Ballina Kulturë Doli nga botimi libri me titull “BUJQËSIA BIOLOGJIKE” me autor Prof. Ass....

Doli nga botimi libri me titull “BUJQËSIA BIOLOGJIKE” me autor Prof. Ass. Dr. Enver Isufi. Prezantohet edhe në Gjermani

30
0

Nga Xhevdet Bashllari, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Bujqësisë

Enver Isufi, tashmë me përvojën e tij gati 50 vjeçare agronomike, është një specialist me një veprimtari të dallueshme botuese. Enveri ka botuar disa libra profesionalë, katër libra me poezi, me dhjetra artikuj shkencorë dhe po kaq shumë artikuj publicistikë në shtypin periodik. Enveri prej shumë vitesh ka drejtuar botimin e revistës “Bujqësia Biologjike”, botim i Institutit të Bujqësisë Biologjike, të cilin ai e themeloi dhe e drejton që nga viti 2009. Në vitin 2022, Enveri botoi librin me titull “GJURMËVE TË BLETËS” me volum 600 faqe dhe të gjitha fotot me ngjyra, ku ai përshkruan rrugëtimin e tij si agronom, e sidomos në Mbrojtjen së Bimëve dhe Bujqësinë Biologjike ku ai ka dhënë dhe jep ndihmesën e tij më të madhe. Për kontributin e tij Shoqata e Gazetarëve të Bujqësisë, i ka dhënë Prof. Ass. Dr. Enver Isufit, titullin “Dr. VASFI SAMIMI”, një kapedan ky I bujqësisë shqiptare. Po kjo shoqatë në vitin 2012, ka vlerësuar si artikullin më të mirë të vitit artikullin e shkruar pikërisht prej Enverit, me titull “Intervistë me Revistën Bujqësia Shqiptare” Botimi i fundit i Enverit, (Maj, 2024), është libri me titull “BUJQËSIA BIOLOGJIKE”, të cilin unë do ta quaja si qershia mbi tortën e madhe të botimeve të Enver Isufit. Ky është libri më i plotë i botuar këtë sistem bujqësie. Libri ka një volum me 366 faqe. Të gjitha fotot me ngjyra. Libri përshkruan praktikat e sistemit të bujqësisë biologjike që zbatohen në nivel ferme. Ky sistem bujqësie, i cili në botë filloi të zgjerohet nga vitet 1980, është një sistem me të ardhme, sepse harmonizon interesat e prodhuesit, konsumatorit dhe mjedisit. Autori librin e ka organizuar në tetë pjesë: Pjesa e parë: Bujqësia, burimi I jetesës dhe mirëqenies së njerëzimit. Pjesa e dytë: Bujqësia biologjike dhe hapat e zhvillimit të saj në shkallë botërore. Pjesa e tretë: Të ushqyerit e tokës dhe të bimëve në bujqësinë biologjike. Pjesa e katërt: Mbrojtja e bimëve në bujqësinë biologjike. Pjesa e pestë: Prodhimi biologjik në bimët: Domate, Mollë, Hardhi, Ullishte. Pjesa e gjashtë: Prodhimi biologjik në sektorë të tjerë: Blegtori, Pulari, Bletari, Bimë Mjeksore dhe certifikimi I produkteve biologjike. Pjesa e shtatë: Marketingu në produktet biologjike të certifikuara. Pjesa e tetë: Ilustrime me foto nga veprimtaria e bujqësisë biologjike shqiptare. Libri ofron për lexuesin njohuri të gjera teorike. Qartëson ndryshimet e këtij sistemi nga sistemet e tjera si bujqësia konvencionale, bujqësia me inpute të pakta, perma kultura, bujqësia biodinamike dhe bujqësia e integruar. Janë trajtuar praktikat agronomike të prodhimit biologjik në nivel ferme për bimët kryesore si Domatja, Molla, Hardhia dhe Ulliri biologjik. Libri është shkruar me një gjuhë të kuptueshmë për një numër të madh të grupeve të interesit si agronomët e shërbimit këshillimor, studentët, nxënësit e shkollave të mesme, për trupat e certifikimit, punonjësit e marketingut e deri te vetë fermerët prodhues të produkteve biologjike. Ky libër do të pasurojë literaturën bujqësore. Do të jetë një ndihmesë për të gjithë aktorët që merren me prodhimin dhe tregtimin e produkteve biologjike, si për tregun vendas, ashtu dhe me eksportin e tyre. Ky libër ofron edhe një edukim mjedisor për të gjitha moshat e lexuesve.