Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugë rritjes së pagave për punonjësit e Bashkive në gjithë vendin. Me këtë vendim, pagat në 61 bashkitë e vendit do të unifikohen. Pra, një jurist do të paguhet njësoj si në Bashkinë e Tiranës ashtu edhe në Bashkinë e Dibrës, apo në çdo bashki tjetër. Rritja e pagave kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike. Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se ky vendim është marrë për të rritur stafet e bashkive.
“Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuar të të gjitha bashkive, pavarësisht madhësisë, duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomistë etj merr një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë”, deklaroi ai.
Ndërkohë Mazniku njoftoi se edhe formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë do të ndryshojë nga viti i ardhshëm, pasi do të përfshihen të dhënat për popullsisë sipas CENS-it të 2023-shit. Ministri tha se është ngritur një grup pune për rishikimin e formulës. Mazniku shpjegoi se performanca do të jetë një element për ndarjen e fondeve, por garantoi se asnjë bashki s’do marrë më pak nga buxheti i shtetit se një vit më parë. “Kemi ngritur grup pune që po merret me rishikimin e formulës për shpërndarjen e garantit. Në buxhetin e 2025 do ketë formulë të re dhe një nga elementët do jetë edhe treguesi i performancës.
Asnjë bashki s’do marrë më pak para se një vit më parë”, deklaroi Mazniku dje pas mbledhjes së qeverisë. Fondet që marrin bashkitë bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të nxënësve. Për këtë vit transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kosto për rritjen e pagave.