nga bjeshkatarët me shtetësi Kosovare, të cilët ishin duke e zhvilluar aktivitetin e tyre në “Majën e Thatë” në luginën e Valbonës.

Gjatë zbritjes një nga bjeshkatarët aksidentalisht ka rrëshqitur duke rënë në humnerë. Udhëheqësi i ekipit ka arritur të afrohet te personi i aksidentuar dhe i ka dhënë ndihmën e parë, por që ka rezultuar pa sukses.

Me të marrë lajmin, dy skuadra janë aktivizuar dhe kanë filluar operacionin e koduar “Maja e Thatë 1”. Ky operacion ka filluar me kordinim të plotë me institucionet e shtetit Shqiptar Policinë e shtetit dhe stacionin e ShKShMAL në Valbonë.

Fillimisht është identifikuar natyra e aksidentit dhe lokacioni në bazë të koordinatave të dërguara nga vendaksidenti.
Operacioni është zhvilluar në dy drejtime operacionale:

1)Evakuimin e personave nga faqja shkëmbore që pritnin për ndihmë .

2)Evakuimin e trupit të aksidentuarit(sipas informatave nga vendi i ngjarjes nuk kishte shenja jete).

Pa humbur kohë është kërkuar nga institucionet mbështetje nga ajri me helikopter, por përgjigja ka qenë negative për arsye teknike.

Shpëtuesit tanë së bashku me policë kujdestar dhe Ekipin e Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë nga Valbona janë nisur në drejtim të vendaksidentit.

Duke e patur parasysh konfiguracionin e terrenit dhe mungesën e mbështetjes ajrore, evakuimi i bjeshkatarëve të ngujuar në faqen shkëmbore të majës së Thatë ka zgjatur gjatë tërë natës. Kurse skuadra e dytë ka lëvizur në drejtim të viktimës duke e përgatitur evakuimin e tij, në mënyrë teknike deri te pozita ku pretendohej që do të ateronte helikopteri i premtuar.

Edhe pas shumë thirrjeve dhe komunikimeve maratonike nuk është siguruar asnjë helikopter shtetëror që do të transportonte pajisje shtesë dhe shpëtues për realizimin e operacionit,nga komunikimet zyrtare vazhdimisht kishte justifikime të natyrave të ndryshme. E gjithë vonesa e evakuimit të viktimës ishte shkaku i premtimeve boshe, jo sikur është raportuar mos qasja te viktima, shpëtuesit kanë arritur te viktime në kohë rekorde.

Duke u bazuar në situatën e ndërlikuar me shumë pa qartësi dhe pengesa burokratike, ka lind nevoja që të kontaktohet kompania private VIVA Helicopters të cilët në kohë rekorde dhe shumë profesionale kanë realizuar transportimin e shpëtuesve së bashku me pajisje dhe më në fund edhe evakuimin e viktimës deri në luginën e Valbonës, ku edhe pritnin autoritet relevante.

Gjatë operacionit 26 orësh duke e llogaritur pranimin e thirrjes deri në kthimin e shpëtuesit të fundit ShKShMK ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri Z. Skender Durmishi, i cili në vazhdimësi ka mbajtur kontakt dhe është mobilizuar për ndërlidhje diplomatike dhe ofruar mbështetje morale e institucionale për operacionin që zhvillohej.

Ftojmë institucionet e shtetit Shqiptar që në raste të tilla të jenë më të koordinuar dhe efikas,që operacionet e tilla të zhvillohen me pak komplikime dhe efikasitet. I shprehim ngushëllime të sinqerta e të thella familjarëve. I falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe të gjithë kontribuesit në këtë operacion të vështirë, Zoti ju shpërbleftë.