Ballina Politika BIRN: Ndryshimet e reja në kabinet forcojnë ‘kultin e Ramës’ në qeverisje

BIRN: Ndryshimet e reja në kabinet forcojnë ‘kultin e Ramës’ në qeverisje

23
0

Në një skenë që ngjante si një “deja vu” e një viti më parë, kryeministri c ia doli të dielën që të suprizojë edhe njëherë me ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar, ku pritet të ulen në detyrat kyçe tre ministra të rinj pa përvojë politike dhe pothuajse të panjohur për publikun. Në fund të një fjalimi të gjatë para Kongresit të Partisë Socialiste, Rama njoftoi pa shpjegime se kishte vendosur që të largonte ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe atë të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete.

Balla, një funksionar i hershëm i Partisë Socialiste, do të zëvendësojë Elisa Spiropalin në ministrinë pa portofol të Marrëdhënieve me Parlamentin, pas promovimit të kësaj të fundit si kryetare e Kuvendit. Peleshi do të drejtojë grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ndërkohë që Mete ikën nga Ministria e Financave më pak se një vit pas emërimit. Tre ministrat e rinj u përzgjodhën nga Rama nga nivelet e dyta të qeverisjes.

Ervin Hoxha, 46 vjeç, do të ngjitet në krye të Ministrisë së Brendshme në një debutim politik pas një karriere si funksionar i Policisë së Shtetit dhe drejtues i disa institucioneve të tjera teknike, ndërsa ministria e Mbrojtjes do të drejtohet nga Pirro Vengu, aktualisht drejtor i Portit të Durrësit. Ndërkohë, Rama ia besoi ministrinë e Financave Petrit Malajt, i cili iu prezantua publikut për herë të parë në janar të këtij viti kur u emërua drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN.

Emrat e rinj të ministrave së bashku me Spiropalin si kryetare e Kuvendit pritet të marrin aprovimin e Parlamentit në një seancë plenare të jashtëzakonshme të paralajmëruar për të martën. Emërime të tilla të befta në kabinetin qeverisës po kthehen në një normë të kryeministrit Edi Rama, të paktën që nga përfundimi i mandatit të tij të parë në vitin 2017. Por vëzhgues dhe analistë të politikës i shohin ndryshimet e reja si një shenjë të mëtejshme të forcimit ‘të kultit të individit” në krye të qeverisë dhe të Partisë Socialiste.

“Zgjedhja për ministra e emrave që nuk i thonë asgjë publikut dhe që gazetarëve u duhet google për të mësuar se kush janë, tregon se sistemi karrierës në PS varet vetëm nga vullneti i kryeministrit!” tha për BIRN gazetari Lutfi Dervishi.

Sipas tij, këto emërime nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim në këto dikastere, pasi edhe më parë, “disa emërime ministrash kanë rezultuar fiasko”.

“Zara në një lojë tavlle”

Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama ndodhet në fund të mandatit të tij të tretë qeverisës dhe në kërkim të një mandati të katërt të paprecedentë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ndërsa qeverisja e tij është dominuar nga problemet, Rama vetë ia ka dalë t’u mbijetojë deri më tani skandaleve që kanë çuar nën akuzë për korrupsion një ish-zv.kryeministër, dy ministra si dhe bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së tij.

Ndryshimet e shpeshta të Ramës në kabinetin e tij janë diktuar shpeshherë nga këto skandale, por janë parë gjerësisht si një makiazh më tepër sesa ndryshime për përmirësimin e qeverisjes. Ndryshe nga herët e tjera, emërimet e fundit interpretohen si një tregues i autoritetit në rritje të Ramës si në parti, ashtu edhe në qeverisje. Armand Shkullaku, analist politik dhe drejtues i medias kritike Lapsi.al i tha BIRN se mënyra se si Rama po i bën ndryshimet në qeveri apo në detyra të tjera të larta shtetërore ka rrëzuar parimet e demokracisë përfaqësuese në përgjithësi.

“Nuk janë gjë tjetër veçse manifestimi arrogant i kultit të individit që Edi Rama mëton tashmë t’ua bëjë të qartë të gjithëve,” tha Shkullaku.

“Nuk ka më rëndësi as karriera politike, përfaqësimi i qyetarëve, profili publik, por janë tekat dhe trillet e liderit ato që vendosin se çfarë dhe kë meritojnë qytetarët në qeverisje,” shtoi ai.

Shkullaku i përshkruan ministrat si “zara në një lojë tavlle”, që rrotullohen në varësi të humorit të kryeministrit, ndërsa eksperimentet e tij me emrat e rinj si një shfaqje të nënshtrimit dhe “poshtërimit që ai i ka bërë Partisë Socialiste”.

Irena Beqiraj, një konsulente financiare që shërbeu si zv.ministre dhe këshilltare në kabinetin e kryeministrit Edi Rama në vitet 2015-2017 beson gjithashtu se ndryshimet në qeveri janë shenjë e autoritarizmit të kryeministrit. Beqiraj shtoi gjithashtu se ministrat e rinj janë emra pa asnjë rëndësi për publikun, por që i japin mundësinë Ramës që të shfaqet si “lider transformues” – ndonëse eksperimente të ngjashme në të shkuarën kanë kaluar sipas saj pa asnjë gjurmë në Partinë Socialiste.

“Ata nuk do të duhet të shohin asgjë tjetër veç dritë të ‘shkëlqyer’ dhe do të duhet të bëjnë atë që u kërkohet,” tha Beqiraj, ndërsa shtoi se kur punët nuk shkojnë mirë, ata duhet të mbajnë gjithashtu edhe përgjegjësi personale.

Zgjedhjet e ardhshme

Ndryshimet e së dielës në kabinetin e kryeministrit Edi Rama nuk mund të shihen ndarazi nga zgjedhjet e vitit të ardhshëm, të cilat u paraprinë nga korrektime të Kodit Zgjedhor në marrëveshje me Partinë Demokratike të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në Kongresin e së dielës, Rama gjithsesi i tejkaloi këto zgjedhje dhe foli për vizionin e tij për Shqipërinë e vitit 2030. Sipas Lutfi Dervishit, me ndryshimet në kabinetin qeveritar, Rama u çoi një mesazh vartësve të tij në parti.

“Ndryshimet e fundit në vitin zgjedhor i dërgojnë mesazhin deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve të PS-së se fushata e ardhshme do të jetë e fushata e liderit,” tha Dervishi.

Përtej mesazhit politik, ndryshimet në dy portofolet kyçe të qeverisë së Ramës komentohen të jenë motivuar edhe nga arsye praktike. Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave luajnë historikisht një rol të rëndësishëm në vitet zgjedhore për menaxhimin apo financimin e proceseve të kushtueshme, ku në të shkuarën ka pasur akuza për përfshirjen e personave me rekorde kriminale apo lëvrimin e miliona eurove për investime. Shkullaku nga Lapsi.al vlerëson se të paktën në këto dy ministri, ndryshimet janë bërë edhe në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme.

“Edi Rama ka nevojë të ndikojë si gjithnjë tek vota e lirë dhe Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave janë tepër të ndjeshme në këtë drejtim,” përfundoi ai./ BIRN